MENU
klinika

“Korrigjimi i gabimit s’është dobësi”

Gjekmarkaj këshillon Presidentin Begaj: Ktheje Edvin Shvarcin

25.08.2022 - 20:57

Pas lajmeve se Presidenti Bajram Begaj ka hequr nga puna përkthyesin Edvin Shvarc, ka reaguar edhe deputeti i PD-së, Agron Gjekmarkaj, i cili e këshillon Kreun e Shtetit që ta rikthejë në punë.

Gjekmarkaj thekson se nuk e di motivin e shkarkimit, por thekson se në vendin tonë në përgjithësi ato janë subjektive për të hequr dikë që ti hapet vend dikujt.

“Zoti President ktheje Shvarcin aty ku ishte, ky gjest mund të të merret për mirë, si gjest i njeriut që di të kuptojë gabimet e veta, këshillat e këqija dhe kërkesat mujshare. Korrigjimi i gabimit nuk është dobësi. Kur shembulli mungon në Presidencë, kur shteti goditet bash aty në ligj por edhe në mistiken e tij mbrojtëse për më poshtë mbetesh pa tekst”, thekson ndër të tjera Gjekmarkaj.

Reagimi i Deputetit të PD

Zoti President Begaj korrigjimi i gabimit nuk është dobësi !

Duke lexuar një shkrim të Andi Bejtjes mora vesh që Presidenti i Republikës Bajram Begaj kishte liruar nga detyra ose me qartë të themi e kishte hequr nga puna Edvin Shvarcin i cili ka punuar aty me kater nga krerët e shtetit !

Nuk e di cili është motivi po në vendin tonë në përgjithësi ato janë subjektive për të hequr dikë që ti hapet vend dikujt !

Për më shumë se tre vjet kam qenë pjesë e stafit të Presidentit Bamir Topi , aty e kam gjetur dhe aty e kam lënë Shvarcin! Nuk e kam patur as mik sepse ai nuk afrohej shumë por as antipati jo, sepse ai ishte korrekt dhe i respektueshem me të gjithë pa i ikur tentacionit per humor elegant. Ai të linte përshtypjen si pakukush tjeter që atë e mbron puna e tij dhe ligjet e shtetit jo raportet personale dhe miqësitë. Një qasje hebraike ndaj të dyjave kishte.

E bënte si askush tjetër punën e vet, atë të përkthyesit po e po por edhe të drejtorit. Solid në kulturë jo thjesht si biri i Shvarcit të madh por i studimeve në Shqipëri e Amerikë, leximeve, përkthimeve, ngulmimit të tij. Një anglishtfoles i përsosur. Pa drojë i bënte nder zyres ku punonte, i jepte asaj dinjitet dhe rracionalitet, rregull e korrektesi. Sot është i papunë. Sa keq. Edvini do ta gjejë një punë me siguri por Presidenca e Republikes zor e ka ta zevendesojë me një të ngjashem sepse realisht ai ska të ngjashem në perpikmerinë dhe skrupolozitetin që e krakterizon. Persona me kaq eksperiencë në çdo vend të Europes mbeshteten, promovohem ndersa tek ne i hedhim në rrugë. Pershtypje bën e dhemb më shumë kur këtë e ben Presidenti i Republikës të cilin nuk e përshkruajnë për burrë të keq nga pikpamja njerzore se nga ajo publike nuk po merrem.

Dikush mund ti thote Shvarci nuk është i yni, një tjeter me gjej një vend pune per djalin, nusen, motren etj por Presidenca e Republikës nuk duhet të jete vend qokash të rendomta, po simbol i shumë ekuilibrave të kushtetutes, të respektimit të shtetit, të dinjitetit të zyrtarit, të tradites, të krahinave, të feve , të minorancave e shumëçkje që shfaqet si komponent i shoqerisë sonë! Zoti President ktheje Shvarcin aty ku ishte, ky gjest mund të të merret per mirë, si gjest i njeriut që di të kuptojë gabimet e veta, këshillat e keqia dhe kerkesat mujshare. Korrigjimi i gabimit nuk është dobesi. Kur shembulli mungon në Presidencë, kur shteti goditet bash aty në ligj por edhe në mistiken e tij mbrojtese për më poshtë mbetesh pa tekst !