MENU
klinika

Analiza e Project Syndicate

Perëndimi po e mbivlerëson Ukrainën!

13.05.2022 - 08:30

Luftërat shpesh shpërthejnë dhe vazhdojnë për shkak të llogaritjeve të gabuara të të dy palëve në lidhje me fuqinë e tyre relative.

Në rastin e Ukrainës, Rusia gaboi keq duke nënvlerësuar vendosmërinë e ukrainasve për të luftuar dhe efektivitetin e armatimit të furnizuar nga NATO. Megjithatë, Ukraina dhe NATO po mbivlerësojnë gjithashtu kapacitetin e tyre për të mposhtur Rusinë në fushën e betejës.

Rezultati është një luftë rrënimi që secila palë beson se do ta fitojë, por që të dyja palët do ta humbin.

Ukraina duhet të intensifikojë kërkimin për një paqe të negociuar të llojit që ishte në tryezë në fund të marsit, por që më pas e braktisi pas dëshmive të mizorive ruse në Bucha – dhe ndoshta për shkak të ndryshimit të perceptimeve për perspektivat e saj ushtarake.

Kushtet e paqes në diskutim në fund të marsit kërkuan neutralitetin e Ukrainës, të mbështetur nga garancitë e sigurisë dhe një afat kohor për të adresuar çështjet e diskutueshme si statusi i Krimesë dhe Donbasit.

Negociatorët rusë dhe ukrainas deklaruan se ka pasur progres në negociata, ashtu si edhe ndërmjetësit turq. Negociatat më pas dështuan pas raporteve nga Bucha, me negociatorin e Ukrainës që deklaroi se, “Shoqëria ukrainase tani është shumë më negative për çdo koncept negocimi që ka të bëjë me Federatën Ruse”.

Por çështja për negociata mbetet urgjente. Alternativa nuk është fitorja e Ukrainës, por një luftë shkatërruese. Për të arritur një marrëveshje, të dyja palët duhet të rikalibrojnë pritshmëritë e tyre.

A Russia army’s military engineer in an explosive suit. Russia has deployed at least 100,000 troops along Ukraine border amid mounting tension in the Eastern Europe. (Photo by EyePress News / EyePress via AFP)

Kur Rusia sulmoi Ukrainën, ajo priste qartë një fitore të shpejtë dhe të lehtë. Rusia e nënvlerësoi shumë përmirësimin e ushtrisë së Ukrainës pas viteve të mbështetjes dhe stërvitjes ushtarake të SHBA-së, Britanisë dhe të tjera që nga viti 2014. Për më tepër, Rusia nënvlerësoi shkallën në të cilën teknologjia ushtarake e NATO-s do të kundërshtonte numrin e trupave të Rusisë.

Pa dyshim, gabimi më i madh i Rusisë ishte të supozonte se ukrainasit nuk do të luftonin – ose ndoshta edhe të ndërronin anën.

Megjithatë, tani Ukraina dhe mbështetësit e saj perëndimorë po mbivlerësojnë shanset për të mposhtur Rusinë në fushën e betejës. Rusia ka kapacitetin ushtarak për të shkatërruar infrastrukturën ukrainase (të tilla si linjat hekurudhore) dhe për të marrë dhe mbajtur territorin në rajonin e Donbasit dhe në bregun e Detit të Zi.

Ukrainasit po luftojnë me vendosmëri, por ka shumë pak gjasa që ata të mund të shkaktojnë një humbje ruse.

As sanksionet financiare perëndimore, të cilat janë shumë më pak gjithëpërfshirëse dhe efektive se sa qeveritë që i vendosën nuk mund ta pranojnë.

Sanksionet e SHBA-së kundër Venezuelës, Iranit, Koresë së Veriut dhe të tjerëve nuk e kanë ndryshuar politikën e atyre regjimeve, dhe sanksionet kundër Rusisë tashmë janë shumë larg zhurmës me të cilën u prezantuan.

Përjashtimi i bankave ruse nga sistemi i pagesave ndërkombëtare SWIFT nuk ishte “opsioni bërthamor” që pretendonin shumë. Sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar, ekonomia e Rusisë do të tkurret me rreth 8.5% në vitin 2022 – e  rëndë, por jo katastrofike.

Për më tepër, sanksionet po krijojnë pasoja të rënda ekonomike për Shtetet e Bashkuara dhe veçanërisht Evropën.

Inflacioni në SHBA është në nivelin më të lartë të 40 viteve dhe ka të ngjarë të vazhdojë për shkak të triliona dollarëve të likuiditetit që ishte krijuar nga Rezerva Federale vitet e fundit. Në të njëjtën kohë, ekonomitë amerikane dhe evropiane po ngadalësohen, ndoshta edhe po tkurren.

Pozicioni politik i brendshëm i presidentit amerikan Joe Biden është i dobët dhe ka të ngjarë të dobësohet më tej, teksa vështirësitë ekonomike rriten në muajt e ardhshëm. Mbështetja publike për luftën gjithashtu ka të ngjarë të zvogëlohet ndërsa ekonomia do të përkeqësohet.

Partia Republikane është e ndarë për shkak të luftës, me fraksionin e Trumpit që nuk është shumë i interesuar të përballet me Rusinë për Ukrainën. Demokratët, gjithashtu, do të inatosen gjithnjë e më shumë për stagflacionin që ka të ngjarë t’i kushtojë partisë shumicën e saj në një ose të dyja dhomat e Kongresit në zgjedhjet afatmesme të nëntorit.

Pasojat e pafavorshme ekonomike nga regjimi i luftës dhe sanksioneve do të arrijnë gjithashtu përmasa të tmerrshme në dhjetëra vende në zhvillim që varen nga importet e ushqimit dhe energjisë.

Rënia ekonomike në këto vende do të çojnë në thirrje urgjente në mbarë botën për t’i dhënë fund regjimit të luftës dhe sanksioneve.

Ndërkohë, Ukraina vazhdon të vuajë për sa i përket vdekjeve, zhvendosjes dhe shkatërrimit. FMN tani parashikon një tkurrje prej 35% të ekonomisë së Ukrainës në vitin 2022, duke reflektuar shkatërrimin brutal të banesave, fabrikave, stokut hekurudhor, kapacitetit të ruajtjes dhe infrastrukturës tjetër jetike.

Më e rrezikshmja nga të gjitha, për sa kohë që lufta vazhdon, rreziku i përshkallëzimit bërthamor është real.

Nëse forcat konvencionale të Rusisë do të shkonin në të vërtetë drejt humbjes, siç po kërkon tani SHBA-ja, Rusia mund të kundërshtojë me armë bërthamore.

Një avion amerikan ose rus mund të rrëzohet nga pala tjetër mbi Detin e Zi, gjë që mund të çojë në konflikt të drejtpërdrejtë ushtarak. Raportet e mediave se SHBA ka forca të fshehta në terren dhe zbulimi i komunitetit të inteligjencës amerikane se e ndihmoi Ukrainën të vriste gjeneralët rusë dhe të fundoste anijen e Rusisë në Detin e Zi, tregojnë qartë rrezikun.

Realiteti i kërcënimit bërthamor do të thotë që të dyja palët nuk duhet të heqin dorë kurrë nga mundësia e negociatave.

Ky është mësimi qendror i krizës së raketave Kubane, e cila ndodhi 60 vjet më parë. Presidenti John F. Kennedy e shpëtoi botën atëherë duke negociuar për t’i dhënë fund krizës – duke rënë dakord që SHBA nuk do të pushtonte më Kubën dhe se SHBA do të largonte raketat e saj nga Turqia në këmbim të tërheqjes së raketave sovjetike nga Kuba.

Është ende e mundur arritja e paqes në Ukrainë bazuar në parametrat që ishin në tryezë në fund të marsit: neutraliteti, garancitë e sigurisë, një zgjidhje për Krimenë dhe Donbasin dhe tërheqja ruse.

Ky mbetet i vetmi drejtim real dhe i sigurt për Ukrainën, Rusinë dhe botën.

Bota do të bashkohej për një marrëveshje të tillë, dhe, për mbijetesën dhe mirëqenien e saj, kështu duhet të bëjë edhe Ukraina.

Jeffrey D. Sachs është Profesor i Zhvillimit, Profesor i Politikës dhe Menaxhimit Shëndetësor dhe Drejtor i Institutit të Tokës në Universitetin e Kolumbisë. Ai është gjithashtu Këshilltar Special i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara.

Burimi: Project Syndicate

Përktheu dhe përshtati: Konica.al