MENU
klinika

Ju këshillojmë...

A i duhet thënë gjithçka, një psikoterapisti?

17.06.2022 - 11:07

Rrjetet sociale kanë bërë që gjithnjë e më shumë njerëz të njihen me procesin e terapisë. Madje, tashmë, terapitë mund të ndiqen edhe online.

Ju mund të keni dëgjuar për “trauma dumping”, që është në thelb, shpërndarja e padëshiruar e informacionit të dhimbshëm. Nisur nga kjo, është e drejtë të kemi pyetje si:

– A duhet ta censuroj veten në terapi?
– A po i jap terapistit tim shumë informacion menjëherë?
– A duhet të fsheh traumat e mia të së kaluarës për t’ia bërë më të lehtë terapistin tim?
– A e lëndoj terapistin duke i treguar për të kaluarën time?

Kur dikush bën “trauma dumping”, zakonisht e bën në një moment të pavend apo në një situatë të papërshtatshme. Për shembull, nëse një i huaj ju tregon historinë e jetës së tij në një aeroport pa pranuar që ju ta dëgjoni atë, kjo është “trauma dumping”.

Ndërkohë, në terapi, ju jeni në një hapësirë të krijuar posaçërisht për të diskutuar tema sfiduese. Terapisti ju ka dhënë leje për të folur për gjëra të vështira, ndërkohë që ai monitoron ndryshimet në emocione në mënyrë që të dinë se cilat tema janë më të lehta ose më të vështira për t’u shtjelluar.

Pra, terapia është vendi i përsosur për të diskutuar tema me përmbajtje shumë emocionale.

Është normale të shqetësoheni se si terapisti juaj mund të reagojë ndaj dëgjimit të informacionit të caktuar. Por mbani mend: Ai ka hyrë aty pikërisht me atë qëllim, për të dëgjuar historinë, mendimet, ndjenjat, frikën dhe sfidat tuaja. Një terapist i besuar do të dëgjojë, por gjithashtu do të ndihmojë në udhëheqjen e bisedës në një mënyrë që është e dobishme.

Terapisti juaj është gjithashtu i trajnuar për të njohur kufijtë personalë.

Në fund të fundit, psikoterapisti do të monitorojë temat në seancë dhe do të përcaktojë se çfarë është “shumë”. Ju mund t’i besoni atij që ta mbajë këtë përgjegjësi, kështu që nuk keni nevojë kurrsesi të censuroni veten. Përgjegjësia juaj e vetme është të paraqiteni dhe të jeni vetvetja juaj sa më autentike.

Thënë shkurt, “trauma dumping” në dhomën e terapisë nuk është më “trauma dumping”!

Burimi: Psychology Today