MENU
klinika

Analiza

Në këtë fazë të luftës, “fitorja” është më larg se kurrë…

15.07.2022 - 11:35

Rusia po zhvillon prej gati 5 muajsh një luftë në Ukrainë, por “asnjë nuk ka filluar ende seriozisht”, deklaroi presidenti Vladimir Putin javën e kaluar, vetëm disa ditë pasi trupat e tij pushtuan Lysychansk, qyteti i fundit në provincën lindore të Luhansk, që ishte ende nën kontrollin e Kievit.

Pushtimi i këtij qyteti, ishte një moment historik i rëndësishëm në fushatën e Putinit për të pushtuar të gjithë rajonin ukrainas të Donbasit. Po ashtu, ajo ishte një fitore shumë e nevojshme në aspektin e moralit të forcave ruse. Ndërsa disa nga këto të fundit u shpërblyen me pushim, të tjerat u urdhëruan të nisin ofensivën e radhës.

Një sulm me tre drejtime nga veriu, lindja dhe juglindja dhe drejt qyteteve të rëndësishme të Donbasit, Slovyansk, Kramatorsk dhe Bakhmut. Kremlinit iu deshën thuajse 2 muaj për të marrë të pjesën e fundit të territorit në provincën Luhansk, pasi e ri-fokusoi luftën e tij në lindje të vendit që në mesin e muajit prill.

Dështimi i Moskës për të rrethuar dhe kapur forcat ukrainase – pjesë e planit fillestar për të aneksuar Donbasin – shkaktoi vonesa dhe provokoi një ndryshim të taktikave ruse. Këta të fundit vendosën të nisin një bombardim të pandërprerë, duke përdorur deri në 50.000 predha në ditë, duke i shkatërruar pozicionet ukrainase dhe i detyruan që të tërhiqen.

Kievi humbte midis 100-200 trupave në ditë, përfshirë disa nga ushtarët e tij më të aftë, dhe morali i tij dikur i lartë, pësoi një goditje serioze. Pas sulmit të dështuar të Rusisë në Kiev dhe përparimit të saj në Luhansk, lufta në Ukrainë po hyn në një fazë të tretë, ku faktori më i rëndësishëm është rraskapitja e forcave të secilës palë.

Makineria e pandalshme e artilerisë ruse, mund të vazhdojë të ecë përpara, dhe të arrijë në fund kontrollin e plotë të Donbasit, pasi kontrollon për momentin rreth tre të katërtat. Në atë pikë, Putini mund të shpallë fitoren dhe të kërkojë paqen me kushte të favorshme për Moskën, dhe teksa kryeqytetet perëndimore do të jenë nën presionin e krizës energjetike të provokuar nga Rusia, duke e nxitur Kievin të arrijë një marrëveshje.

“Çështja më interesante, nuk është se kush pushton 5 km edhe ku e bën këtë, por cilat janë perspektivat afatgjata për të dyja forcat”- thotë Michael Kofman, drejtor i studimeve ruse në institutin ushtarak, CNA. Ai thotë se fokusi tek përfitimet territoriale në Ukrainën Lindore, po lë në hije panoramën më të madhe.

Sipas tij shkalla e humbjeve dhe aftësia e të dyja palëve për të rifreskuar forcat, është tani shumë jetike. Pas një tërheqjeje nga Kievi, Rusia është përqendruar në lindje dhe në jug të vendit, në një luftë të ngadaltë rrënuese. Ukraina ka blerë në javët e fundit raketa me rreze të gjatë veprimi nga SHBA-ja, duke e lejuar atë potencialisht të ndërpresë linjat ruse të furnizimit, dhe të pengojë punën e artilerisë së saj.

Mënyra se si Kievi do ta përdorë aftësinë e re sulmuese gjatë javëve të ardhshme, mund të jetë thelbësore në përcaktimin e rezultatit të konfliktit. Përparimet e javëve të fundit të ushtrisë ruse, kanë kompensuar deri dikur mangësitë e operacioneve të saj tokësore në sulmin e tij të dështuar ndaj Kievit në fillim të luftës.

Dhe ajo ka vazhduar në mënyrë të pashmangshme të ecë përpara. Nëse Slovyansk, Kramatorsk dhe Bakhmut bien brenda rrezes së artilerisë ruse, ato mund të jenë të pamundura për t’u mbrojtur edhe pse janë shumë të fortifikuara.

Me gjithë përparimin e saj të vështirë dhe humbjet e mëdha, Rusia mund ta përdorë epërsinë e saj të madhe në artileri – zyrtarët ukrainas thonë se ka 10 topa rusë për çdo 1 top ukrainas – për t’i shkaktuar humbjen Kievit në një luftë të ngadaltë shkatërruese.

“Rusia ka ende mundësi të shkatërrojë rezervat e municionit ukrainas, rezervën e saj të trupave më të afta, por edhe t’i japë fund durimit të komunitetit ndërkombëtar për të hapur dalëngadalë rrugën drejt arritjes së qëllimeve të saj”- shkruan javën e kaluar studiuesit Jack Watling dhe Nick Reynolds, në një raport për Institutin Mbretëror të Shërbimeve të Bashkuara me seli në Londër.

Përveç mungesës kronike të municioneve të artilerisë, ata e vunë theksin tek disa dobësi të tjera të Ukrainës, duke përfshirë mungesën e këmbësorisë së aftë dhe mjeteve të blinduara për të kryer operacione sulmuese, mungesën e pajisjeve të sigurta të komunikimeve në radio, dhe paaftësinë për të zbuluar dhe shkatërruar aftësitë ruse të luftës elektronike.

Nikolai Patrushev, shefi i sigurisë kombëtare të Putinit, u trimërua mjaftueshëm nga sukseset e fundit në fushën e betejës, për të ringjallur synimet origjinale të luftës së Kremlinit për rrëzimin e udhëheqjes aktuale të Ukrainës dhe “de-nazifikimin e shtetit”.

Por këto arritje fshehin dobësitë ushtarake të Rusisë, pasi zyrtarët ukrainas dhe analistët perëndimorë thonë se kjo e fundit ka mungesë trupash dhe armësh moderne. “Matematika bazë e favorizon Kievin”- thotë Kori Schake, drejtoreshë e politikës së jashtme dhe të mbrojtjes në think-tankun “American Enterprise Institute”, duke iu referuar vështirësive të Moskës për të rekrutuar mjaftueshëm trupa me përvojë për të rimbushur radhët e saj, dhe nga ana tjetër, fluksit të armëve të avancuara që janë dërguar nga Perëndimi në Ukrainë.

Edhe pse ka zemëruar analistët ushtarakë nacionalistë në Rusi, Putini ka refuzuar deri më tani të shpallë mobilizimin e përgjithshëm, pra një thirrje për të gjithë ata që kanë në moshë për të luftuar dhe që kanë shërbyer më parë në forcat e armatosura. Një veprim i tillë do të ishte me gjasë shumë jo-popullor, dhe do të nënkuptonte se “operacioni i tij ushtarak” i kufizuar në rajonin e Donbasit, ka qenë një dështim.

Sipas Ukrainës, Moska ka humbur deri më tani 37.400 trupa në këtë luftë. Qeveria britanike e vendos numrin në 25.000. Cilado qoftë shifra e vërtetë, Rusia e ka shumë të vështirë të ribashkojë njësitë e dobësuara, dhe duhet të ofrojë shumë stimuj në para për t’i bindur ish-ushtarët që të nënshkruajnë kontrata të reja.

Armët ruse – tanke dhe mjete të blinduara – janë degraduar aq shumë, sa që forcat e saj po përdorin tanket T-62, të prodhimit të viteve 1960, dhe mjete të blinduara për transportin e  personelit, që janë prodhuar që në vitet 1950.

Një zyrtar ukrainas thotë se trupat ruse në jug të vendit, po përdorin sistemet e mbrojtjes ajrore S-300, të cilat zakonisht përdoren për të rrëzuar avionët, dhe raketat për të goditur objektivat tokësore, duke sugjeruar një mungesë të raketave të llojeve të tjera.

“Rusët janë ende shumë të rrezikshëm. Kur mendoni për 25.000 të vrarë, çdo ushtri tjetër thjesht do të kishte hequr dorë. Por ata po vazhdojnë. Edhe pse përparojnë si dikur në Luftën e Parë Botërore, me metra, dhe me jo kilometra në ditë. Ndoshta po pushtojnë disa fshatra tashmë të boshatisur. Pastaj ndonjëherë detyrohen të tërhiqen. Por duket e bërë këtë, rusët po humbasin shumë pajisje dhe njerëz”- thotë Sekretari i britanik i Mbrojtjes, Ben Wallace.

Kofman është në të njëjtën linjë:“Në përgjithësi duket sikur forcat ruse po shënojnë një përparim në rritje. Por unë jam shumë skeptik se ata kanë aftësinë për të pushtuar Slovyansk dhe Kramatorsk. Këto janë zona shumë të fortifikuara, dhe me këtë ritëm forcat ruse mund të lodhen, përpara se të mund të kryejnë ofensiva të suksesshme”.

Një zyrtar i lartë britanik vlerësoi se në fund të qershorit, se të dyja palët ishin “afër rraskapitjes”. Por mbërritja javët e fundit e armatimit me rreze më të gjatë nga Perëndimi, ka filluar të bëjë një diferencë të madhe në operacionet e Ukrainës, duke e ndihmuar fillimisht Kievin të rimarrë Ishullin e Gjarpërinjve, një ishullor shkëmbor me një rëndësi strategjike në veriperëndim të Detit të Zi, dhe së fundmi të godasë depot e municioneve në thellësi dhe prapa frontit rus.

The concept of the aftermath of war. Illustration of the destruction after the war in Ukraine. Consequences of shelling by artillery shells and air strikes on a military base

Lawrence Freedman, profesor i studimeve të luftës në Kolegjin Mbretëror në Londër, thotë se lufta ka hyrë në një fazë kalimtare, ku rusët synojnë të avancojnë, por nga ana tjetër u duhet të mbrojnë pozicionet, ndërsa Ukraina po përgatitet të nisë operacionet e kundërsulmit.

Dallimi kryesor po e bëjnë sistemet raketore amerikane Himars, që kanë një rreze prej 70-80 km dhe që orientohen nga sistemi satelitor GPS për të pasur një saktësi të madhe.

Deri tani Ukraina ka marrë 8 Himars nga SHBA-ja, ndërsa i janë premtuar edhe 4 të tjera nga Uashingtoni dhe 4 të tjera nga Britania e Madhe. Por për të pasur një ndryshim vendimtar në këtë luftë, do të duhen dhjetëra sisteme të tilla. Dhe ndoshta deri atëherë, forcat ruse do t’i përshtatin taktikat dhe logjistikën e tyre.

Aktualisht Kievi po përpiqet të rrisë presionin mbi forcat ruse në jug të vendit, ku ka rimarrë territorin përreth qytetit Kherson, më i madhi që ka rënë në duart e Moskës që nga fillimi i pushtimit në shkurt. I ndodhur në grykëderdhjen e lumit Dnjepër, dhe një arterie jetike ekonomike, Kherson ka një rëndësi strategjike me të madhe sesa qytetet e rajonit të Donbasit, shumica e të cilave janë shndërruar në gërmadha për shkak të taktikës ruse të “tokës së djegur”.

Rajoni Kherson kontrollon gjithashtu furnizimin me ujë të Krimesë tashmë të aneksuar, dhe do të jetë një test i rëndësishëm i aftësisë së Ukrainës për të rimarrë territorin e pushtuar në një luftë të zgjatur, thotë Kofman. Nëse dështon, kjo do të thotë se ka pak shpresa që Kievi të arrijë të dëbojë forcat ruse në linjat e tyre të para 24 shkurtit.

Nga Ben Hall & Roman Olearchyk

Burimi: Financial Times