MENU
klinika

Zgjedhja e Presidentit të ri

Topi: Kreu i ri i shtetit duhet të ketë përvojë politike

27.04.2022 - 16:42

Zgjedhja e Presidentit të ri ishte temë diskutimi në studion e emisionit “Pikat mbi I” në “News 24”. Për të folur mbi këtë çështje, të ftuar ishin analisti Artur Zheji dhe ish-Presidenti, Bamir Topi.

Zheji u ndal më së shumti te vendimi i kryeministrit Edi Rama, për të mos dialoguar me ish-kryeministrin Sali Berisha mbi këtë çështje, me arsyetimin se nuk ka formuar një grup parlamentar. Zheji tha se kjo lëvizje më së shumti forcon figurën e Berishës në elektoratin e djathtë. Nga ana tjetër, ish-Presidenti Bamir

Topi, tha se Presidenti i ri duhet të jetë i “kalitur” politikisht, pasi i duhet të përballet me shumë situata domethënëse.

Zheji: Unë kam dëgjuar këto (PS) deklarata që flasin për zero negociata me zotin Berisha. Këtu do të doja të mbaja një qëndrim. Zoti Berisha mund të ketë shumë mëkate dhe gabime, por është politikan i dorës së parë, i faktit të kryer në Shqipëri. Të dialogosh me Berishën është normale, e madje është gjëja e duhur. Këto janë politikanë shqiptarë të nivelit të lartë. Është zgjedhja e tyre politike, por unë si analist s’do të isha dakord. Nuk mund të përjashtohet nga debati asnjë politikan. Berisha s’ka deklarata të natyrës fashiste, sigurisht ka një hall për të zgjidhur, por s’është i vogël. Them që të negociosh nuk do të thotë të ndash të njëjtin opinion me palën. Në militancën demokrate, kjo s’e dobëson doktorin, por e forcon atë. Qëndrimet mohuese ndaj Berishës e forcojnë figurën e Berishës te militantët.

Topi: Shpeshherë kemi folur për 2008, për ndryshimet Kushtetuese. Një nga momentet thelbësore të ndryshimeve të Kushtetutës ishte përzgjedhja e Presidentit. Në atë kohë ka qenë zoti Berisha dhe zoti Rama që kanë negociuar dhe në dijeninë time, dy ditë pas shpërthimit të Gërdecit kanë filluar takimet e “nëndheshme” mes përfaqësuesve të PS dhe PD. Ka qenë vullnet i dyanshëm për ndryshime. 2008 vulosi një situatë tjetër. Rama ka komoditetin e mundshëm për ta futur procesin kudo ai. Është një betejë që ai e fitoi ndaj Berishës. S’e fitoi në 2009 se ra pre e mundësive që pati pushteti, por e mori këtë të drejtë në 2013 dhe sot e realizon në vitin 2022. Meqenëse votohej me 80 e ca vota çdo mazhorancë e kishte detyrim të respektonte klimën institucionale. Presidenti do të ushtronte presionin dhe e kalonte vendin në zgjedhje të parakohshme. Këtë mekanizëm ata e hoqën, kanë duartrokitur në prill të 2008. Është votuar me 115 vota. Sot rruga për të zgjedhur Presidentin është komode për Ramën.

Unë jam i mendimit që ai është në skenën politike shqiptare, ka Berishën dhe shumë deputetë që janë krah tij në Parlament. Rama s’mund të mohojë asnjëlloj komunikimi që mund të bëhet në parlament. Për zgjedhjen e një Presidenti që ende s’ia kemi parë identikitin. Nuk duket klimë normale, por mesaduket deri aty e kanë çuar atë lloj institucioni, që është më i rëndësishmi. Nëse do të bësh proces normal bëj identikitin. Cili është ky? Do të jetë individ, apo nga shoqëria civile. Unë sot mund të them që duke pasur eksperiencën e atij institucioni do të ishte gafë e madhe që të mos jetë produkt politik, duhet të jetë politik. Duhet një njeri me eksperiencë të gjatë politike. I kanë lënë pak kompetenca, por për gjëra të rëndësishme fjala e fundit është i Presidentit. Merr vetëm trupin diplomatik. Pra, tjetër gjë që pushteti i kryeministrit është forcuar dhe në mënyrë psikologjike. Duke pasur një mazhorancë të qëndrueshme ku asgjë nuk ka mundësi ta rrëzojë gjatë legjislativit të radhës. Sot Shqipëria s’është de fakto republikë parlamentare, është kryeministrore.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Nga protesta e opozitës tek nisma për shkarkimin e Metës

VOA: Ky ishte një vit i hidhur për Shqipërinë