Boksieri shqiptar Florian Marku, më 25 gusht do të duelojë në stadiumin “Air Albania” ndaj meksikanit Miguel Parra Ramirez. Sfida është e vlefshme për titullin e përkohshëm kampion bote në peshën “welter”, në kategorinë WBC Silver.
Marku është i pamposhtur në karrierën e tij (11 fitore e 1 barazim) dhe mban titullin e kategorisë IBF International. Në një rrëfim për veten e tij, në një intervistë të bërë publike në faqen e tij zyrtare “Facebook”, boksieri nga Lushnja ka treguar disa detaje për veten e tij:
“E kam lënë shkollën në moshën 14-15 vjeçare, për t’iu dedikuar 100% sportit të boksit. Asokohe i thashë familjes time se për këtë vendim që mora do të shpërblehem një ditë, pasi do të paguhem mirë nga ky sport dhe do të jetojmë më mirë”.
“Asokohe familja ime s’më kuptonte, por ja ku jemi sot. Familja ime është më shumë se kurrë pranë meje, më kupton dhe më mbështet”, tha Marku, që duke folur për një cilësi që do të dëshironte ta kishte, ai shton:
“Do të dëshiroja të isha më i qetë. Si në sportin e boksit ashtu dhe në jetën e përditshme. Të mos isha flakë, ashtu siç i themi ne, gjaknxehtë”. Ndërsa familja e tij ndodhet në Shqipëri për pushime, Marku stërvitet në Londër për sfidën e radhës.
“Në sportin tim, gjithnjë kam ëndërruar të bëhem kampion bote dhe të jem sa më i njohur”, – thotë Marku, që konfirmon se së shpejti do të nxjerrë në shitje një libër për jetën e tij personale.