MENU
klinika

Gjobë e rëndë Tiranës

“Burgoset” Partizani, dënohet edhe Olsi Rama

12.05.2022 - 10:22

Në derbin e fundit sezonal, atë të zhvilluar në “Elbasan Arena”, fundi i sfidës Partizani-Tirana u kthye në një skenë “luftë”, me tifozët e kuq që nuk e pritën mirë faktin që rivalët e tyre të përjetshëm festuan titullin pikërisht në derbi. Stola të thyer, sende në fushë, kaos total, çka solli më pas edhe arrestimin e dy tifozëve të kuq.

Komisioni i Disiplinës, nuk është mjaftuar me kaq, por ka dënuar klubin e Partizanit me 4 ndeshje pa tifozë për sjellje të gabuar të tifozëve, plus 100 mijë lek gjobë, gjithashtu janë të detyruar të dëmshpërblejnë dëmet e shkaktuara në stadium.

Me gjobë 200 mijë lekë u dënua, për sjellje të gabuar të tifozëve u dënua edhe klubi i Tiranës, gjithashtu detyrohet të dëmshpërblejnë dëmet e shkaktuar në stadium. Për përhapjen e deklaratave denigruese ndaj zyrtarit të ndeshjes me 50 mijë lekë gjobë u dënua edhe drejtori i përgjithshëm i Partizanit, Olsi Rama.

Me të njëjtën shumë dhe më të njëjtin motivacion u dënua edhe Skënder Gega, trajneri i Skënderbeut për deklaratat e tij pas ndeshjes me Dinamos ku ofendoi gjyqtarin Enea Jorgji. Gjobave për sjellje të gabuar të tifozëve nuk i shpëtoi as Vllaznia pas ndeshjes kundër Kukësit në “Loro Boriçi” ndërsa lojtari i tyre Kristi Qarri për sjellje jo sportive ndaj kundërshtarit dënohet me dy ndeshje pezullim.

VENDIMET

FK Partizani, për sjellje të gabuar të spektatorëve, hedhjen e sendeve në terrenin sportiv, dëmtimin e mjediseve sportive, pajisjeve sportive dhe duke shkaktuar ndërprerjen e përkohshme të lojës, në bazë të neneve 65/1, 65/3/a, 65/3/c, 65/3/f dhe 65/4/b të KDS, dënohet me gjobë në masën 100.000 (njëqind mijë) lekë dhe zhvillimin e 4 (katër) ndeshjeve pa spektatorë. Në zbatim të nenit 32/1/2/3 të KDS, vendoset pezullimi i pjesshëm i zbatimit të dënimit pas shlyerjes së gjysmës së tij. Periudha e pezullimit me kusht, në zbatim të nenit 32/4 të KDS, do të jetë 6 (gjashtë) muaj. FK Partizani, urdhërohet të dëmshpërblejë dëmet e shkaktuara në stadiumin “Elbasan Arena” sipas akt konstatimit, brenda 15 ditëve.

KF Tirana, për sjellje të gabuar të spektatorëve, hedhjen e sendeve në terrenin sportiv, dëmtimin e mjediseve sportive, pajisjeve sportive, në bazë të neneve 65/2, 65/3/a, 65/3/c dhe 65/3/f të KDS, dënohet me gjobë në masën 200.000 (dyqind mijë) lekë. KF Tirana, urdhërohet të dëmshpërblejë dëmet e shkaktuara në stadiumin “Elbasan Arena” sipas akt konstatimit, brenda 15 ditëve.

Zyrtari i FK Partizani, Olsi Rama, për përhapjen e deklaratave denigruese ndaj zyrtarëve të ndeshjes, pas përfundimit të ndeshjes FK Partizani – KF Tirana, në bazë të nenit 6.1/i të Rregullores së Veprimtarisë Futbollistike, nenit 17/1/b të statutit të FSHF dhe neneve 14 dhe 55 të KDS, dënohet me gjobë në masën 50.000 (pesëdhjetë mijë) lekë.

Zyrtari i KF Skënderbeu, Skënder Gega, për përhapjen e deklaratave denigruese ndaj zyrtarëve të ndeshjes, pas përfundimit të ndeshjes FK Dinamo – KF Skënderbeu, në bazë të nenit 6.1/i të Rregullores së Veprimtarisë Futbollistike, nenit 17/1/b të statutit të FSHF dhe neneve 14 dhe 55 të KDS, dënohet me gjobë në masën 50.000 (pesëdhjetë mijë) lekë.

KF Vllaznia, për sjellje të gabuar të spektatorëve, hedhjen e sendeve në terrenin sportiv, në bazë të neneve 65/1 dhe 65/3/c të KDS, dënohet me gjobë në masën 50.000 (pesëdhjetë mijë) lekë.

Lojtari i KF Vllaznia, Kristi Qarri, për sjellje josportive ndaj kundërshtarit, në bazë të nenit 47/1/d të KDS, dënohet me 2 (dy) ndeshje pezullim nga aktiviteti.

Lojtari i FK Tomori, Kadri Birja, për sjellje josportive ndaj kundërshtarit, në bazë të nenit 47/1/d të KDS, dënohet me 2 (dy) ndeshje pezullim nga aktiviteti.

Zyrtari i Luzi 2008, Arbri Lusha, për protestë ndaj vendimeve të zyrtarit të ndeshjes, me gjeste dhe fjalë ofenduese, në bazë të nenit 55/1 të KDS, dënohet me 2 (dy) ndeshje pezullim nga aktiviteti.

Lojtari i KF Ada, Dean Becina, për sjellje josportive ndaj kundërshtarit, në bazë të nenit 47/1/d të KDS, dënohet me 2 (dy) ndeshje pezullim nga aktiviteti.

Lojtari i FC Gramozi, Jordanis Dalipi, për pështymjen ndaj kundërshtarit, në bazë të nenit 47/1/f të KDS, dënohet me 8 (tetë) ndeshje pezullim nga aktiviteti.

Lojtari i FC Gramozi, Qemal Rumi, për sjellje josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes, në bazë të nenit 48/1/a të KDS, dënohet me 8 (tetë) ndeshje pezullim nga aktiviteti.

Lojtari i FC Gramozi, Edmond Osmani, për sjellje josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes, në bazë të nenit 48/1/a të KDS, dënohet me 8 (tetë) ndeshje pezullim nga aktiviteti.

Lojtari i FK Dinamo U-21, Rubin Zijaj, për sjellje josportive ndaj kundërshtarit, në bazë të nenit 47/1/d të KDS, dënohet me 2 (dy) ndeshje pezullim nga aktiviteti.

Lojtari i FK Kukësi U-21, Kristi Karaj, për sjellje josportive ndaj kundërshtarit, në bazë të nenit 47/1/d të KDS, dënohet me 2 (dy) ndeshje pezullim nga aktiviteti.

Albanet U-17, për braktisjen e ndeshjes së vlefshme për Kampionatin Kombëtar të Kategorisë së Parë U-17 – Grupi A, kundër Basania U-17, në bazë të nenit 54/1 të KDS, humbet ndeshjen në tavolinë me rezultatin 3 – 0 dhe i zbriten 3 pikë nga klasifikimi.

Zyrtari i FK Dinamo U-13, Akil Jakupi, për protestë ndaj vendimeve të zyrtarit të ndeshjes, me gjeste dhe fjalë ofenduese, në bazë të nenit 55/2 të KDS, dënohet me 2 (dy) ndeshje pezullim nga aktiviteti.

Kundër vendimit lejohet ankim brenda 3 (tre) ditëve përpara Komisionit të Apelit.