Rusia ka njoftuar se ka testuar raketën balistike ndërkontinentale “Sarmat”, shtesë e re në arsenalin e saj bërthamor, për të cilën presidenti Vladimir Putin, tha se do t’i bëjë “armiqtë e Moskës të mendojnë mirë”.
Në televizionet ruse është transmetuar një video ku tregohet se si ushtria ruse e lëshoi raketën nga Plesetsku, në veriperëndim të vendit dhe se ajo “goditi objektivin në gadishullin Kamchatka në lindje të largët.
Putin e përshkroi lëshimin si të suksesshëm dhe e vlerësoi raketën e re. “Ajo ka karakteristikat më të larta taktike dhe teknike dhe është në gjendje të kapërcejë të gjitha mjetet moderne të mbrojtjes raketore. Nuk ka të ngjashme në botë dhe nuk do të ketë për një kohë të gjatë,” tha Putin, raportojnë mediat ndërkombëtare.
“Këto armë vërtet unike do të forcojnë potencialin luftarak të forcave tona të armatosura, do të garantojnë siguri për Rusinë nga kërcënimet e jashtme”
Raketa ka evoluar prej vitesh dhe lëshimi i saj provë nuk është befasi për Perëndimin, por ajo ndodhi në një kohë tensioni ekstrem gjeopolitik për shkak të luftës ruse në Ukrainë.