MENU
klinika

Flet motra e Fatbardha Likramës

“E kanë rrahur deri sa i ka rënë të fikët!”

05.05.2022 - 11:55

Fatbardha Likrama, nënë e tre fëmijëve, tentoi t’i shpëtojë dhunës së bashkëshortit, duke u larguar në shtëpinë e motrës, që jeton përballë pallatit të saj në lagjen “Vullnetari” në Elbasan. Por gruaja e dhunuar, që 3 ditë më parë kishte zgjedhur të mos heshtte dhe guxoi të denoncojë dhunën në polici, u mor forcërisht nga shtëpia e motrës për t’u kthyer në gjirin familjar, që ndryshe nga paqja dhe dashuria i ofronte dhunë. Nën këtë presion, e ndjerë e vetme dhe pa mbështetje, 52-vjeçarja i dha fund jetës, duke u hedhur nga kati i tretë i pallatit pasditen e 4 majit.

Sot Fatbardha përcillet në banesën e fundit në ceremoninë që e kanë marrë përsipër prindërit e saj që jetojnë po në Elbasan. Ceremonia do të presë deri në mbërritjen nga Italia të disa familjarëve të Fatbardhës. Në lagjen “Vullnetari” nuk ka asnjë shpallje për vdekjen e Fatmbardha Likramës.

Fqinjët, që më shumë siguri e dinin dhunën që përjetonte gruaja, pas vdekjes së saj, e quajnë familjen bashkëshortore të Bardhës me “zonja” e “zotërinj”, por gruaja ishte edhe nën dhunën e vazhdueshme të kunatës dhe vjehrrës së saj.

Motra e saj, Flutura Kalemaj ka treguar për mediat të gjithë kalvarin e vuajtjeve që 52-vjeçarja ka përjetuar gjatë 30 viteve martesë. Ajo tregon se dhunohej jo vetëm nga bashkëshorti, por nga e gjithë familja e tij.

“E rrihte burri, vjehrri, kunata, vjehrra. Vjehrra me vjehrrin e kapën nga flokët në një rast dhe e kishin marrë zvarrë. Në një rast tjetër burri i theu dhëmbët. Në një rast tjetër motra e burrit, kunata e kishte përplasur në tokë dhe i motrës i kishte rënë të fikët. Kishte 30 vite e martuar dhe që dhunohej. Ata e dhunonin sepse nuk e donin çame. Një vit motra ka fjetur në tokë, nuk e linte vjehrra, i thoshte burrit të saj pse e more çame. Më erdhi para disa ditësh, ishte bërë e verdhë, e kishin lënë pa ngrënë. I dhashë bukë, e mori veten. I erdhi çuni i tha hajde në shtëpi. Motra nuk donte të shkonte, i tha nuk vij. Unë isha në gjumë, ajo kishte ikur. Erdhi pas 2 orësh, kishte marrë rrobat. E kishte vendosur që do ndahej. Më thoshte o ndahem o vras veten”, thotë ajo.

Policia deklaroi se motivi i vetëvrasjes ishte “depresioni”, por motra e 52-vjeçares tregon se ajo nuk ishte në depresion.

“Ajo ishte shumë mirë e qetë, nëse do ishte me depresion, do më kishte thënë. Nuk kurohej për depresion. Por policia nuk mori masa dhe ajo bëri këtë veprim”, tha ajo.

Kujtojmë se dy ditë para se të vetëvritej, Fatbardha Likrama kishte bërë denoncim në polici dhe kërkoi urdhër-mbrojtje ndaj dhunës nga bashkëshorti Pëllumb Likrama 55-vjeçar dhe më pas u strehua tek e motra. Burimet thanë se të nesërmen (3 Maj) e kishte marrë forcërisht i biri 20-vjeçar për ta kthyer në familje. Në dëshminë e së ndjerës dhënë dy netë para ngjarjes, thuhet se kishte frikë se mund ta rrihnin sërish.

Në momentin e aktit të vetëflijimit në shtëpi nuk ka qenë asnjëri prej familjarëve dhe 52-vjeçarja, nga kati i parë ku jetonte është ngjitur në katin e tretë dhe është vetëhedhur duke gjetur vdekjen e menjëhershme.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN