MENU
klinika

"Autobusi shkon kudo..."

Një autobus i çmendur në Tiranë, bëhet çështje stili!

18.05.2022 - 20:54

       Një prej mjeteve “express” të linjës së unazës, ka pak ditë i kthyer në diskutim mbi artin(!)… Dhe në fakt, teksa shoferi mori drejtimin për drejt e në Lanë, brenda kishte pasagjerët e rastit (ata pa makinat luksoze, që bllokojnë çdo trafik), të cilët, falë Zotit ia hodhën paq./Konica.al

Më pas, nuk vonoi saga artistiko-qeveritare e të shkretit “instalacion”…

Në Shqipërinë e kthyer së prapthi në tranzicion, pas kthimit së mbari prej komunizmit, sigurisht, arti është një fjalë e harruar… Pa fonde, pa talente që mbështeten, madje hidhen në rrugë, pa frymëzim që lind prej akumulimit, edukimit, se me “demokratizim tranzit kurrikulash” ndërkohë, etj., etj… merren “liderët” edhe me këtë çështje të dorës së dytë…

Për dukurinë e “këndvështrimit artistik” të aksidentit mu në mes të Tiranës, ka reagime plot. Të shumta, sa edhe të çuditshme. Kanë folur edhe specialistë… ne kemi shumë “specialistë”. Veç shpjegimit nga ana e sociologes, më poshtë, çështja shtrohet edhe në një tjetër nivel: a kanë më ndjeshmëri prej qytetarie, banorët e Tiranës-metropol? A ka ndonjë farë dëshire mes tyre, për t’u ndier se jeton në komunitet? A e kanë idenë ata, se kanë ardhur… për të qenë së bashku dhe në paqe? Pa arrogancë! Pa sjellje të papërgjegjshme! Në fakt, në fakt… pa mungesën e tmerrshme të edukatës qytetare. Dhe para syve të kalojnë këto “episode të zakonshme” rrugëve të kryeqytetit: a do të munden vallë qytetarët, ta shohin problemin sikur e parashtron specialistja? Shkurt, a kanë ndjesi prej njeriu të civilizuar shqiptarët e sotëm, që bëjnë aksident me njëri-tjetrin edhe duke ecur më këmbë?! Pra, a ka më sensibilitet???

Entela Binjaku, sociologe, për mediet thotë se ankthi është një ndjenjë e karakterizuar nga ndryshime fizike, si: tension, nervozizëm, frikë, merak, mendimet të shqetësuara dhe presioni i lartë i gjakut. Ankthi është një reagim i natyrshëm i njeriut ndaj situatave stresuese, por kur ndodh shpesh dhe pa shkak, nënkupton një çrregullim. Këto çrregullime, më pas e ndikojnë edhe mënyrën sesi ndihemi dhe sillemi.

Shërbimet e transportit publik në vendin tonë, nuk të japin ndjesi të ndryshme nga ankthi – thotë Binjaku. Në udhëtimet e shkurta me autobus, shpjegon Binjaku, qytetari është thuajse përherë i shqetësuar, në merak apo nervoz, nuk ka sigurinë se mbërrin në kohë në destinacion, është i shqetësuar se autobusi vonon dhe nuk respekton dot as vetë oraret etj. Në shumicën e rasteve, transporti publik është vetëm zhvendosja nga pika A në B. Për parametra të tjera, vështirë të bëhet fjalë. Sidomos kjo, kur krahason shërbimin urban në Shqipëri, me atë të vendeve edhe të rajonit, a më gjerë.

Ajo vazhdon: Vetëm kur mendon që në atë autobus që pësoi incidentin, mund të kishe qenë edhe ti, fillon e zemra të rreh më shpejt, duart djersijnë, skuqesh edhe truri duket sikur pushon. Këto janë reagime për të cilat, përgjigjet sistemi nervor autonom, që punon në nivelin e subkoshiencës, pra larg kontrollit tënd. Ka raste kur përjetimet përmes mendimit shoqërohen me emocione që zgjasin muaj dhe vite. Vjen një kohë, kur ato bëhen pjesë e temperamentit, madje edhe e personalitetit. Kështu, njerëzit stepen të përdorin shërbimet urbane, hezitojnë të hipin në autobus ose edhe kur hipin në autobus i shoqëron ndjesia e frikës, disa për shembull, tremben edhe nga një frenim i shpejtë dhe mendja u shkon menjëherë në rastet që kanë parë, apo dëgjuar, të ndodhin.

Me ndodhinë në Lanë, në bulevardin “Zogu I”, apo gjetkë, u mbivendos ndjesia e pasigurisë edhe për jetën. Në ngjarjen e Lanës, pesë pasagjerë përfunduan në spital. Mendoni si e përjetuan ato këtë ngjarje, si po e përjetojnë tani dhe si do ta përjetojnë sa herë të shohin “instalacionin” ku kanë rrezikuar jetën.

A është autobusi i lënë mbi ujërat e Lanës, një burim i vazhdueshëm i ri përjetimit të asaj frike që kanë përjetuar atë natë? A është ky autobus, një kujtesë e përditshme për të gjithë të tjerët se aty mund të ishte kushdo? Po sikur të kishte pasur humbje jete, njerëzit do të donin ta shihnin aty, si kujtesë për një fatkeqësi tërësisht të pajustifikueshme?

Në vend të kësaj “gjetjeje”, – thotë Binjaku, – mendoj se ankthin do ta kishte ulur rritja e sigurisë në mjetet e blera, përforcimi i kontrolleve për drejtuesit, apo mbajtësit e lejeve të drejtimit për këto mjete, shpjegimi sa më parë, për atë që ndodhi dhe paraqitja e masave për të shmangur një përsëritje të këtyre rasteve etj.

Mendoj se këto masa, do të ishin për qytetarin, disa garanci për qetësinë. Kur këto nuk realizohen, ajo që bëhet është: “po e lëmë aty, po ia hedhim opinionit për konsum, kështu edhe e heq mendjen nga pasiguria dhe nga ajo që ndodhi”. A është kjo, mënyra për të ulur ankthin? Për një çast, ndoshta po, por për më gjatë… dyshoj – ka përfunduar, Binjaku./Konica.al

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Delegatët e parlamentit të kohës

”Tirana është kryeqyteti i Shqipërisë”