“Dashuria për atdheun dhe kombësinë ishte tepër e fortë në shpirtin e tij, inteligjenca e tij tepër e gjerë, dukej sikur do të përpinte gjithë diturinë për t’ia kushtuar tërësisht atdheut, interesin e të cilit e vinte mbi gjithçka…”, – shkruante Sami Frashëri.
Patrioti dhe dijetari i shquar Hasan Tahsini zë një vend të nderuar në Rilindjen Kombëtare Shqiptare. Me veprimtarinë e tij të gjithanshme ai i solli një shërbim të çmuar atdheut, zgjimit dhe forcimit të ndërgjegjes kombëtare, mësimit të gjuhës shqipe, përhapjes së diturisë, etj.
Hasan Tahsini ishte bërë një nga personalitet e njohura të lëvizjes kombëtare shqiptare dhe një nga figurat kryesore të “Shoqërisë së të shtypurit shkronja shqip” të Stambollit. Kishte një kulturë të gjerë, ishte poet dhe astronom, psikolog dhe historian, gjuhëtar dhe filozof, pedagog dhe matematicien. Bashkëpunëtorët dhe biografët e tij thonë se kishte një inteligjencë të rrallë, zotëronte disa gjuhë të huaja, të Lindjes dhe të Perëndimit. Në vitin 1868 ai u emërua rektor i Universitetit të parë të Stambollit. Ka shkruar shumë vepra shkencore, ndër të cilat “Mbi bazat e kozmografisë”, “Njohuri mbi psikologjinë”, “Pasqyra e rrozullimit”, “Tabela astronomike”, “Libër logaritmesh”, “Alfabeti i gjuhës shqipe”. Në Enciklopedinë e re turke, botuar më 1948, në vëllimin 51, shënohen edhe këto vepra të Hasan Tahsinit: “Bota e qiellit”, “Libri i Volneit”, “Kubeja astronomike”, “Sekretet e ajrit dhe të ujit”, “Historia e krijimit të botës”, “Jeta dhe historia e popujve” etj.
Hasan Tahsini lindi në Ninat të Sarandës më prill 1811 dhe u formua në atë shekull plot ngjarje tronditëse, veçanërisht për marrëdhëniet shqiptaro-turke. Mësimet e para i mori në Shkodër dhe në Filat, kurse medresenë e kreu në Stamboll. Ishte nxënës i matur, fjalëpakë, i vëmendshëm dhe mendjemprehtë. Megjithëse i larguar nga vendlindja e tij në moshë të vogël, legjendat dhe folklori i popullit tonë e ndoqën pas, qoftë nëpërmjet mëkimit të prindërve, qoftë nëpërmjet bashkatdhetarëve të tjerë që kishin emigruar në Turqi. Gjatë kohës që ndiqte medresenë përvetësoi mjaft mirë arabishten, persishten dhe frëngjishten. Personaliteti i shquar dhe i gjithanshëm botëkuptimin dhe dijet e thella në disiplinat e ndryshme të shkencës i vuri në shërbim të Atdheut, të çështjes së çlirimit kombëtar të tij. Më shumë se shkencëtar dhe dijetar me kulturë të gjerë, ai ishte patriot i madh. Ai nuk e shihte diturinë si stoli, por si mjet për t’i shërbyer atdheut dhe popullit të tij. Dijetari kishte bërë të tijën thënien e njohur të Laibnicit: “Më jepni një palë shkronjëza të mira, t’ju jap një qytetërim fort të mirë”.
Në bashkëpunim me patriotët e shquar të Stambollit: Ismail Qemalin, Kostandin Kristoforidhin, Koto Hoxhin, Vëllezërit Frashëri, Jani Vreton dhe Vaso Pashën, Hasan Tahsini bëri përpjekje për krijimin e një alfabeti shqip dhe kultivimin e gjuhës së shkruar shqipe, që shprehte kështu veç të tjerave rezistencën ndaj qëllimeve asimiluese osmane.
Në sistemin e tij pedagogjik Hasan Tahsini nisej nga pozita përparimtare didaktike duke vlerësuar veçanërisht metodën e eksperimentimit shkencor në rrugën e përvetësimit të dijeve. Psikologjinë si shkenca që bën fjalë mbi shpirtin dhe fuqitë e këtij, si dhe mbi natyrën e rezultateve të këtyre fuqive, Tahsini e vendos në kuadrin e shkencave filozofike, si një nga arritjet e vonshme të saj. Ajo lindi nga nevoja e studimit të fuqive psikike, të studimit të lindjes së formave të të menduarit, që njeriu të njohë gjithësinë dhe veten. Meritë e Hasan Tahsinit është se ai e shikon njeriun nga pozita demokratike, iluministe e humanitare jo vetëm si “kafshë që arsyeton”, por edhe si qenie shoqërore që qëndron mbi botën shtazore, që mund të zotërojë e drejtojë natyrën me forcën e intelektit të tij. Ai kishte besim te njeriu, te forca e edukatës për ndryshimin e përsosjen e natyrës njerëzore dhe të vetë shoqërisë njerëzore.
Hasan Tahsini, ashtu si shumë filozofë të tjerë, si Spenseri, Loku, Holbahu, Helveci pranon ndijimet si burim kryesor i njohjes, se asgjë nuk hyn në mendje pa qenë më parë në ndijimet tona. Organet e shqisave ai i quan si “pesë porta, nga të cilat ngacmimet hyjnë në organizmin trupor dhe si pesë lumenj derdhen në rezervuarin e ndërgjegjes sonë. Pesë shqisat, – pohon Hasan Tahsini, – nuk mund të na njohin veçse me sendet që ekzistojnë realisht jashtë nesh. Të gjitha njohuritë tona mbi sendet përftohen nëpërmjet tyre”. Ndijimet ai i shikon si procese që lindin brenda nesh nga veprimi i ngacmuesve të jashtëm mbi organet e shqisave tona.
Procesin e njohjes së realitetit objektiv, ai nuk e kufizon vetëm me njohjen ndijore, me perceptimin shqisor. Formimi shkencor dhe intuita prej shkencëtari e ndihmuan atë të futet më thellë në botën shpirtërore të njeriut, të trajtojë problemet e ndërlikuara të të menduarit, të arsyes, të gjykimit, nëpërmjet të cilave njeriu depërton në thellësi të sendeve e të botës së tij, të zhytet në një botë misteresh që nuk e shohin e arrijnë dot sytë tanë, në sendet e dukuritë pasoja të gjejë shkaqet, brenda gjërave abstrakte të gjejë e zbulojë marrëdhëniet. Veprimtaria e Hasan Tahsinit është aktuale sot, sepse ajo përshkohet nga pasioni dhe dashuria për shkencën, për të vënë njohuritë shkencore në shërbim të përparimit./Konica.al