MENU
klinika

Buxhet, jo! Art, jo e jo...

70 vjet Kinostudio

15.07.2022 - 16:00

         Shumë herë e përbaltur për nuancat socrealiste, Kinostudio “Shqipëria e Re” mblodhi në gjirin e saj, artistë të mirëfilltë. Të shkolluar, të disiplinuar për punën, por më e rëndësishmja – asnjëherë, të kënaqur me punën e tyre. Një trupë e madhe aktorësh e regjisorësh, pa harruar kontributin e secilit punonjës aty./Konica.al

Janë të shumtë filmat që, megjithëse të “moçëm” (arti është i pakohë!), përjetohet kënaqësi estetike tek i ndjek… – kjo e fundit, një ndjesi e panjohur “falë” masivizimit të mediokritetit. Janë kaq shumë aktorë brilantë, yje që nuk u zbehet shkëlqimi përballë atyre hollivudianë. Është një faqe e shkruar me ëndrrat e emrave të mëdhenj, që bënë historinë e kinematografisë shqiptare… dhe lista, do të ishte e gjatë!

Kinostudio “Shqipëria e Re”, ky kompleks neoklasik, u projektua nga një grup arkitektësh sovjetikë, për t’u ndërtuar nga specialistët shqiptarë, në vitet 1950-1952.

Filmi i parë artistik “Skënderbeu”(1953), i prodhuar nga Kinostudio “Shqipëria e Re”, ishte një bashkëprodhim me Bashkimin Sovjetik të atëhershëm. Filmi është një poemë epike, për heroin kombëtar shqiptar, Skënderbeu, i cili për sa kohë rrojti, mbrojti me sukses vendin nga pushtimi osman. Me regji nga  Sergei Yutkevich, filmi, ku luajnë edhe aktorë shqiptarë, ka fituar çmimin ndërkombëtar në Festivalin e Filmit në Kanë, në vitin 1954.

Kinostudio “Shqipëria e Re” ka prodhuar dhe shpërndarë shumë filma shqiptarë. Më produktive ka qenë veçanërisht, periudha e viteve’70 -’80, kur prodhoheshin 13-14 filma në vit.

Sakaq, muaji kushtuar kinematografisë, risjell në vëmendje edhe pasurinë filmike shqiptare.

Në 70-vjetorin e Kinostudios, regjisorë dhe aktorë të ndryshëm janë shprehur këto ditë, për punën me filmin ato vite, që sot është pasuri kombëtare. Një nga piktorët më të njohur të filmit, Arben Basha, fillesat me filmin si piktor, i kujton kur u realizua “Thirrja”, për të vijuar dhe me të tjera vepra të suksesshme kinematografike, si filmat: “Nëntori i dytë”, “Shoqja nga fshati”, “Çerçiz Topulli”, “Muri i gjallë”, etj., për të mbërritur deri pas viteve ’90.

Arben Basha, piktor i shumë filmave prodhime të Kinostudios “Shqipëria e re” thotë për mediet, se atë kohë, të gjithë ishin në shërbim të prodhimit të filmave.

“Isha në ceremoninë e 70- vjetorit të Kinostudios dhe pata emocione, sepse pas shkollës kam filluar punë atje. Në fillim piktor kostumesh pastaj piktor filmi, sepse kështu ishe rregulli. E kujtoj me nostalgji atë kohë, sepse puna ka qenë krijuese dhe ishte çdo gjë për të bërë filmin. Në shërbim të Kinostudios ishte kushdo ato vite, kooperativat, repartet ushtarake, uzinat, etj, kudo hapeshin dyert, sepse i shërbente dhe ideologjisë atë kohë. Ishim të privilegjuar dhe dyert i kishim të hapura. Mund t’ju them që nga ana profesionale ka qenë niveli më i lartë, sepse kishe kohë të bëje çdo gjë dhe mundësi”, shprehet piktori i filmit. Arben Basha thotë se, jo vetëm nga ana financiare, që ato vite nuk kishte problem për prodhimin kinematografik, por krijuesit punonin shumë dhe për personazhet.

Piktori tregon se dekada më parë, për filmin “Përrallë nga e kaluara” me regji nga Dhimitër Anagnosti, që është prodhim i vitit 1987, asistent regjisorët kërkuan shumë aktorin për personazhin e Gjinos. “Në filmin “Përrallë nga e kaluara” që unë isha piktor filmi, vetëm për të gjetur personazhin, djalin Gjinon, që është 13 a 14 vjeç në film, asistent regjisorët një muaj kanë marrë dieta dhe duke shkuar në gjithë klasat 8-vjeçare që ishin atë kohë në Tiranë, Fier, Durrës, Vlorë derisa u gjet dhe Gjino. Por sot personazhet e filmit nuk kërkohen si dikur në Kinostudio, por zgjidhen me miqësi apo shoqëri dhe i afrohet roli dhe aty mund të ketë dhe abuzime nga më të ndryshmet”, – rrëfen piktori i filmit.

Po sot, ku janë filmat?..  

Pas viteve ’90 Kinostudio e humbi funksionin si dikur. Piktori i njohur Arben Basha thotë se buxheti edhe pas viteve 2000 mbeti pothuajse aq sa në fillimet e viteve ’90, për filmin shqiptar. Kjo, sipas tij, i përball krijuesit me probleme për realizimin e filmave. “Buxheti i shtetit sot jep shumë pak për artin në përgjithësi”, tregon piktori i filmit. Sipas tij, sot Qendra Kombëtare e Kinematografisë merr një buxhet të vogël, por më e keqja që dhe kjo shumë, jo gjithmonë shkon aty ku duhet. “Sulen me e marrë atë lek dhe nëse do të marrë një aktor të mirë, merr aktor tjetër, që ta paguajë dhe më lirë dhe jo me atë nivel. Ka dy probleme: e para, buxheti i vogël për filmin; e dyta, bordet drejtuese që janë me shumë skema, dallaveresh dhe nuk është ashtu si duhet të jetë, për filmin”, – vijon Basha, piktori i një përvoje të gjatë artistike.

Të tjerë krijues, janë shprehur edhe më parë, për problemet me buxhetet në kinematografi…/Konica.al

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


... në mëngjes të laj sytë kam frikë

Çdo mbrëmje kur bie të fle më ulesh në qerpik…


Një dhuratë e kinemasë tonë nostalgjike për të gjithë brezat

Restaurohet filmi “Kthimi i Ushtrisë së Vdekur”

Çfarë u diskutua gjatë takimit në Tiranë më 1989-ën

Refuzimi që Nexhmije Hoxha i bëri Nënë Terezës për një shtëpi bamirësie!

Në 40-të vjetorin e filmit “Proka”

Mbrëmje kinematografike me regjisorin Isa Qosja

"Kur jeni zënë për herë të fundit me gruan?"

Përgjigjet plot humor që jepte Dritëroi për Sadijen