MENU
klinika

Reforma Zgjedhore e Territoriale/ Pikat e nxehta të përballjes

Zgjedhjet 2023/ Ku ndahen dhe bashkohen PS- PD

14.06.2022 - 19:22

Për herë të parë në Kuvendin e Shqipërisë, po ecin paralelisht dy komisione parlamentare: ai i Reformës Zgjedhore dhe i Reformës Territoriale, të cilat, ndonëse në një shikim të shpejtë duket se nuk kanë lidhje me njëra- tjetrën, në thelb të dy komisionet janë të lidhura ngushtësisht, në funksion të zgjedhjeve vendore të 2023.

“Qershia mbi tortë” është realisht komisioni për Reformën Territoriale, pasi nga harta e re territoriale që do të dalë nga puna e këtij komisioni, do të shihet edhe panorama e re elektorale të zgjedhjeve vendore.

Ku ndahen dhe bashkohen PD- PS për të dyja reformat

PS- PD bashkohen në pikën që ndarja Territoriale mund të rishikohet, por palët janë ende larg sa i përket qarqeve që do të preken, shtimit të numrit të bashkive, copëzimit të Tiranës, si dhe kalimin e vendit nga 12 qarqe në 5 ose 6 rajone.

PD kërkon shtimin e numrit të bashkive dhe heqjen e nocioneve të qarkut dhe ndarjen territoriale të vendit në rajone. Sipas draftit të PD-së, nga 61 bashki, numri i tyre duhet të shkojë në 90 të tilla.

Nga ana tjetër, PS është shprehur se është e gatshme të rishikojë numrin e bashkive, por nuk pranon që të shtohen 29 të tilla. Lidhur me ndarjen nga qarqe në rajone PS ende nuk ka shprehur ndonjë opinion, por kalimi nga qarqe në rajone nuk është një proces i lehtë, madje pak dhe më i komplikuar se shtimi apo pakësimi i numrit të bashkive, pasi mund të ketë zona që i mvishen artificialisht njëra- tjetrës.

Sa i përket Reformës Zgjedhore, PS duket ka kapur një pozicion më të lakmueshëm, pasi ajo këmbëngul në zbatimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR për këtë çështje. Duke qenë se zgjedhjet janë vendore dhe jo politike, PS, teknikisht, e shikon më të zbatueshëm draftin e OSBE/ODIHR.

Por opozita, kryesisht PD, e shikon pak më të thellë këtë process, jo vetëm sa i përket rregullave dhe procedurave teknike, por edhe të koalicioneve në zgjedhje. Sipas PD, çdo vepër penale në fushën e zgjedhjeve duhet të hetohet me përparësi; çdo qytetar ka të drejtë të denoncojë shkeljet gjatë zgjedhjeve pranë KZAZ ose KQZ. Në këtë rast KQZ duhet të hetojë në lidhje me këtë denoncim dhe, nëse është rasti, të ndëshkojë shkelësit e ligjit. Qytetarit i ofrohet mbrojtje dhe garanci për denoncimin e tij. PD kërkon gjithashtu që të krijohet një regjistër i posaçëm për veprat penale gjatë zgjedhjeve.

Pikat më të nxehta mes PS- PD

Një pikë që pritet të shkaktojë jo pak debate mes PD- PS është dhe roli që opozita do ti japë policisë, duke filluar që nga kontrolli i ligjshmërisë e donacioneve drejt partive politike, identifikimit të kompanive, të cilat kanë përfituar më shumë nga fondet publike dhe ndihmojnë partitë politike; identifikimin e familjeve në nevojë ekonomike; ndërmarrjet shtetërore, ku është rritur punësimi gjatë vitit zgjedhor. Nëse policia, mbas analizës së këtyre elementëve, konstaton shkelje administrative i raporton pranë KQZ.

Në rast të një vepre penale ia referon prokurorisë. Por PS duket se nuk do të pranojë, sipas saj, të tjetërsojë rolin e Policisë së Shtetit në zgjedhje, duke e ngarkuar atë me detyra që nuk janë në funksion të punës së saj, por të institucioneve të tjera që merren me zbatimin e ligjit në periudhat zgjedhore.

Konsensusi i mundur

Pika të tjera, ku dhe konsensusi është i mundshëm është vendosja e kamerave në qendrat e votimi, të cilat monitorohen nga KQZ dhe Policia e Shtetit; nëse jashtë qendrës së votimit cënohet rendi dhe procesi i votimit, policia do të ndërhyjë menjëherë; krijimi i një regjistri për ndërhyrjet e policisë gjatë procesit të votimit; shpallja e pavlefshme e zgjedhjeve në rast të ekzistencës së shkeljeve zgjedhore; veprat penale të korrupsionit gjatë zgjedhjeve të kalojnë në kompetencë të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit (SPAK)

PS- PD, ODIHR në mes

Për të gjitha çështjet prioritare përfaqësuesit në komision do të dorëzojnë propozime në formën e drafteve ligjore dhe zgjidhjeve të mundshme alternative në përputhje me standardet e ODIHR-it për zgjedhje të lira e të ndershme.

Për çështjet që do të ketë dakordësi të plotë dhe të përgatitura në nivel teksti ligjor të dakordësuar, draftet do të dërgohen për opinion paraprak tek ekspertët e ODHIR.

Rekomandimet me përparësi të ODIHR

Kuadri ligjor ka nevojë për rishikim të mëtejshëm për të adresuar rekomandimet e jashtëzakonshme të ODIHR-it dhe Komisionit të Venecias, si edhe një numër paqartësish dhe mospërputhjesh.
Ndryshimet në ligj duhet të paraprihen nga një proces i hapur dhe gjithëpërfshirës i konsultimit dhe të miratohen përpara zgjedhjeve të ardhshme.
2. Shteti duhet të garantojë të drejtën për një zgjedhje të lirë dhe të fshehtë. Çdo formë presioni për të zbuluar nëse dhe sesi votohet duhet të parandalohet.
3. Agjencitë e zbatimit të ligjit duhet të intensifikojnë përpjekjet për të identifikuar, hetuar dhe ndjekur penalisht rastet e blerjes së votës. Qytetarët duhet të inkurajohen të raportojnë dhe të japin prova të çdo shtypjeje ose blerje votash.
4. Shqipëria duhet të garantojë sigurinë e të dhënave personale të qytetarëve. Institucionet përkatëse duhet të hetojnë dhe sanksionojnë plotësisht çdo shkelje që ndikon në besimin e publikut në procesin zgjedhor.
5. Legjislacioni duhet të ndryshohet për të siguruar që mediat janë në gjendje të mbulojnë në mënyrë të pavarur aktivitetet e garuesve zgjedhorë me qëllim që të kufizojnë përdorimin e përmbajtjes së prodhuar nga partitë në lajme.
Rekomandime të tjera
Sistemi Zgjedhor

6. Për të respektuar parimin e mundësive të barabarta, duhet të rishikohet pragu mbarëkombëtar 1 për qind për kandidatët e pavarur.
Kuadri Ligjor
7. Për të garantuar sigurinë juridike dhe administrimin efektiv të zgjedhjeve, nënrregulloret e detyrueshme duhet të jenë në përputhje me legjislacionin parësor dhe të miratohen në kohën e duhur.
Administrata Zgjedhore
8. Për të forcuar transparencën dhe për të shmangur çdo vonesë në administrimin e zgjedhjeve, KQZ-ja duhet të publikojë një kalendar gjithëpërfshirës zgjedhor me afatet përkatëse, përfshirë miratimin e akteve nënligjore, për detyrat e trajnimit dhe logjistikës.
9. Për të rritur transparencën dhe besimin e publikut, duhet të sigurohet koha dhe burimet e përshtatshme për përgatitjen efektive dhe mundësitë kuptimplota për vëzhgimin publik dhe të pavarur të teknologjive zgjedhore. Në rast të përdorimit të votimit elektronik në një shkallë më të gjerë, duhet të merren parasysh aplikimi i metodave të verifikimit, të tilla si kontrollet e kufizimit të rrezikut.
10. Për të shmangur zhvlerësimin e qëllimshëm të fletëve të votimit dhe për të rritur besimin në procesin zgjedhor, autoritetet duhet të investojnë në programe të edukimit të votuesve, të përshtatura për kategori të ndryshme votuesish.
Regjistrimi i votuesve
11. Për të siguruar votimin universal dhe trajtimin e barabartë para ligjit, kufizimet e bazuara në paaftësitë mendore duhet të hiqen dhe detyrimi për të regjistruar votuesit mbi 100 vjeç duhet t’i vendoset shtetit.
12. Autoritetet lokale duhet të sigurojnë që të gjithë votuesit të informohen në kohën e duhur për vendin dhe kohën për shqyrtimin e listës së zgjedhësve dhe vendndodhjen e qendrave të tyre përkatëse të votimit. Mund të merret në konsideratë njoftimi i votuesve për lëvizjen e afateve më pranë ditës së zgjedhjeve.
Regjistrimi i kandidatëve
13. Mundësia që liderët e partive politike të garojnë në disa zona zgjedhore duhet të rishikohet për të ruajtur parimin e barazisë.
14. Kufizimet në të drejtën e qëndrimit për ata që deportohen dhe të atyre që janë në kërkim, fajësia e të cilëve nuk është vërtetuar nga gjykata, duhet të hiqen.
15. Në mënyrë që të garantohet siguria juridike, mund të merren parasysh rishikimet e dispozitave në lidhje me numrin maksimal të kandidatëve në lista dhe renditjen e kandidatëve të gjinive të ndryshme. /a.meta

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN