MENU
klinika

Nga The Washington Post

Macron, humbës? Asgjë për t’u çuditur…

24.06.2022 - 08:30

Humbja e shumicës parlamentare nga presidenti francez Emmanuel Macron në zgjedhjet legjislative të së dielës tronditi shumicën e analistëve të politikës së vendit. Nuk duhet të jetë tronditëse në fakt.

Forcat e populizmit si nga e majta ashtu edhe nga e djathta janë “ringjallur” gjatë gjithë mandatit të tij. Injorimi i këtyre forcave, siç ka bërë kryesisht Macron në mandatin e tij të parë, do të ishte një recetë për katastrofë.

E vetmja rrugë për të ecur përpara, për të dhe për Francën, është të përqafojë atë që ai e ka kundërshtuar prej kohësh.

Është e qartë prej vitesh se francezët po lodhen nga centrizmi liberal i Macron. Vlerësimet e tij të miratimit ranë nën 50 për qind për më shumë se katër vjet. Ai fitoi më pak se 28 për qind të votave në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale të këtij viti dhe 54 për qind votuan për një populist të majtë apo të djathtë. Ai fitoi raundin e dytë vetëm sepse opozita populiste e majtë urrente kundërshtaren e tij të krahut të djathtë, Marine Le Pen, më shumë sesa e urrente Macronin, kështu që ata ose abstenuan ose e mbështetën të detyruar.

Ky qëndrim – armiku i armikut tim është miku im – iu kthye si ”bumerang” Macron në votimin legjislativ.

Mbështetësit e Le Pen dhe homologut të saj të krahut të majtë, Jean-Luc Mélenchon, i mohuan atij një qeveri të bashkuar, duke e detyruar të merret me shqetësimet e tyre.

Në vitet e mëparshme, votuesit e të gjitha partive do të bashkoheshin, pavarësisht nga ideologjia, për të mbajtur jashtë ekstremin e djathtë. Por të dielën, kandidatët e “Tubimit Kombëtar” fituan 54 nga ato gara me mbështetjen e votuesve të partive të tjera.

Për shumë njerëz, ishte më e rëndësishme të mposhtnin Macron-in sesa të bllokonin të djathtën ekstreme.

Aleatët e Macron mund të mendojnë se mund të bëhen aleat me konservatorët tradicionalë, Les Republikanët dhe aleatët e tyre. Por kjo aleancë do të kishte një çmim të lartë.

Macron me siguri do t’i rezistonte dorëzimit të çelësave të pallatit vetëm për të qëndruar në krye.

Por edhe nëse Macron dorëzohet ndaj kërkesave të republikanëve, bërja e një gjëje të tillë vetëm sa do të vononte momentin, ku Macron duhet të japë përgjegjësi.

Votuesit francezë janë të ngopur me një ekonomi “të ngecur”.Ata janë të lodhur nga krimi në rritje që shpesh i prek më shumë këto komunitete sesa vendet e pasura ku dominojnë votuesit e Macron. Shumë duan të ripohojnë kulturën tradicionale franceze dhe të kufizojnë në mënyrë dramatike imigracionin, veçanërisht nga ish-kolonitë afrikane të Francës. Asnjë marrëveshje afatshkurtër nuk do të ndalojë rënien e institucionit nëse nuk i zgjidh këto sfida.

Italia është një shenjë paralajmëruese për Macron dhe elitën. Një rast i ngjashëm ndodhi kur u zgjodh Silvio Berlusconi si kryeministër në vitin 1994. Ai premtoi se do t’i ndryshonte gjërat, por në vend të kësaj alternoi qeveritë me qendrën e majtë që nuk arriti t’i jepte fund stagnimit ekonomik. Deri në vitin 2018, italianët ishin lodhur. Lëvizja populiste e qendrës Pesë Yjet fitoi garën për Dhomën e Deputetëve me 33 për qind ndërsa partitë populiste të së djathtës – Lega dhe Vëllezërit e Italisë – morën 22 për qind të tjera. Giorgia Meloni, versioni italian i Marine Le Pen, ka të ngjarë të jetë kryeministrja e ardhshme italiane pas zgjedhjeve të vitit të ardhshëm, duke qeverisur në koalicion me Legën populiste – dhe pro-ruse – të Matteo Salvinit.

Elitat evropiane pëlqejnë të mburren se mbrojnë demokracinë, por demokracia fillon nga shtëpia.

Populli francez dëshiron një komb që kujdeset për të gjithë qytetarët e tij, jo vetëm për të arsimuarit. Sfida e Macron është ta bëjë këtë, pavarësisht nga politikat që ai përdor.

Nëse ai dështon, atëherë Macron – i përshkruar shpesh si një monark modern francez – duhet të kujtojë thënien që i atribuohet Louis XV: “Après moi, le déluge”(“Pas meje, përmbytja”).

Burimi: The Washington Post

Përktheu dhe përshtati: Konica.al

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Si të mos mjaftonte koronavirusi...

Ditët “e zeza” të Macron nuk kanë fund…

Premtimi i Macron pas fitores për një komb të ndarë

Çfarë e pret Presidentin francez në javët në vijim?