Hubert Hurkacz, gjysmëfinalist i Wimbledon i vitit të kaluar, do t’i ndajë nga 100 euro për Ukrainën për çdo “as” që do ta bëjë në Grand Slam londinez të këtij viti. Tenisti polak eliminoi Roger Federer në çerekfinale vitin e kaluar, ndërsa tani është njëri prej favoritëve për ta fituar Wimbledon.
“Do të doja të njoftoj se do t’i dhuroj 100 euro për çdo pikë direkte (ase) që do ta arrij në Wimbledon për t’i ndihmuar njerëzit e Ukrainës”, deklaroi Hubert në llogarinë e tij zyrtare në rrjetet sociale.
Këtë vit, Hurkacz, në 39 përballje që i ka zhvilluar, ka bërë 452 “ase”. Iniciativa e Hurkacz, i cili do të përballet me spanjollin Alejandro Davidovich në raundin e parë, është duartrokitur nga tenistët e tjerë, mbi të gjitha nga ukrainasja Marta Kostyuk.
Każdy mój as zaserwowany na Wimbledonie to 100 euro, które przekażę na pomoc dla obywateli Ukrainy. Mam nadzieję, że będzie ich mnóstwo #acesforaid pic.twitter.com/h6aGpacDrb
— Hubert Hurkacz (@HubertHurkacz) June 26, 2022
Këtë vit, Wimbledon ua mohoi pjesëmarrjen tenistëve rusë dhe bjellorusë pas sulmit ushtarak që e nisi presidenti rus, Vladimir Putin në Ukrainë, i mbështetur edhe nga Bjellorusia.