MENU
klinika

“S’ka gjë nëse të zë gjumi”

Biden i jep leje kryeministrit të ri të Australisë të flejë në Samit

24.05.2022 - 09:36

Presidenti Joe Biden i ka dhënë leje kryeministrit të ri të Australisë, Anthony Albanese që të flejë gjumë gjatë samitit Quad në Tokio.

“Nëse fle gjumë ndërkohë që je këtu, s’ka gjë është në rregull”, iu drejtua Biden duke iu referuar lodhjes së Albanese. “Nuk e di si ia keni dalë, ta bëni këtë.”

Të shtunën, Anthony Albanese fitoi zgjedhjet e përgjithshme të Australisë, duke mundur kryeministrit Scott Morrison.

Ai u betua të hënën dhe menjëherë udhëtoi drejt Japonisë për takimin me liderët e SHBA-së, Indisë dhe Japonisë.

Gjatë fushatës së Biden në vitin 2020, ish-presidenti Donald Trump i vuri atij pseudonimin “Joe i përgjumur”, duke nënvizuar moshën e tij, 79-vjeçare.

“Kryeministri Albanese, ju mirëpres në takimin tuaj të parë në Quad. Ai u betua dhe hipi direkt në një aeroplan”, tha Biden.

Ndërkohë Albanese i tha Presidentit amerikan, kryeministrit japonez Fumio Kishida dhe kryeministrit indian Narendra Modi se Quad kishte një rëndësi të madhe për qeverinë e re australiane.

“Është nder për mua që akti im i parë si kryeministër, është të marr pjesë në këtë takim të rëndësishëm të liderëve të Quad këtu në Japoni”, tha Albanese në krye të takimit.

Pas takimit në Tokio, Biden dhe Albanese do të mbajnë takimin e tyre të parë dypalësh pasditen e së martës.