Kemi dëgjuar si mund të ndikojë Instagrami tek ankthi, pasiguritë dhe së fundmi edhe tek ndjenja e lumturisë. Shumë njerëz kanë folur hapur rreth sfidave që shoqëron të paturit një llogari Instagrami apo Facebook-u dhe sesa “mbytës” mund të bëhet herë pas here për shëndetin mendor.
Përshembull, vetëm një xhiro e shpejtë në Instagram dhe nis të ndihesh e pamjaftueshme, e uritur dhe gradualisht nis të ndihesh e pakënaqur me jetën tënde monotone. Të duket sikur vetëm ti nuk ke shkuar me pushime apo sikur vetëm tek ty nuk po vjen ai i duhuri për të të marrë me kalë që të jetoni përjetësisht të lumtur…në Instagram!
Ekzistojnë studime që provojnë se shkëputja nga rrjetet sociale ndikon tek një jetë më e lumtur, por nuk ka pse të jetë gjithnjë kështu. Platformat sociale mund të kenë dhe ndikim pozitiv, t’ju bëjnë të ndiheni më mirë apo të shihni jetën me optimizëm. Ndryshojeni mënyrën si i shfrytëzoni rrjetet sociale. Ç’do të thotë kjo?!
1. Ndiqni komedianë
Mënyra më e mirë për të kthyer hapsirën tuaj në rrjete sociale në burim argëtimi, është të ndiqni humoristë. Nëse keni shumë faqe motivimi për palestër, VIP-a ose thjesht miq tuajët, shtoni disa persona me sens humori që do t’ju ndihmojnë më shumë t’i shpëtoni streseve të ditës. Gjithashtu të rinjtë e talentuar nëpër botë që përveçse kanë humor të hollë, japin mesazhe interesante.
2. Vlerësoni meme-t
Nëse nuk ju pëlqejnë meme-t, ka ardhur koha të ndryshoni mendim. Të gjithë mund ta gjejnë veten tek to dhe është mënyra më e mirë për të zbuluar se në të njëjtën situatë si ju gjenden dhe dhjetëra mijëra njerëz të tjerë. Duhet të kaloni vetëm 5 minuta në një faqe të mirëfilltë meme-sh për të kuptuar dhe dashuruar humorin e tyre të zgjuar!
3. Largoni njerëzit që ju bëjnë të ndiheni keq
Është shumë e thjeshtë! Nëse dikush ju bën të ndiheni keq, qoftë një i njohur që poston pafund foto me të dashurin kur gjithçka që ju doni është të shijoni në paqe beqarinë tuaj, apo ajo e njohura që të duket shtatzënë prej 1 viti dhe vetëm poston rreth mëmësisë, mund thjesht t’i bëni “hide” ose unfolloë.
4. Zgjeroni njohuritë tuaja
Ndiqni faqe me kuriozitete, me informacione interesante. Kështu Instagrami nuk është një mënyrë për të harxhuar kohë, ju po investoni kohë aty! Po, përsëritjani vetes këtë.
5. Kthehuni në të shkuarën
Nëse asgjë tjetër nuk funksionon, kthehuni pas në kohë. Ndiqni llogari dedikuar serialeve të preferuar të fëmijërisë apo adoleshencës tuaj. ‘Friends’, “Dawson’s Creek”, “Rebelde” apo ato faqet për fëmijët e lindur në vitet ’90-të.