Në meshën e madhe të së shtunës së Pashkëve, Papa Françesku dënoi mizorinë e luftës në Ukrainë.
Papa u ul në pjesën e përparme të Bazilikës së Shën Pjetrit, ku u shfaq vigjilent, duke folur edhe për luftën në Ukrainë, që ati i shenjtë e quajti si “errësirën e luftës, të mizorisë”.
“Të gjithë, lutemi për ju dhe me ju. Lutemi sepse ka kaq shumë vuajtje. Ne mund t’ju ofrojmë vetëm shoqërinë tonë, lutjet tona dhe t’ju themi: guxim, jemi me ju!” – ishte mesazhi i Papës.
Mesazhi i tij për paqen, u mbyll me “Krishti u ngjall”, në gjuhën ukrainase.
Ukraina u “sprovua shumë nga dhuna dhe shkatërrimi i luftës mizore dhe të pakuptimtë në të cilën u detyrua që të merrte pjesë”, – shtoi ai, në meshën e tij të parë të Pashkëve, që u mbajt fizikisht për herë të parë, pas pandemisë, prej vitit 2019.
Papa mori pjesë gjatë meshës, por nuk shërbeu, për shkak të dhimbjeve të vazhdueshme në këmbë, që e kanë detyruar të kufizojë disa aktivitete.