MENU
klinika

Sërish në vëmendje...

Rikthimi i bazës së Pashalimanit në optikën strategjike të NATO-s

30.05.2022 - 13:05

Shqipëria i ka ofruar NATO-s bazën e saj detare të epokës sovjetike të Pashalimanit.

Kjo, në një përpjekje për të theksuar rëndësinë e saj në aleancë mes luftës së vazhdueshme në Ukrainë.

“Në këto kohë të rrezikshme besoj se gjenerali (Tod Daniel Wolters – AP) mund të mendojë të ketë një bazë detare të NATO-s në Shqipëri”, u shpreh kryeministri shqiptar Edi Rama.

Baza detare e Pashalimanit, e vendosur 180 kilometra në jug të kryeqytetit, mund të jetë “një vlerë e shtuar” për aleancën, shtoi kreu i qeverisë shqiptare.

Objekti, i vendosur në Gjirin e Vlorës, u ndërtua në vitet ’50 për Marinën Sovjetike.

Ata kishin vendosur atje 12 nëndetëse sulmi me naftë për të shtrirë praninë ushtarake sovjetike në Mesdheun Lindor.

Megjithatë, marrëveshja nuk zgjati shumë pasi ish-diktatori i Shqipërisë, Enver Hoxha i ndërpreu lidhjet me Moskën në vitin 1961.

Në vitin 1998, Shqipëria dhe Turqia nënshkruan një marrëveshje për rindërtimin e bazës ushtarake detare në Pashaliman dhe Akademisë Detare në Vlorë.

Rreth 10 miliardë dollarë u shpenzuan për këtë projekt që përfshinte 250 inxhinierë ushtarakë turq.

Aktualisht, baza detare përdoret nga marina turke dhe aleatët e tjerë të NATO-s për disa anije ushtarake që patrullojnë detet Jon dhe Adriatik.

Gjatë Luftës së Ftohtë, Pashalimani ishte e vetmja bazë detare e cila i jepte Moskës akses në Mesdheun Lindor.

Rikthimi i vëmendjes

Deklarata e kryeministrit shqiptar nuk përbënte lajm, por përforconte dhe rikthente vëmendjen në një studim të dy viteve më parë.

Në vitin 2020 NATO konfirmoi për të parën herë mundësinë për investime edhe në bazën detare të Pashalimanit.

Ministrja – asokohe – e Mbrojtjes, Olta Xhaçka do të dorëzonte planin e qeverisë shqiptare për modernizimin e kësaj baze.

Aleanca e Atlantikut të Veriut deklaronte se kishte nisur punën në bashkëpunim me autoritet ushtarake shqiptare.

Kjo, për të përcaktuar mënyrën më të mirë se si kjo bazë mund të mbështesë kërkesat operacionale detare të Aleancës.

“Autoritetet ushtarake të NATO-s janë duke punuar ngushtë me autoritetet ushtarake shqiptare për të përcaktuar mënyrën më të mirë se si baza detare e Pashalimanit mund të mbështesë kërkesat operacionale detare të NATO-s”, theksonte një zëdhënës i NATO-s për Agjencinë Telegrafike Shqiptare.

NATO mirëpriste në atë periudhë mbështetjen e Shqipërisë ndaj planeve dhe sigurisë detare të NATO-s.

Kjo, nëpërmjet dhënies së aftësive detare të saj për misionet dhe aktivitetet e drejtuara prej Aleancës.

Për NATO-n, ky projekt pasqyronte pikërisht solidaritetin, kohezionin dhe unitetin brenda organizatës.

Xhaçka njësoj si Rama do t’i adresohej përmes një letre komandantit të Komandës Supreme për Evropën, gjeneralit amerikan Tod D.Wolters.

NATO

Gjatë vitit 2021, tetë aleatë përmbushën udhëzimin për të shpenzuar 2 për qind të PBB-së së tyre për mbrojtje, nga vetëm tre aleatë në vitin 2014.

Shtetet e Bashkuara përbënin 51 për qind të PBB-së së kombinuar të Aleatëve dhe 69 për qind të shpenzimeve të kombinuara të mbrojtjes.

Shpenzimet totale ushtarake të NATO-s në vitin 2021 vlerësoheshin të kalonin 1 trilion dollarë.

Shqipëria ka shpenzuar 1.41 për qind të PBB-së së saj për shpenzimet e mbrojtjes në vitin 2021.

Kjo, duke regjistruar një rritje të lehtë në krahasim me vitin 2014.

Autoritetet shqiptare kanë shpenzuar më shumë se Danimarka, Kanadaja, Sllovenia, Belgjika apo Spanja gjatë vitit të kaluar.

Ndërsa sa i takon investimeve për pajisje si pjesë e shpenzimeve të mbrojtjes Shqipëria renditet e fundit.

Ajo ka shpenzuar vetëm 14.9 për qind duke ulur ritmin e investimeve nga viti 2014 kur performonte më mirë se shumë vende aleate.

Duke pasur parasysh vendndodhjen strategjike të Shqipërisë dhe paqëndrueshmërinë në rritje në Ballkan në mes të krizës në Ukrainë, oferta e bazës detare të Pashalimanit për NATO-n mund të rrisë rëndësinë e Tiranës në aleancë.(Albaniapost)