MENU
klinika

FMN bën parashikimin e zymtë

“Bota po përjeton “epokën e recesionit””

27.07.2022 - 15:47

Ekonomia globale po rrezikon të shkojë drejt recesionit, kjo pasi tri ekonomitë më të mëdha globale nuk kanë ecur përpara ndërsa parashikohet një e rritje e mëtejshme e inflacionit, sipas mediave të huaja.

Skenari për ekonominë për pjesën e dytë të këtij viti, por edhe për vitin 2023 është edhe më pesimist sesa parashikimi më i fundit, i prillit, bërë nga Fondi Monetar Ndërkombëtar. Fondi thekson se në SHBA, Kinë dhe Eurozonë, ekonomia ka shënuar rënie të ndjeshme në tremujorin e dytë të këtij viti dhe kjo është tkurrja e parë për ekonominë globale që nga shpërthimi i pandemisë së koronavirusit në janar të vitit 2020.

“Që nga muaji prill, parashikimi për ekonominë globale në vijim është bërë edhe më i zymtë”, thuhet në raportin e FMN. Sipas tij, bota duket se po përjeton “epokën e recesionit”.

Fondi Monetar Ndërkombëtar parashikon tashmë një rritje ekonomike globale prej 3,2% për vitin 2022, në tkurrje me 0,4% nga parashikimi i muajit prill. Ndërsa parashikimi për vitin e ardhshëm është një rritje me vetëm 2,9%.

Raporti vuri në dukje se inflacioni është gjithashtu një fenomen global, pjesërisht për shkak të pengesave të zinxhirit të furnizimit që lidhen me pushtimin e Ukrainës nga Rusia. Në mungesë të një rezolute në Europën Lindore, FMN paralajmëroi se tabloja globale për rritjen ekonomike mund të përkeqësohet edhe më shumë.

Gjithashtu parashikimi i zymtë, përfshinte edhe Kinën ku ekonomistët e grupit presin tani vetëm 3.3% rritje këtë vit, nga 4.4% në parashikimin e prillit.

Sipas raportit, inflacioni global pritet të rritet me 6.6% gjatë vitit 2022 në ekonomitë e zhvilluara dhe 9.5% në ekonomitë në zhvillim.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


"Financial Times": Sa keq mund të bëhet?

Goditja globale e stagflacionit të vitit 2022

Ministrja Ibrahimaj për "Zërin e Amerikës"

“FMN parashikon ngadalësim të rritjes ekonomike”