MENU
klinika

Shqipëria dhe Kosova ‘injoruan’ pandeminë

Minxhozi: Në 2021, 430 milionë euro shkëmbime mallrash

24.04.2022 - 18:41

Pavarësisht kufizimeve që solli pandemia shkëmbimet tregtare mes Shqipërisë dhe Kosovës kanë njohur një rritje të ndjeshme. Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi thotë se vëllimi tregtar mes dy vendeve është trefishuar në 5 vitet e fundit.

“Ne duhet të kemi parasysh se sa i përket Ekonomisë ne kemi shifra në rritje. Midis Shqipërisë dhe Kosovës tashmë shkëmbehen mbi 400 milionë Euro mallra. Është një shifër që na jep dëshirën për të kapërcyer disa vështirësi që ekzistojnë. Krahasuar me vitin 2016 kemi afërsisht trefish më tepër. Nga 160 milionë në 430 milionë gjatë vitit që e lamë pas”, tha Qemal Minxhozi, ambasador i Shqipërisë në Kosovë.

Lufta në Ukrainë dhe kriza që prodhojë ajo në gjithë botën sipas Minxhozit e bëri edhe më të domosdoshme nevojën e bashkëpunimeve rajonale siç është edhe nisma e Ballkanit të Hapur.

“Ne duhet të jemi koshient që një situatë e re e krijuar në Ukrainë patjetër që si edhe një situatë e re e krijuar në Ballkanin Perëndimor ku jetojmë prandaj është shumë me rëndësi të rrisim shkallën e bashkëpunimit sepse çdo situatë të re duhet të përdorim edhe resurse të reja”.

Minxhozi bëri të ditur se një hap pozitiv në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kosovës është nisja e zbatimit të të tre marrëveshjeve të miratuara në mbledhjen e përbashkët të qeverive në Elbasan dhe që kanë të bëjnë lehtësirat e lëvizjes së qytetarëve dhe njohjes së kontributeve shoqërore.