MENU
klinika

Arsyet

Pse pas të 20-ve na dobësohen apo bien flokët?

28.05.2022 - 08:02

Kur mbërrin tek të 20-at e imagjinon jetën një festë të përditshme, ama, harron edhe një element të rëndësishëm: dobësimin apo rënien e flokëve. Rreth 50% e vajzave e përjetojnë një problem të tillë dhe ka disa arsye pse ndodh ky fenomen.

Sipas Dominic Burg (studiues dhe specialist në Shkencat Biologjike të universitetit të Southampton), rënia e flokëve në këtë periudhë është mëse normale. Flokët tona kalojnë në plot katër cikle, të cilat përfshijnë: rritjen, qëndrimin në kokë, rënien dhe rigjenerimin. Pra, nëse po të bien flokët, je në fazën e tretë dhe mos u shqetëso fare se do rriten shumë shpejt.

Disa nga arsyet kryesore pse na dobësohen apo bien flokët janë:
Dietat ekstreme
Rëndësia e një diete të balancuar ndihet kudo, sidomos te flokët e tu. Nëse nuk po konsumon ushqime me shumë proteina, hekur, apo vitamina do të përballesh patjetër me rënien e flokëve.

Stresi
E dimë ç’po mendon! Stresi është një faktor negativ që e gjen kudo. Nëse po e vret mendjen se nuk ke kthyer një e-mail apo se djali/ vajza që ke qejf nuk të ka bërë reply në Instagram, nuk po i bën asnjë nder flokëve të tu. Stresi, kronik apo jo, ngadalëson ciklin e flokëve, sepse truri yt prodhon kortizol, një hormon që i shtyn flokët të “ngecin” në fazën e qetësisë dhe të mos rriten apo rigjenerohen.

Ndryshimet hormonale
Ja ku jemi sërish, me hormonet që kanë gisht kudo, edhe në ciklin e flokëve. Nëse hasesh me ndryshime hormonale, flokët e tu gjithashtu do të ndikohen dukshëm. Shtatzania apo marrja e kontraceptivëve kanë një impakt shumë të rëndësishëm në dobësimin dhe rënien e flokëve.

Gjenetika
Faleminderit e dashur familje! Një tjetër “trashëgimi” që nuk e dua. Nëse mami, babi, tezja, halla, gjyshja, etj, kanë vuajtur nga rënia e flokëve, ekziston një probabilitet i lartë që edhe ti të jesh “pre” e këtij problemi.

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN