MENU
klinika

Pamjet që tregojnë solidarizimin

Si Rusell doli nga makina në ndihmë të Zhou

04.07.2022 - 21:41

Një aksident i frikshëm ndodhi në fillim të Çmimit të Madh të Britanisë, ngjarje që mori vëmendjen më të madhe të medias. Një përplasje mes pilotëve në kthesën e parë të pistës solli një kaos të vërtet mes makinave, me pilotin kinez të Alfa Romeos, Zhou, i cili rrezikoi të humbte jetën e tij.

Nga kjo përplasje doli nga pista edhe piloti britanik i Mercedes, George Rusell, makina e së cilit nuk kishte probleme të mëdha dhe mund të garonte sërish nëse do të shkonte në pit stop.

Gjithsesi ai zgjodhi që të mos rrinte duarkryq dhe doli menjëherë nga makina e tij për të shpëtuar jetën e pilotit kinez. Gjithashtu, ai kërkoi dhe ndërhyrjen e menjëhershme të stafit mjekësor duke qëndruar pranë makinës së Zhou, e cila ishte me kokën poshtë dhe kishte rrezik të mbulohej nga flakët.

Pas ndërhyrjes së stafit mjekësor, Rusell më pas shkoi me vrap drejt pilotit tjetër Alexander Albon, i cili ngeli i trullosur nga përplasja dhe e ndihmoi që të dilte nga makina, ndërkohë që komisarët e pistës po ndihmonin Zhou.

Edhe pse ishte një gjest heroik nga ana e britanikut, komisarët e garës nuk e lejuan Rusell të vazhdonte garën e tij, për shkak se theu rregullat e FIA-s duke dalë nga makina pas një aksidenti.

Gjithsesi, duket se kjo gjë nuk i ka interesuar shumë, me 24-vjeçarin që me anë të një postimi në rrjetet sociale shkruante: “Në radhë të parë, gjëja më e rëndësishme është se Zhou është mirë. Ai ishte një incident i frikshëm dhe të gjithë meritat i shkojnë komisarëve dhe stafit mjekësor për reagimin e tyre të shpejtë. Sigurisht i zhgënjyer që duhet ta mbyllja garën në këtë mënyrë dhe i kërkoj falje skuadrës dhe fansave. Fantastike të shihje Hamilton të arrinte një tjetër podium, ne po bëjmë progres”.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Schumacher merr pikët e para

Spektakolare dhe historike, triumfon Sainz