MENU
klinika

Nga Nagelsmann, te Vialli

Kur trajneri është më i vogël sesa futbollisti

06.08.2022 - 22:24

Ka pasur dhe ka trajnerë që drejtojnë në skuadër lojtarë më të mëdhenj në moshë. Rasti i fundit është Julian Nagelsmann te Bayern: trajneri i datëlindjes 1987 është më i vogël sesa kapiteni i skuadrës së tij, Manuel Neuer (datëlindja 1985).

Dhe ndoshta natyrshëm lind pyetja nëse portieri, që kundrejt “bosit” të tij është edhe kampion bote, mos ndoshta ka një të drejtë më shumë sesa Nagelasmann për t’i kundërshtuar mendimet dhe vendimet që ai merr në ekip?

Një ligj të tillë të shkruar se trajneri duhet të jetë më i madh sesa ata që stërvit nuk ekziston, sepse çdo gjë ngrihet mbi bazën e respektit dhe detyrave që ndajnë dy apo më shumë persona. Madje, precedentë si këto nuk janë të parët dhe ndoshta nuk do të jenë…

JUVENTUS – Shumë i freskët është edhe kujtimi në Torino, kur në sezonin 2020-2021, në stol u ul Andrea Pirlo. Edhe pse “Maestro” është një institucion në vetvete për sa i përket karrierës së tij si futbollit, ish-fantazisti i datëlindjes 1979 stërviste në skuadër Buffon, një vit më të madh sesa Pirlo, me të cilin kishin fituar gjithçka në Itali dhe Botërorin me Italinë.

INTER – Ndoshta, detyrën më të vështirë mund ta ketë pasur Andrea Stramacioni. Në vitin 2011, “Strama”, i lindur në 1976-n, kishte jo një, por disa lojtarë më të mëdhenj se veten, si mbrojtësit Cordoba (me muaj më i madh se trajneri) e Zanetti (1973), apo edhe portierët Castelazi (1975) dhe Orlandoni (1972).

CHELSEA – Në vitin 1997, te Chelsea në Angli, Gianluca Vialli i datëlindjes 1964, e gjen veten që të gradohet lojtar-trajner dhe i duhej që të menaxhonte shokë më të mëdhenj se ai si Marc Hudgs (1963) apo edhe Rud Gullit e Kevin Hitchkok të lindur në 1962-n.

Por madhështia e figurës së Viallit i bëri që lojtarët ta pranonin aq drejtë hierarkinë e re, sa me të në drejtim, Chelsea fitoi Kupën e Kupave, Superkupën e Europës, Kupën e Ligës angleze dhe Kupën e Anglisë.

TË TJERA – Raste të tjera mund të përmendim rastin Montella-Totti, me Vincenzon dy vjet më të vogël sesa “Mbreti i Romës” apo sërish Chelsea e epokës Villas Boas (datëlindja 1977), i cili stërviste Lampard dhe Drogba (1978).