Për vite me radhë, Instagram është konsideruar (kryesisht) fëmija i artë joproblematik i rrjeteve sociale. Edhe në kohët më të vështira, kur Twitter përdorej vetëm për “statuse të mërzitshme ose shaka pa kripë”, madje edhe kur Facebook u bë sinonim i shtëpive të të moshuarve (kështu thotë gjenerata Z, jo ne), ishte Instagrami – i gatshëm të na mirëpriste me filtra, foto, njoftime dhe miq që përditësonin profilet e tyre.
Megjithatë, ka pak kohë që duket sikur Instagrami ka përjetuar një rënie të ashpër dhe relativisht të shpejtë, veçanërisht edhe pas ndryshimeve të fundit, të cilat u shoqëruan edhe me ankesa nga influencuese të rëndësishme të rrjeteve sociale si Kim apo Kylie.
Instagram nuk ndihet më si aplikacioni që njohim dhe duam, dhe është e panevojshme të thuhet se njerëzit janë të zemëruar.
Pa përmendur, konkurrentin e saj shumë të fortë, TikTok-un.
Me gjithë ndryshimet që janë bërë ndër vite, disa prej tyre të kritikuara, disa jo – duket se Instagrami po e humbet popullaritetin e saj. Dhe, edhe njerëzit që janë ende aty, kanë përsëri ankesat e tyre për platformën.
Ndoshta Instagram planifikon të bëjë ndonjë ndryshim në shkallë të gjerë për të rikthyer përvojën e vjetër të përdoruesit, por deri atëherë le të mos e vrasim shumë mendjen për numrin e pëlqimeve apo nëse ai/ajo e pa story-n tonë në Instagram. Këto të fundit, i kemi ne në dorë dhe në këtë këndvështrim, e vendosim ne nëse duam që eksperienca në këto rrjete sociale të jetë e mirë.
Ca këshilla për t’u kënaqur me Instagramin dhe jo vetëm?
– Ndani ca selfie spontane pa shumë filtra.
– Postoni në mesnatë, në drekë – kur të doni ju dhe jo atëherë kur mendoni se postimin do ta shohin më shumë njerëz.
– Mos u shqetësoni shumë për mbishkrimet në foto, por jini origjinalë dhe shprehni çfarë ndjeni në moment.
Ose, e dini çfarë? Dilni jashtë, prekni barin dhe shijoni natyrën. Sido që të jetë, mbase është koha për të përqafuar epokën e çlirimit nga varësia e Instagram dhe atë të shijuarit pak më shumë të jetës së vërtetë!
Përshtatur nga In Style