Quhen Safo, Zhanë d’Ark, Mari Stjuart, Zhuljetë, Esmeralda, Veleda, apo edhe Ofelia… Figura mitologjike, historike apo romantike, që të gjitha zbukuruan imagjinatën kolektive në shekullin e 19-të dhe frymëzuan artistët romantikë. Këta të fundit, nga fati i trazuar i këtyre grave, volën subjekte për kompozimet dramatike, ku ato shfaqen të tejdukshme, të zhveshura dhe epshore… Në Muzeun e Jetës Romantike, ekspozita vë në pikëpyetje vështrimin, në thelb mashkullor, hedhur mbi këto heroina të mëdha tragjike…/Konica.al
Është e vështirë të zgjedhësh, se cilat heroina romantike të paraqiten në një ekspozitë të vetme, por Muzeu i jetës Romantike ia ka dalë sfidës të bashkojë në njëqind vepra paraqitjet e këtyre grave, reale apo të trilluara, të cilat i bënë turmat të drithërohen në shekullin e 19-të.
Ngurrimi i fundit para vdekjes… Braktisur nga i dashuri, Hamleti, heroi i dramës me të njëjtën emër i Uilliam Shekspirit, Ofelia zhytet në çmenduri para se të japë shpirt pranë një rrëkeje. Heroinë romantike par excellence, për piktorët e shekullit të 19-të ajo mishëron “të ndjerën bukuroshe” që e lë veten në duart e fatit tragjik. Ashtu si Delakrua, Leopold Bërt i tregon vashës së re me një çehre të pangushëllueshme porcelani, fustanin tashmë të njomur në ujë, kapur pas degës së një shelgu para se ta lëshonte veten drejt fundosej… “Vdekja e një gruaje të bukur, është pa diskutim tema më poetike në botë”, – shkroi poeti Edgar Alen Poe në 1856. Për artistët e epokës, padyshim është edhe më frymëzuese dhe më ngashënjyese.
Rrëmbyer nga kënaqësia për dramë, piktorët romantikë do të kërkojnë në të kaluarën figura femërore me fat të dhimbshëm, lënduar nga pasioni i dashurisë, jeta e të cilave përfundon fatalisht në dëbim, vuajtje apo vdekje të parakohshme. Kësisoj, ata zhvillojnë një ikonografi të plotë të femrës së sakrifikuar: trupa hedhur përmbys ose të shtrirë, çarçafë të papërlyer dhe të mjegulluar, sy të përlotur ose të lodhur…
Vizione ku hijeshia gati e mbinatyrshme e ngjyruar me erotizëm përzihet me një ndjeshmëri irrituese: përfaqësime dramatike, ku gratë herë janë viktima të pasionit, herë të çmendurisë së tyre… Dhe që i bëjnë jehonë Kodit Civil të Napolonit, i cili që nga viti 1804, sanksionon inferioritetin e tyre në ligj./Konica.al
Rizbulimi i Mesjetës nga artistët ringjalli figura si ajo e Zhanë d’Arkës. Disa piktorë, si Klaudius Zhakond dhe Aleksandër Evarist Fragonar, priren drejt aspektit më tragjik të jetës së saj. E përjetësuar në martire shenjtore, ajo paraqitet me fytyrën lutëse mbi turrë ose duke u dërguar me forcë një zgavër. Po piktorët i magjepsin edhe modele të tjera: femra të papërmbajtura, që ngjallin frikë dhe moskuptim. Ngaqë karakteri i tyre i dhunshëm gjykohet kundër natyrës femërore, ato magjepsin. Kështu nënat foshnjore si Medea, apo Margarita, personazh nga “Fausti”, frymëzojnë Delakruan apo Ari Sheferin me tablo të tejmbushura me dramë. Asnjë gjurmë, tek këta piktorë, të figurave të mëdha të revolucionit që punuan në favor të gruas si Olimp dë Guzh apo Teruanj dë Merikur. Po, edhe nëse Sharlot Kordei, që vrau Maratin gjatë Terrorit qe vërtet subjekt i disa pikturave në shekullin e 19-të, ajo sërish u kritikua se “kishte dalë nga gjinia”.
Edhe heroinat e trilluara përndjekin imagjinatën romantike. Në shekullin e 19-të, zhvillimi i romanit pa të shfaqen, nën pemën e Shatobrianit, Viktor Hygosë po Zhermen dë Stael, figurat e Atalasë, Esmeraldës, apo Korinës. U dashurua edhe publiku (së fundmi) me teatrin e Shekspirit: piktorët mbërthyen çmendurinë e Makbethit, të përpirë nga pendimi për vrasjen që ajo kurdisi, sigurisht edhe fundin e trishtë të Ofelisë. Teatrot, atje ku luhen këto drama, por edhe operat mbushen plot. Nxitojmë të admirojmë aktrimin e irlandezes Hariet Smithson, që mishëron heroinat e mëdha shekspiriane, apo edhe atë të Zonjushës Mars. Në opera, Maria Malibran dhe Xhudita Pasta, po ashtu mishërojnë gratë me fat tragjik, të cilat nuk u mbijetojnë kurrë heronjve si Desdemona. Në skenë del edhe figura e shtojzovalles (silfid), balerinë magjepsëse e frymëzuar nga legjendat kelte dhe gjermanike të portretizuara nga Mari Taglioni, Fani Elsler dhe Karlota Gris. Si ikona romantike janë kanonizuar edhe aktoret tragjike, kërcimtaret, por edhe këngëtaret. Duke përjetësuar kështu, me mish e me gjak, mitin e femrës së flijuar, që vijon edhe sot të përndjekë imagjinatën kolektive… Por që përballet këtej e tutje, fatmirësisht, me analizën kritike të vështrimit./Konica.al