MENU
klinika

Editoriali i The Guardian

Putini është i zhgënjyer! Kjo e bën edhe më të rrezikshëm…

29.04.2022 - 08:27

Pasojat e rënda po shtohen në konfrontimin që pushtimi brutal i Ukrainës nga Vladimir Putin ka provokuar me perëndimin.

Kompania shtetërore ruse e energjisë Gazprom ndërpreu furnizimin me gaz dy vendeve anëtare të BE-së – Polonisë dhe Bullgarisë – të mërkurën dhe paralajmëroi se më shumë vende mund të jenë në shënjestër të ngjashme.

Polonia, me të drejtë, e përshkroi këtë si një “sulm të drejtpërdrejtë”. Moska po flet gjithashtu për një “përgjigjeje proporcionale” ndaj demonizimit të Rusisë nga qeveritë perëndimore. Të martën, ministri i jashtëm i Putinit, Sergei Lavrov, akuzoi NATO-n për “angazhim në një luftë me Rusinë përmes një përfaqësuesi”. Rreziku i përshkallëzimit bërthamor, tha ai, po bëhej “i konsiderueshëm”.

Lufta ekonomike dhe kërcënimet apokaliptike mund të konceptohen si shenja të zhgënjimit të Rusisë në mënyrën se si kanë rrjedhur ngjarjet që nga shkurti.

Shkalla dhe vlera praktike e solidaritetit perëndimor me Ukrainën – në formën e sanksioneve, ndihmës financiare dhe ndihmës ushtarake – kanë ardhur si një surprizë e pakëndshme për Kremlinin.

Dështimi poshtërues i planit fillestar të Putinit për të marrë Kievin dhe për të rrëzuar qeverinë ukrainase ishte për shkak të guximit dhe aftësisë së atyre që luftuan për të mbrojtur vendin e tyre.

Por ndihma e jashtme ushtarake ishte thelbësore për t’u dhënë forcave të armatosura të vendit mjete të mjaftueshme për të rezistuar.

Teksa fokusi i fushatës së Kremlinit zhvendoset në rajonin lindor të Donbasit dhe në Ukrainën jugore, kjo mbështetje po vazhdon dhe po përshtatet me rrethanat e mundshme të një faze më të keqe të luftës.

SHBA-ja ka njoftuar një paketë 600 milion £ ndihme ushtarake dhe financiare që do të përfshijë armë më të avancuara perëndimore, si dhe tanke dhe artileri të prodhimit sovjetik. Britania ka treguar se mund të dërgojë obus dhe sisteme kundërajrore. Pavarësisht një hezitimi të mëparshëm për të dërguar armatim të rëndë, kancelari Olaf Scholz ka miratuar tani dërgimin e tankeve gjermane në Ukrainë, megjithëse është e paqartë se sa shpejt ato do të jenë të përdorshme.

Të ndihmosh Ukrainën të mbrohet është gjëja e duhur për t’u bërë.

Por premtimet fillestare të Scholz ia vlen të kujtohen.

Në një intervistë me Der Spiegel, ai argumentoi se “gjithçka duhet bërë për të shmangur një konfrontim të drejtpërdrejtë ushtarak midis NATO-s dhe një superfuqie shumë të armatosur si Rusia”.

Deri më tani, perëndimi ka arritur të balancojë kujdesin dhe ndihmën. Por ka disa shenja, të paktën retorikisht, të përshkallëzimit të panevojshëm.

Në një konferencë për shtyp në fillim të kësaj jave, sekretari i mbrojtjes i SHBA-së, Lloyd Austin, u duk se tregoi objektivat e Uashingtonit përtej mbrojtjes së Ukrainës për të dobësuar kapacitetin e Rusisë për agresion në të ardhmen dhe forcimin e NATO-s. Kjo do të ishte më mirë të mos thuhej.

Kërcënimet bërthamore të Rusisë janë një shenjë e dëshpërimit të Kremlinit, por ato gjithashtu ilustrojnë rrezikun e lartë në konfliktin më serioz në tokën evropiane që nga Lufta e Dytë Botërore.

Burimi: The Guardian

Përktheu dhe përshtati: Konica.al