MENU
klinika

Kurti flet për mediat greke

Pse nuk do të bashkohen Shqipëria dhe Kosova?

12.04.2022 - 10:25

Kryeministri Albin Kurti në një intervistë të dhënë për mediat greke, është shprehur se Kushtetuta nuk e lejon bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Ai teksa ka folur në lidhje me zhvillimet e fundit politike në Kosovë, është shprehur se dëshiron lidhje të ngushta me Shqipërinë, por jo në dëm të pakicave dhe se ai nuk është kryeministër vetëm i shqiptarëve. Kurti, në intervistën e tij ka thënë se Asocioacioni i Komunave Serbe shkel “frymën dhe tekstin e Kushtetutës” dhe se kjo është diçka që ai dhe opozita e kundërshtojnë. Ai u shpreh se këtë e kundërshtoi edhe si opozitë. Kurti se tha se gjatë seancave parlamentare hodhi gaz lotsjellës jo se ishte radikal, por se disa gjëra i impononte marrëveshja e Brukselit.

“Kosova do të bëhej një Bosnjë e re, një shtet jofunksional. Pasi Gjykata Kushtetuese na shpalli të pafajshëm, ajo konstatoi se i Asociacioni i komunave me shumicë serbe shkel frymën dhe tekstin e kushtetutës. Nuk ka incidente mes shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë, në Serbi është çështje tjetër”, ka thënë Kurti.

Ai tha se kur Serbia sulmon Kosovën, reagohet si popull shqiptar dhe i bashkuar.

“Unë nuk jam vetëm kryeministri i shqiptarëve, jam kryeministri i të gjithëve. Kushtetuta jonë nuk lejon bashkimin me vendet e tjera dhe është e vështirë të ndryshohet. Kosova dhe Shqipëria janë një popull në dy shtete, nuk duhet të harrojmë se kufiri mes nesh është vendosur nga Serbia dhe Jugosllavia. Kur Serbia sulmon Kosovën, ne reagojmë si popull shqiptar”, është shprehur kryeministri i Kosovës.