MENU
klinika

Analiza e Project Syndicate

Konflikti në Ukrainë nuk zgjidhet vetëm me armë!

28.04.2022 - 17:15

Presidenti rus Vladimir Putin dëshiron të ndryshojë rrjedhën e historisë.

Por plani i tij – një luftë kundër Ukrainës që synon të korrigjojë pjesërisht shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik, të cilin ai e quajti “katastrofa më e madhe gjeopolitike e shekullit të 20-të” – është i destinuar të dështojë.

Edhe nëse Rusia arrin të ‘ringjallë’ fushatën e saj të dështuar ushtarake, çfarëdo përfitimi që do të arrijë do të jetë një fitore që nuk do të përmbushë pretendimet e Putinit për madhështinë ruse.

Trupat ruse kanë epërsi në Mariupol, por të fitosh një betejë nuk do të thotë të fitosh luftën.

Putin, duke pasur parasysh interesin e tij për historinë ruse, duhet të dijë se fitoret ushtarake nuk çojnë gjithmonë në triumfe gjeopolitike. Pushtimet e Bashkimit Sovjetik të Hungarisë në 1956 dhe të Çekosllovakisë në 1968, dhe vendosja e ligjit ushtarak në Poloni në 1981, ishin beteja relativisht të vogla të fituara nga një fuqi që po humbiste Luftën e Ftohtë kundër modelit shumë më elastik social dhe ekonomik të Perëndimit.

Putini nuk po i fiton betejat që ai priste në Ukrainë dhe është larg nga të qenit në gjendje të zhvillojë luftën për t’i mohuar Ukrainës ekzistencën e saj si një shtet i pavarur.

Mbytja e fundit e luftanijes ruse Moskva është prova më e dukshme dhe poshtëruese e kësaj deri më sot.

Që kur Putin filloi pushtimin e tij më 24 shkurt, 10 gjeneralë rusë kanë vdekur në luftime. Përderisa shifrat e sakta të viktimave janë të kontestuara dhe të paqarta, kjo shkallë humbjeje nuk është parë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Ëndrra e Putinit për të shpallur një tjetër Ditë Fitoreje më 9 maj, përvjetorin e humbjes së Gjermanisë naziste nga Bashkimi Sovjetik në 1945, duket se nuk ka gjasa të përmbushet.

Konflikti në Ukrainë është produkt i mendjes së Putinit, por është një problem që shqetëson të gjithë komunitetin ndërkombëtar. H R McMaster, i cili shërbeu si këshilltar i sigurisë kombëtare i Presidentit të Shteteve të Bashkuara (SHBA), Donald Trump, ka thënë me të drejtë se Perëndimi duhet ta bindë Putinin se ai nuk mund t’i përmbushë qëllimet e tij me forcë. Pyetja, për të cilën nuk kam një përgjigje, është si ta bëjmë atë.

Mendësia e Putinit pasqyron konceptin e tepërt territorial dhe ushtarak të pushtetit, të cilit i referohen elitat e politikës së jashtme ruse dhe pjesa më e madhe e publikut rus.

Por në shekullin e 21-të, statusi gjeopolitik i një vendi nuk varet nga shtrirja e territorit apo sferës së tij të ndikimit, por nga ekonomia, aftësitë teknologjike dhe kapitali njerëzor. Kina e kupton këtë shumë më mirë se Rusia.

Pavarësisht nga mendimet e tij, Putini u kap “mat” nga forca dhe uniteti transatlantik ndaj pushtimit të Rusisë.

Dënimi perëndimor ka qenë praktikisht unanim dhe Bashkimi Evropian (BE) ka zbatuar sanksione të paprecedentë. Qëllimi politik është të detyrojë Putinin në tryezën e bisedimeve.

Në fund të fundit, një zgjidhje e negociuar është e vetmja lloj që do të pranohet ndërkombëtarisht. Në këtë drejtim, vlen të kujtohet se vendet që abstenuan nga votimi për rezolutën e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara (OKB) që dënon pushtimin e Ukrainës përfaqësojnë më shumë se gjysmën e popullsisë së botës.

Rrallëherë në historinë moderne konfliktet politike janë zgjidhur vetëm me mjete ushtarake.

Mund të përmendet fitorja ndaj nazizmit. Por pas Luftës së Dytë Botërore, ndërtimi i paqes në një kontinent evropian të rraskapitur nga lufta kërkonte përqafimin e një ideje radikale: bashkëpunimin ndërkombëtar dhe integrimin politik dhe ekonomik.

Ndryshimi i regjimit në Rusi gjithashtu nuk është një opsion i mundshëm për të zgjidhur konfliktin në Ukrainë.

Deklarata e fundit e presidentit amerikan Joe Biden se “ky njeri [Putin] nuk mund të qëndrojë në pushtet” ishte padyshim një lapsus semantik, megjithatë, për Putinin, ajo ripohoi idenë e tij paranojake se “Perëndimi” po kërkon ta largojë atë nga Kremlini.

Dënimi moral i veprimeve ruse në Ukrainë është sigurisht i nevojshëm, por askush nuk duhet të presë rënien e Putinit.

People stand at the border crossing between Poland and Ukraine, after Russian President Vladimir Putin authorized a military operation in eastern Ukraine, in Medyka, Poland, February 24, 2022. REUTERS/Kacper Pempel

Herët a vonë, Perëndimit do t’i duhet të negociojë me Putinin. Ndërsa një armëpushim do të jetë shumë larg zgjidhjes së ankesave kombëtare nga të dyja palët, ajo është e vetmja mënyrë realiste për të lehtësuar vuajtjet e atyre që janë më të prekur nga lufta dhe për t’i lejuar palët të eksplorojnë se cilat opsione janë në dispozicion për një zgjidhje të negociuar të konfliktit.

Disa javë më parë, bisedimet për armëpushimin midis Rusisë dhe Ukrainës në Stamboll dukej se po bënin njëfarë përparimi, por diplomacia është nga natyra e saj paradoksale – ndonjëherë edhe mizore. Sa më shumë të mësojmë për ecurinë e negociatave, aq më i ngadalshëm priret të jetë përparimi i tyre.

Negociatat nuk do të zgjidhin një konflikt laik, dyshime të ndërsjella shekullore midis Rusisë dhe vendeve që sot përbëjnë Perëndimin, apo kthesën irracionale që ka marrë politika e jashtme e Putinit.

Por ato janë e vetmja mundësi për të shmangur një konflikt midis fuqive bërthamore.

Ky ndërgjegjësim nuk duhet të na nxisë të braktisim idenë për të ndjekur rrugën e vetme që, sado e ndërlikuar, mund të pakësojë vuajtjet e atyre që paguajnë çmimin për iluzionet e Putinit.

Ukrainasit kanë nevojë për sheshimin e armiqësive. Për të trajtuar kërcënimet reale të kohës sonë, për këtë kemi nevojë edhe ne të tjerët.

Javier Solana, një ish-përfaqësues i lartë i BE-së për çështjet e jashtme dhe politikën e sigurisë, sekretar i përgjithshëm i NATO-s dhe ministër i jashtëm i Spanjës, është President i EsadeGeo – Qendra për Ekonominë dhe Gjeopolitikën Globale dhe bashkëpunëtor në Institutin Brookings.

Burimi: Project Syndicate

Përktheu dhe përshtati: Konica.al