Viktor Zhusti më mori në telefon. U takuam – shkruan Ben Blushi
Dua të sjell në teatër Ali Pashë Tepelenën, tha
Shumë mirë i thashë, kush do ta shkruajë?
Do ta shkruash ti, tha Viktori
Unë e kam Ali Pashën personazh episodik, në një roman timin, por nuk kam shkruar shumë për të, i thashë
Ka shkruar yt atë, tha Viktori
Babai ka bërë Koka e Prerë, një roman që tregon ditët e fundit të Ali Pashës,
E kam lexuar, tha Viktori, nga fundi i thashë Kiços ta kthente në një pjesë për teatër por ai nuk donte të shkruante më
E lodhi shumë sëmundja dhe nuk shkruante dot, thashë unë
Prandaj bëje ti, unë do ta luaj, tha Viktori
Unë bëj romane por nuk di të bëj drama, thashë unë
Është shumë e lehtë, bëj një skenar pastaj e kthej unë në dramë,
As skenar nuk di të bëj, thashë unë
Po ti hidh diçka, pastaj flasim, tha Viktori
Më duhet të ndërpres një projekt tjetër që kam në dorë, thashë unë
Çfarë po bën, pyeti Viktori
Po punoj për një libër me fotografi, po eksperimentoj
Çfarë personazhesh ke?
Të ndryshëm, një vajzë me shami, një prift, Frederik Ndocin, gjyshen time, një afgane, Robert Ndrenikën dhe ndoshta edhe ty
E di që me Bert Ndrenikën kemi qenë në një klasë?
Nuk e dija, i thashë, e fotografova para një muaji
Është dembelosur, i them gjithmonë hajde te shtëpia ime në Greqi, pimë verë, gjuajmë peshk, e kemi detin 20 metra
Pse, ke shtëpi në Greqi?
Kam në Evia, është ishulli më i madh grek, pas Kretës,
Epo ndoshta prandaj nuk vjen Bert Ndrenika se ishulli i tij Korfuzi, është më i vogël se Evia, e ke kompleksuar, thashë unë
Jo mo mezi lëviz ai, tha Viktori, kështu ka qenë gjithnjë
A e di që Bill Gates, po blen një ishull në Evia?
E kam dëgjuar. Nëse e takoj do ti flas mirë për ty, ta rregulloj ti bësh ca foto
Kujdes me Bill Gates, Viktor, thonë që ai ka formulën e rinisë së përjetshme, mbase ta jep dhe ty
Nuk besoj se ka gjë, ai ka më shumë rrudha se unë
Po çne shtëpi në Greqi, e pyeta
Mamaja ime ishte greke, unë trashëgova shtepinë e saj duke humbur pronat e babait
Po pse, mamaja me babain nuk kishin të njëjtat prona?
U ndanë kur linda unë në Greqi, në 1942, tha Viktori
Ke lindur në Greqi dhe si përfundove në Shqipëri?
Prindërit u divorcuan dhe babai për tu hakmarrë ndaj mamasë me dërgon në 1945 në Korçë te vëllai i tij, isha afro 3 tre vjeç
Si të dërgoi në Korçë, pa lejen e mamasë?
Një muaj pasi unë erdha në Korçë, në prill 1945, kufinjtë u mbyllën dhe unë mbeta te xhaxhai që më rriti, ndërsa prindërit mbetën në Greqi
Çfarë fati i keq, thashë unë, po i gjete më vonë prindërit?
Me babain kam folur vetëm në telefon në 1976, ishte në Amerikë, i mbaj mend vetëm zërin, fliste si Fan Noli, më thoshte Djalli im i dashur si je, dhe unë i thosha, Të lumtë baba nga e kuptove që unë jam një Djall?
Po me nënën?
Shkova e takova në 1983 në Athinë. Sa më pa më njohu nga sytë
Dhe more pronën e saj në ishull?
Ajo ishte martuar dhe unë ia bleva pjesën tjetër të shtëpisë dy motrave të mia, që mamaja kishte nga një martesë tjetër.
Po nga babai ishe i pasur?
Nga pasuria e trashëguar e babait kam marrë deri vonë 400 dollarë në muaj derisa qeveria e Tsipras na i preu
E ke votuar Tsipras?
Si ta votoja, më hoqi paratë e babait, bashkë më pensionin e homogjenitit
Pra, si përfundim çfarë more nga pronat e babait?
Asgjë nuk mora. Ai ia la të gjitha gruas së dytë, njerkës sime dhe ajo nuk më la asgjë nga inati që unë u bashkova me mamanë time
Kokëfortë, thashë unë
Fanatike, tha Viktori
Do bëjmë ca foto, thashë unë
Po me Ali Pashën çdo bëjmë, pyeti Viktori
Nuk ta premtoj dot, thashë unë, pa mbaruar librin tim me portrete nuk prek gjë me dorë
Dmth nuk do t’ia presim kokën Ali Pashës?
Kemi kohë, thashë unë
Unë jam 80 vjeç, tha Viktori
Ali Pasha ishte 82 kur ia prenë kokën, thashë unë
Mirë, mirë… po mos shkruaj gjë për jetën time,
Nuk u bëj premtime burrave mbi 80 vjeç, thashë unë