MENU
klinika

Por mos është i kopjuar?

Instagrami teston një opsion të ri shumë interesant!

24.08.2022 - 11:36

Duket se Meta e ka të vështirë të bëjë diçka autentike! Tani, një platformë e re ka tërhequr vëmendjen e kompanisë: BeReal.

Instagram po teston “IG Candid Challenges”, raporton CNN, një opsion që duket jashtëzakonisht i ngjashëm me konceptin thelbësor të BeReal.

BeReal është një rrjet social që inkurajon përdoruesit të postojnë foto nga jeta e tyre në kohë reale. Në qendër është origjinaliteti. Në BeReal, nuk ka filtra dhe opsione për të modifikuar postimet. Pasi të shkarkoni aplikacionin, ju merrni një njoftim një herë në ditë se është koha për “BeReal”. Kjo do të thotë që keni dy minuta për të shkrepur dhe postuar një foto të momentit, pavarësisht se sa i zakonshëm mund të jetë aktiviteti juaj.

BeReal është konsideruar shpesh si anti-Instagram sepse përqendrohet te postimet më autentike. Në mënyrë të ngjashme, opsioni Candid Challenges i nxit përdoruesit e Instagram “çdo ditë në kohë të ndryshme” të postojnë një foto në Stories brenda prej dy minutave.

BeReal bën dy foto – një selfie dhe një tjetër që tregon se çfarë keni para. Të njëjtën gjë bën edhe Candid Challenges.

Një zëdhënës i Meta konfirmoi për CNN Business se IG Candid Challenge po testohet nga brenda kompanisë, pa ofruar ndonjë informacion shtesë për të.

BeReal u lançua në fund të vitit 2019, por fitoi popullaritet të jashtëzakonshëm në fillim të këtij viti. Aplikacioni është shkarkuar 43.3 milionë herë. Këtë verë, BeReal u rendit në vendin e parë në App Store të Apple në Shtetet e Bashkuara. Platforma u themelua nga një sipërmarrës në Francë, por të dhënat e Apptopia tregojnë se Shtetet e Bashkuara janë tregu kryesor.

Prej kohësh, Facebook ka përdorur Instagramin për të konkurruar me rivalë të mëdhenj si Snapchat dhe TikTok duke imituar veçoritë e tyre kryesore – për shembull Stories 24 orë si Snapchat dhe Reels të ngjashme me videot në TikTok.