MENU
klinika

"Do flas me liderët e Open Balkan nëse…"

Vuçiç “skeptik” për pjesëmarrjen në Samitin e Brukselit

20.06.2022 - 19:04

Presidenti serb Aleksandër Vuçiç deklaroi se ka marrë një ftesë të shkojë në Samitin e Bashkimit Evropian në Bruksel më 23 qershor, por shtoi se ai ende nuk ka vendosur nëse do të jetë prezent, dhe shtoi se përpara se të marrë një vendim do të konsultohet me liderët e “Open Balkan”, si dhe me anëtarë të Qeverisë së Serbisë.

“Dëshiroj të konsultohem me qeverinë, por edhe me njerëzit nga Ballkani i Hapur, që të marr vendim nëse do të shkojmë në Bruksel dhe çfarë qëndrimi do të mbajmë”, tha ai.

Duke folur për rifillimin e dialogut mes Beogradit dhe Prishtinës në nivel teknik nesër në Bruksel, ai tha se shpreson të paktën në një marrëveshje, por theksoi  se është i interesuar edhe se çfarë do të ndodhë të enjten, më 23 qershor në Samitin e Brukselit.

I pyetur nga gazetarët se çfarë pret nga dialogu i nesërm në Bruksel, Vuçiç është përgjigjur se pret që çdo gjë të shkojë në rregull në rregull, përveç nëse, thotë ai, pala tjetër “shpik diçka sërish”.

“Shpresoj se mund të arrijmë një marrëveshje, sepse kjo do të ishte marrëveshja e parë për disa gjëra elementare, të cilat do të ishin të rëndësishme”, tha Vuçiç.

Ai theksoi se është shumë i interesuar se çfarë do të ndodhë të enjten, në Samitin e BE-së dhe liderëve të Ballkanit Perëndimor, pasi në bazë të kësaj do të konkludohet se cila do të jetë arkitektura e Evropës.

“Kjo do të jetë ndoshta dita më e rëndësishme dhe më interesante në 10 vitet e fundit në nivel evropian. Sepse pas kësaj do të shohim se si është arkitektura e Evropës, të kuptojmë se çfarë po na vjen dhe ta kuptojmë më mirë vendin tonë, pa nënvlerësuar apo mbivlerësuar as ne dhe as ata”, tha Vuçiç.

I pyetur për “tufën e të dërguarve specialë” në Ballkanin Perëndimor, presidenti i Serbisë tha se ka frikë se aq më e madhe të jetë “përmbytja” e të dërguarve specialë, aq më pak propozime të vlefshme dhe të mira do të ketë për Serbinë.

“Unë mendoj se kur të gjithë tregojnë shumë shqetësim, është si ajo fjala e urtë “shumë kuzhinierë e prishin lëngun” . Do të shohim”, tha Vuçiç.