MENU
klinika

Hamilton nuk pret mrekulli

Verstappen: Do të jetë garë e çmendur në Miami

05.05.2022 - 17:21

Këtë fundjavë, botërori i Formula 1 do të spostohet në Miami, një pistë qytetase që rikthehet pas 40 vitesh në kampionat. Një garë që parashikohet spektakolare. I këtij mendimi është kampioni i botës Max Verstappen, që pas triumfit në Imola 10 ditë më parë synon të fitojë edhe në pistën amerikane.

“Mendoj se kjo fundjavë do të jetë e çmendur. Mezi pres të garoj në këtë pistë, pas provave që kam bërë në simulator. Këtu mund të parakalosh kollaj. Miami është një qytet fantastik dhe të garosh këtu është vërtet emocionuese. Të gjithë pilotët janë entuziastë nga kjo garë, madje edhe fansat që kanë vite që presin.

Këto ditë do të shohim nga afër pistën, do ta inspektojmë për të kuptuar pikat e forta e të dobëta dhe të jemi gati për garën. Nuk e di se si do të paraqitemi, pasi të shohim se si do të adaptohet makina. Është një pistë e shpejtë dhe besoj se do të dalim mirë, pasi kjo është një makinë fituese”, tha Verstappen, piloti i Red Bull.

Ndërsa Lewis Hamilton synon të bëjë një paraqitje të mirë. Piloti britanik i Mercedes i njeh mirë limitet e njëvendëshes së tij, që këtë sezon ka zhgënjyer, duke mos qenë në nivelin e Ferrarit apo Red Bull. Makina gjermane do të sjellë disa modifikime për këtë garë të shpejtë.

“Gara e Miamit do të jetë një event të madh për Formula 1 dhe shoh se interesimi është shumë i madh. Është hera e parë që do të garojmë këtu dhe shpresojmë të bëjmë një paraqitje të mirë. Natyrisht që makina Mercedes nuk është ende në atë nivel që presin të gjithë, por gjërat mund të ndryshojnë.

Punojmë për të patur një makinë të shpejtë nga gara në garë dhe mendoj se në këtë pistë do të kemi disa modifikime, që do të na ndihmojnë për të ngushtuar diferencat me rivalët. Është një pistë me disa pjesë të shpejta, ndaj kjo do të na penelizojë disi, por mund të duelojmë për një renditje të mirë. Të shohim se si do të shkojnë provat të premten”, tha Hamilton.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN