Gjatë fjalës javore në auditorin e Vatikanit, Papa ngriti flamurin e Ukrainës, që ia kishin dërguar nga Bucha, për të shprehur se lajmet e fundit në vend të shpresës, sollën mizori të tjera.
“Lajmet e fundit nga lufta në Ukrainë, në vend që të sjellin lehtësim dhe shpresë, sollën mizori të reja, siç ishte masakranë Bucha.
Mizoria është gjithnjë e më e tmerrshme, madje edhe kundër civilëve, grave dhe fëmijëve të pambrojtur.
Ata janë viktima, gjaku i pafajshëm i të cilëve, thërret deri në qiell dhe lutet: “Ndaleni këtë luftë! Le të heshtin armët! Ndalni së mbjelli vdekje dhe shkatërrimin”.
Ditën e djeshme, këtë flamur ma sollën pikërisht nga Bucha. Vjen nga lufta, bash nga ai qytet martir”, – tha Papa Françesku.
Papa, më pas shpërndau vezët e Pashkëve prej çokollate, fëmijëve që ishin larguar nga Ukraina, duke thënë: “Këta vogëlushë, duhej të iknin për të mbërritur në një vend të sigurt. Ky është fryt i luftës. Le të mos i harrojmë ata, as popullin ukrainas”, – shtoi Papa.
Ndërkohë, kujtojmë se Rusia ka mohuar vazhdimisht masakrën në Bucha, duke i përshkruar pamjet e rënda, si “provokim të inskenuar”.