MENU
klinika

Analiza e The Washington Post

Perëndimi duhet të mendojë tanimë, për Ukrainën e pasluftës!

14.05.2022 - 08:55

Pas shumë muajsh luftimesh brutale në Evropë dhe Paqësor, Shtetet e Bashkuara mblodhën partnerët e tyre në Bretton Woods, N.H., në korrik 1944 për të planifikuar rendin global që do të pasonte Luftën e Dytë Botërore.

Aleatët e dinin se cilat institucione do t’i duheshin botës – Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Botërore dhe Kombet e Bashkuara.

Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e saj në NATO duhet të mendojnë po njësoj tani kur lufta në Ukrainë po vazhdon.

Udhëheqësit e Perëndimit mund të mos jenë në gjendje të përshkruajnë se si dhe kur do të përfundojë beteja e tmerrshme, por ata dinë se çfarë duhet: sigurin, prosperitet, ligj dhe rend, demokrac.

Dhe ata mund të fillojnë procesin e rindërtimit tani, edhe pse luftimet vazhdojnë ende.

Bota do të festojë një fitore përfundimtare të Ukrainës dhe dëbimin e pushtuesit të fundit rus. Por kjo mund të jetë vite, madje edhe dekada larg.

Ne nuk do të shohim së shpejti një traktat paqeje të nënshkruar në luftanijen Misuri.

Për një kohë të gjatë, Ukraina ka të ngjarë të jetë një vend pjesërisht i ndarë, me trupa ruse kudo.

Ky ngërç dhe ndarje do të ishte mizore. Por, siç planifikojnë ukrainasit për vitet e ardhshme, ata duhet të marrin parasysh shembujt e Koresë së Jugut dhe Gjermanisë Perëndimore – të cilat u bënë demokraci jashtëzakonisht të suksesshme nën hijen e luftërave të papërfunduara dhe kundërshtarëve despotikë.

Durimi strategjik do të jetë një armë, së bashku me sfidën e ashpër të Ukrainës.

Perëndimi duhet të bëjë të qartë se do të refuzojë çdo njohje formale të sovranitetit rus në territorin që ka kapur – ashtu si Shtetet e Bashkuara për breza të tërë refuzuan të njohin kontrollin sovjetik të shteteve baltike.

Tani për tani, qëllimi për Ukrainën dhe aleatët e saj të NATO-s duhet të jetë që të frenojnë ofensivën ruse brenda Ukrainës juglindore, të zmbrapsin forcat e Putinit aty ku është e mundur dhe ta bëjnë këtë luftë shumë të dhimbshme që Rusia të vazhdojë pafundësisht.

Raportet e fundit të inteligjencës amerikane sugjerojnë se ky është një qëllim i arritshëm, por që mbart rreziqe si për Ukrainën ashtu edhe për aleatët e saj.

Avril Haines, drejtori i inteligjencës kombëtare, bëri një përmbledhje të qartë të vlerësimeve aktuale të SHBA gjatë dëshmisë në Senat të martën.”Putini ende dëshiron të dominojë Kievin dhe të kontrollojë të gjithë bregun e Detit të Zi të Ukrainës. Por atij i mungon fuqia ushtarake konvencionale për të arritur këto synime. Kjo “mospërputhje” midis ambicieve dhe aftësive të tij mund të sjellë një trajektore më të paparashikueshme dhe potencialisht shkallëzuese”, tha ajo.

Finlanda aplikoi të enjten për t’u anëtarësuar në NATO dhe ka të ngjarë të pasohet nga Suedia. Ministria e Jashtme ruse kërcënoi “hapa hakmarrëse” kundër këtij zgjerimi të NATO-s dhe ish-presidenti Dmitry Medvedev paralajmëroi se shtrëngimi ushtarak mbi Rusinë mund të sillte një “rrezik për t’u kthyer në një luftë të plotë bërthamore”.

“Ne besojmë se Moska vazhdon të përdorë retorikën bërthamore për të penguar Shtetet e Bashkuara dhe Perëndimin nga rritja e ndihmës vdekjeprurëse për Ukrainën,” tha Haines.

Britania po i ofron Finlandës dhe Suedisë mbrojtje në rrugën drejt anëtarësimit në NATO, dhe kur e pyeta Sekretarin Britanik të Mbrojtjes Ben Wallace të enjten nëse kjo do të thoshte një “ombrellë bërthamore”, ai nuk tha jo.

Rindërtimi duhet të fillojë tani në Ukrainë, edhe pse lufta vazhdon.

Presidenti Volodymyr Zelensky ka publikuar një listë në internet për rindërtim, United24. Vendet perëndimore duhet të fillojnë të zotohen për të përmbushur këto kërkesa.

Fatura për këtë luftë do të jetë e madhe.

Një zyrtar ukrainas më tha të mërkurën se kostoja eventuale do të kalojë 500 miliardë dollarë, sipas vlerësimeve nga Shkolla e Ekonomisë e Kievit. Agjencia Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar dhe agjenci të tjera globale tashmë po mbledhin miliarda ndihma humanitare dhe ndihma të tjera.

Ky proces rindërtimi përfundimisht duhet të përfshijë edhe Rusinë, sado paradoksale që mund të tingëllojë. Nuk do të ndodhë së shpejti.

Alexander Gabuev, një analist në Qendrën Carnegie në Moskë, i cili kohët e fundit u largua nga Rusia, më tha të enjten se shumica e Rusisë mbështet luftën e Vladimir Putin. Rusia fatkeqësisht po shkon në rrugën e Iranit, duke u bërë një komb i izoluar dhe i sanksionuar.

Por nuk do të qëndrojë kështu përgjithmonë.

George Robertson, një ish-sekretar i përgjithshëm i NATO-s, duke kujtuar izolimin e gjatë të Rusisë në Luftën e Ftohtë, vërejti: “Asgjë e mirë nuk erdhi nga ai konfrontim mes nesh dhe pjesës tjetër të botës. Sigurisht që ne nuk fituam.” Sa te drejtë kishte.

Edhe pse lufta vazhdon në Ukrainë, shpresoj se Presidenti Biden do të vazhdojë të përsërisë mesazhin: “Populli rus nuk është armiku ynë”.

Shtetet e Bashkuara duhet të vazhdojnë të ndriçojnë rrugën e kthimit.

Një ditë, një Rusi e rraskapitur, e traumatizuar do të hyjë brenda nga i ftohti.

Burimi: The Washington Post

Përktheu dhe përshtati: Konica.al