MENU
klinika

"Priten stuhi të mëdha"

Evropa po përvëlohet, por sinoptikanët vënë sërish alarmin

20.07.2022 - 09:39

Zjarrfikësit janë përballur me zjarre të reja, ndërsa pjesa më e madhe e Evropës është “pjekur” nga një valë rraskapitëse e të nxehtit.

Mbretëria e Bashkuar, e cila njihet për klimat më të buta, regjistroi për herë të parë temperature mbi 40 gradë.

Gjermani ka shënuar ditën më të nxehë për këtë vit, ndërsa Portugalia shënoi një numër të madh vdekjesh nga i nxehti.

Zjarret vdekjeprurëse kanë përfshirë kontinentin. Organizata Botërore Meteorologjike e OKB-së (WMO) paralajmëroi se do të bëhej edhe më keq.

Valët e të nxehtit janë bërë më të shpeshta dhe më intensive dhe zgjasin më gjatë për shkak të ndryshimeve klimatike të shkaktuara nga njerëzit.

“Në të ardhmen, këto lloj valë të nxehti do të jenë normale dhe ne do të shohim ekstreme edhe më të forta,” tha shefi i WMO Peterri Taalas.

Përveç temperaturave rekord në Britaninë e Madhe , disa shërbime zjarrfikëse deklaruan incidente të mëdha pas rritjes së zjarreve.

Një zjarr i madh në Wennington, në lindje të Londrës, ka djegur shtëpitë.

Banorët që duhej të evakuoheshin i thanë BBC-së se rreth tetë shtëpi dhe ndoshta një kishë lokale ishin shkatërruar nga zjarri, ndërsa një zjarrfikës në vendngjarje e përshkroi atë si “ferr absolut”.

Në Francë , 64 zona të ndryshme regjistruan temperatura rekord të hënën.

Megjithëse niveli më i lartë i të gjitha kohërave për Francën kontinentale nuk është arritur, jugperëndimi i vendit ka përjetuar zjarret më të mëdha në më shumë se 30 vjet.

Gati 37,000 njerëz janë evakuuar nga shtëpitë e tyre.

Moti më i freskët tani është rikthyer në Mbretërinë e Bashkuar dhe Francë.

Në Belgjikë, një zjarr shpërtheu në resortin De Haan, duke djegur disa automjete. Por pas vapës së egër, vendi tani po përgatitet për stuhi që mund të çojnë në 20-30 mm shi në disa rajone, raporton gazeta Le Soir.

Paralajmërimet e motit janë ende në fuqi në Gjermani pasi vala e të nxehtit vazhdon të lëvizë në veri dhe lindje.

Të martën, vendi përjetoi ditën e tij më të nxehtë të vitit 2022. Shërbimi kombëtar i motit regjistroi 39.5C në qytetin perëndimor të Duisburgut. Holanda gjithashtu arriti të njëjtin nivel prej 39.5 gradë Celsius në Mastriht, thanë sinoptikanët.

Temperaturat në Portugali janë ulur ndjeshëm. Megjithatë, më shumë se 1000 vdekje të lidhura me valët e të nxehtit janë regjistruar që nga java e kaluar.

Zjarret janë bërë një pasojë e zakonshme e këtyre temperaturave ekstreme në të gjithë Evropën.

Spanja qendrore dhe veriperëndimore gjithashtu është shkatërruar nga zjarret.

Shërbimi i monitorimit Copernicus – pjesë e programit të BE-së për vëzhgimin e Tokës – tha se emetimet totale të karbonit nga zjarret midis qershorit dhe korrikut janë më të lartat e vërejtura në Spanjë për periudhën që nga viti 2003.

Në Greqi, një zjarr u ndez në rajonin malor të Penteli, pranë Athinës. Ai ka dëmtuar shtëpitë dhe ka bërë që autoritetet lokale të evakuojnë të paktën katër zona dhe një spital.

Sinoptikanët në Itali paralajmërojnë temperatura deri në 40-42 gradë Celsius mes të mërkurës dhe të premtes.

Disa zjarre janë raportuar tashmë në vend, dhe flakët që shpërthyen të hënën në mbrëmje në Toskanë ishin ende të furishme pasditen e së martës.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Nga e mërkura temperatura mbi 40 gradë

Vala e të nxehtit këtë javë prek dhe Shqipërinë