MENU
klinika

Nga Valon Murati

Kurthet e Asociacionit për funksionalitetin e shtetit të Kosovës

11.08.2022 - 14:20

Nga Valon Murati

Arsyetimet se asociacioni i cili nuk ka kompetenca ekzekutive dhe është në përputhje me kushtetutën nuk është i dëmshëm, më së paku thënë është naiv. Çfarëdo grumbullimi i komunave serbe nën një ombrellë, me kuvend e kryetar dhe ushtrimi nga ana e tyre edhe i përgjegjësive të shumta që i kanë si komuna, do të nënkuptonte zgjerim vetanak të përgjegjësive ligjore dhe sidomos zgjerim i veprimit politik të këtij mekanizmi si përfaqësues i serbëve në Kosovë, përkatësisht në rrethanat në të cilat jemi, i Serbisë në Kosovë. Një mekanizëm i tillë do të fillonte të bënte jetën e tij, jashtë kompetencave të tij ligjore e kushtetuese. Asnjë garanci ndërkombëtare nuk mund ta ndalojë as përpjekjen për veprim autonom territorial të këtij mekanizmi e as nuk mund ta ndalojë konfliktin e vazhdueshëm politik e juridik në mes të institucioneve të Kosovës dhe këtij mekanizmi në vazhdimësi.

Pozicioni i vështirë i Kosovës sa i përket marrëveshjes për asociacionin

Kosova nuk është fare në pozicion të lehtë sa i përket marrëveshjes për asociacionin të vitit 2013 cilin e ka nënshkruar dhe miratuar në Kuvendin e Kosovës. Ka një pajtim brenda garniturës politike kosovare si dhe një pjese të shoqërisë civile, analistëve dhe ekspertëve se marrëveshja për asociacionin duhet të fillojë të zbatohet. Kjo thuhet me lehtësi pa analizuar pasojat që mund të ketë për Kosovën edhe një asociacion me kompetenca jo ekzekutive. Normalisht, në pamje të parë ky qëndrim duket parimor sepse kur insistohet në këtë rrugë kihet parasysh se Kosova veç i ka marrë këto obligime, përmes marrëveshjeve të viteve 2013 dhe 2015. Dhe në fund të fundit, pa marrë parasysh se çfarë kanë pohuar eksponentët e pushtetit aktual kur ishin në opozitë se Gjykata Kushtetuese në vitin 2015 e ka varrosur asociacionin, në të vërtetë ajo ka pohuar se ai duhet të implementohet me vërejtjet që i ka bërë. Natyrisht të gjithë insistojnë se implementimi i asociacionit duhet të jetë i bazuar në Kushtetutën e Kosovës, duke nënkuptuar se rrjedhimisht ai nuk do të jetë i dëmshëm nëse do të jetë i tillë. Në anën tjetër ndonjëherë lihet të nënkuptohet se shprehja e vullnetit për ta implementuar asociacionin duhet të përdoret edhe si kartë e diplomacisë tonë me të cilën ne do ta vendosnin Serbinë në pozicion të vështirë negociues. Por në të vërtet të gjithë janë të vetëdijshëm se edhe në variantin më optimist implementimi i asociacionit është një punë sizifi dhe se edhe qeveritë e mëhershme që nga ajo Mustafa, janë përpjekur të hartojnë statutin e asociacionit por se ky proces është bojkotuar nga përfaqësuesit politik serb në Kosovë. Duke qenë një projekt vështirë i realizueshëm dhe me pasoja të mëdha për funksionalitetin e shtetit të Kosovës, e duke u rrezikuar me projekte të tilla edhe stabiliteti i Kosovës, edhe me aminin amerikan u mundësua kalimi në atë që do të mund të quhet plani B për zgjidhjen e problemeve në mes të Kosovës dhe Serbisë, në atë të ripërcaktimit të kufijve. Fatkeqësisht për fatet e vendit ky projekt u demonizua në opinionin publik duke mos i dhënë mundësinë qytetare një debati normal e të civilizuar për të dhe rrjedhimisht u refuzua nga pjesa më e madhe e skenës politike. Andaj sot të gjithë arsyetohen, dhe duket në pamje të parë se kanë të drejtë se Kosova nuk ka shumë rrugë, duke qenë se presioni për zbatimin e asociacionit do të peshojë rëndë mbi Kosovën. Në të vërtetë Kosova, në këtë drejtim vërtet se do të jetë nën presion, sepse përveç parullave të thata se ‘platforma jonë është kushtetuta’, të thëna e stërthëna nga qeveritë dhe opozitat tash e 11 vite, nuk është se ato kanë shpalosur ndonjë opsion tjetër në tavolinë.

A është zgjidhje diskursi liberal?

Ka edhe një qasje që nuk është dominuese në diskursin tonë politik, e që do të mund ta quanim si një diskurs liberal, që bazohet në zgjidhje jo etnike por qytetare. Kjo do të nënkuptonte se ne kemi probleme me serbët e Kosovës, se Serbia na njeh (apo nuk ekziston fare) dhe në atë relacion duhet të zgjidhet problemi. Përveç faktit se Kushtetuta e Kosovës në karakterin e saj njeh identitetet etnike dhe i fuqizon ato (sidomos atë serb), Kosova në thelb problemin dhe konfliktin nuk e ka mbaruar me Serbinë, e cila vazhdon të mos e njoh Kosovën dhe t’i hedh gur e dru konsolidimit të shtetësisë së saj. Serbët në Kosovë me gjithë përpjekjet tona, në këto rrethana nuk ka gjasa të shkëputen nga ndikimi i Beogradit, sidomos jo serbët në veriun e vendit të cilët e kanë edhe homogjenitetin etnik në një territor që po ashtu ka vazhdimësi territoriale me Serbinë. Për më tepër ne nuk mund të jemi egoistë e të merremi vetëm me Kosovën, por kemi obligim të ndihmojmë edhe shqiptarët në Kosovën Lindore. Andaj në këtë kontekst problemi Kosovë-Serbi, është një problem shqiptaro-serb. Ne nuk mund të trajtojmë problemin me serbët në Kosovë pa ndikimin e Serbisë. E po ashtu është e padrejtë që ne të merremi siç po merremi tani e sa vite vetëm me serbët në Kosovë dhe jo edhe me shqiptarët e diskriminuar në Kosovën Lindore. Koncepti qytetar dhe liberal, merr kuptimin e plotë pas zgjidhjes së problemeve në mes të Kosovës dhe Serbisë. Deri sa ky problem mbetet hapur, tensionet etnike do të mbesin të larta dhe nuk shoh asnjë gjasë që të tilla zgjidhje të zbatohen në Kosovë, e aq më pak në Serbi.

Kurthet e Asociacionit

Projekti i asociacionit vjen me kurthe të shumta, qoftë varianti që mund të hartohet dhe implementohet në përputhje me kushtetutën (e cila në vetvete për shkak të privilegjeve ndaj komunitetit serb i jep dorë Serbisë në Kosovë dhe i jep mundësi asaj ta destabilizojë dhe defunksionalizojë Kosovën), qoftë ai me kompetenca ekzekutive. Po ashtu ky projekt shtron një sërë pyetjesh që duhet t’ia bëjmë vetes, por edhe partnerëve ndërkombëtarë. A na njeh Serbia me asociacionin e vitit 2013/2015? A normalizohen marrëdhëniet me këtë asociacion, dhe çfarë do të thotë ‘normalizim i marrëdhënieve’? Pse duhet Serbia të na njoh për një fitore që ajo ka arritur në vitin 2013? Deri më tani, nga diplomatët e huaj, nuk është se ka ndonjë përgjigje të qartë në këto pyetje. Përmendet se Kosova e ka obligim realizimin e kësaj marrëveshjeje por ajo që lihet të nënkuptohet është se bisedimet duhet vazhdojnë deri tek marrëveshja finale. Por bisedime për çka? Bisedime të pafundme teknike dhe gjysmë politike, që ne do të na mbanin në status quo, në tensionime të vazhdueshme në procesin e implementimit të asociacionit dhe në dëmtimin e mëtejmë të funksionalitetit për shkak të asociacionit i cili nuk do të ishte fundi i kërkesave të Serbisë? Çka fitojmë ne: liberalizimin e vizave, Këshillin e Evropës, UNESCO-n, Interpolin? A janë këto të mjaftueshme, për funksionalitetin tonë, apo edhe një karotë më tepër për ta shty vendin nga një krizë në tjetrën. A do vij pas asociacionit kërkesa serbe për autonominë e veriut dhe insistimi i partnerëve tanë (të cilët shpesh e kanë përmend) për një status të veriut si të Tirolit Jugor, apo Komunitetit gjerman në Belgjikë (që nuk është vetëm kulturor e gjuhësor por edhe politik)? A do ta njoh Serbia pas zgjidhjeve të tilla Kosovën? Thënë të drejtën unë fare nuk besoj se Serbia ndonjëherë do ta njoh pavarësinë e Kosovës, por ajo me këtë format të bisedimeve dhe në këtë kontekst kohor e gjeopolitik (me një Rusi të zënë në luftën në Ukrainë me krejt pasojat e kësaj lufte dhe pozicionin serb në raport me të) do të blej kohë, për t’u treguar konstruktive dhe për të ecur para në integrimet evropiane. Kjo rrugë me këto projekte, përfshirë edhe asociacionin me kompetenca jo ekzekutive e pa njohje nga Serbia, duke mos qenë fare një zgjidhje populiste nuk besoj se pranohet nga kryeministri Kurti. Ai është ngritur në politikë mbi refuzimin e të gjitha opsioneve, duke përdorur në rrugën e tij drejt pushtetit jo vetëm refuzimin e këtyre opsioneve, por edhe metoda populiste jonsititucionaliste për fituar simpatinë e qytetarëve, por pa ofruar asnjëherë ndonjë zgjidhje racionale e funksionale për vendin. Kështu ndonëse kohëve të fundit duket i hapur në zbatimin e disa marrëveshjeve teknike me Serbinë, ai në thelb po blen kohë dhe simpati në arenën ndërkombëtare për të thënë Jo-në e madhe për çfarëdo marrëveshjeje që nuk është populiste. E në asnjë variant nuk ka marrëveshje populiste me Serbinë. Mund të ketë marrëveshje që Kosovën e bëjnë edhe më jo funksionale ose të tilla që e bëjnë funksionale. Kështu që zhvillime të tilla mund të shtrojnë rrugën prapë ndoshta për destabilizim politik, destabilizim i cili mund të na fus prapë në rrugën e zgjedhjeve të shpeshta, qeverive të dobëta në numra dhe me legjitimitet problematik politik për të realizuar ndonjë marrëveshje të madhe. Andaj një opsion i mundshëm dhe fatkeqësisht i dëshiruar nga shumica e skenës politike është vazhdimi i kësaj status-quo në të cilën ata janë specialistë të mbijetesës politike dhe zotërimit të skenës politike.

Edhe njëherë mbi asociacionin me kompetenca jo ekzekutive

Arsyetimet se asociacioni i cili nuk ka kompetenca ekzekutive dhe është në përputhje me kushtetutën nuk është i dëmshëm, më së paku thënë është naiv. Çfarëdo grumbullimi i komunave serbe nën një ombrellë, me kuvend e kryetar dhe ushtrimi nga ana e tyre edhe i përgjegjësive të shumta që i kanë si komuna, do të nënkuptonte zgjerim vetanak të përgjegjësive ligjore dhe sidomos zgjerim i veprimit politik të këtij mekanizmi si përfaqësues i serbëve në Kosovë, përkatësisht në rrethanat në të cilat jemi, i Serbisë në Kosovë. Një mekanizëm i tillë do të fillonte të bënte jetën e tij, jashtë kompetencave të tij ligjore e kushtetuese. Asnjë garanci ndërkombëtare nuk mund ta ndalojë as përpjekjen për veprim autonom territorial të këtij mekanizmi e as nuk mund ta ndalojë konfliktin e vazhdueshëm politik e juridik në mes të institucioneve të Kosovës dhe këtij mekanizmi në vazhdimësi. Kjo mund të kthehet në një betejë të pafund politike e ligjore. Ndërhyrja ndërkombëtare mund të zbus konfliktin që të mos e rrezikojë sigurinë në Kosovë dhe sigurinë rajonale, por jo edhe ta zgjidh atë përderisa do të ekzistojë kjo kornizë kushtetuese. Madje me këtë zgjidhje edhe Serbia zyrtarisht mund të ndërhyjë si “palë konstruktive”, siç ia bën herë pas here në Bosnjë dhe Hercegovinë. Asociacioni në çfarëdo variante është vetëm një prolongim i zgjidhjes përfundimtare në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe do të shtrojë rrugën për një formë të re të status-quos në Kosovë, e cila do të prodhojë të njëjtat kriza politike që i kemi ne, të njëjtën logjikë politike në qeverisje, të njëjtin populizëm, të njëjtën mungesë perspektive ekonomike, arsimore dhe zhvillimore. Vazhdim i dëmtimit të imazhit të vendit dhe vazhdim i mungesës së investimeve huaja mund të jenë probleme përcjellëse të një situate të tillë

Cili do të duhej të ishte qëllimi i bisedimeve?

Në këtë rrethin vicioz të debateve që kemi bërë si shoqëri në mënyrë të pandërprerë tash e sa vite rreth bisedimeve, thuhet e stërthuhet se qëllimi i këtyre bisedimeve duhet të jetë njohja e dyanshme, eufemizëm ky për njohjen e Kosovës nga Serbia e që do të pasohej nga anëtarësimi i Kosovës në organizatat ndërkombëtare si OKB, njohja nga ana e pesë shteteve anëtare të BE-së që do t’i hapte dyert për raport institucional me BE-në dhe mundësi për anëtarësim në NATO, etj. Nëse këto që u thanë më lartë, të cilat si synime janë të rëndësishme, janë qëllimet e vetme, a rrezikojmë që duke pranuar të gjitha kompromiset e mundshme në emër të pranimit nga Serbia dhe në organizata ndërkombëtare ta minojmë aq shumë sovranitetin e dhe funksionalitetin e brendshëm sa të humb kuptimi i pavarësisë? Bosnja dhe Hercegovina është shtet i njohur nga Serbia dhe po ashtu anëtare në OKB, por cili është funksionaliteti i saj? Mos të flasim për shtete të tjera, anëtare të OKB-së, por që trajtohen si të brishta (në të kaluarën si të dështuara) si Somalia, Sudani Jugor, Siria, Afganistani etj. E duam një shtet, në cilin prapë ndërhyrja e Serbisë do të jetë e vazhdueshme, veç tash përmes mekanizmave shtesë kushtetues e ligjor të Kosovës? Edhe vetë Pakoja e Ahtisaarit që ishte një kompromis i madh në emër të pavarësisë, por edhe të njohjes nga Serbia dhe e cila solli pavarësinë por pa njohjen e Serbisë dhe e cila është përbrendësuar në sistemin kushtetues dhe ligjor të Kosovës po ashtu i ka vendosur bazat e jofunksionalitetit të institucioneve tona. Tash shtoja kësaj asociacionin, qoftë pa, qoftë me kompetenca ekzekutive! Po shtoja edhe ndonjë model autonomie për veriun! Cili do të ishte kuptimi i anëtarësimit në OKB apo njohjes nga Serbia? Zgjidhje të tilla do të na lodhnin shumë e do të na shndërronin në një vend me tensione të vazhdueshme politike dhe me mungesë optimizmi për të ardhmen. Sipas bindjes sime qëllimi kryesor i bisedimeve do të duhej të ishte rritja e funksionalitetit të shtetit të Kosovës në tërë territorin e saj dhe siguria për republikën tonë dhe qytetarët e saj. Njohja qoftë nga Serbia, qoftë nga pesë shtetet anëtare të BE-së, pranimi në OKB etj., do të duhej të ishin produkt i një marrëveshjeje të tillë, e jo qëllime të saj.

Rruga përpara

Nuk ka dyshim se Kosova nuk mund të vazhdojë të refuzojë opsione dhe të mos ofrojë asnjë projekt të saj, sepse atëherë vërtet do të vihemi nën presionin e realizimit të marrëveshjeve të nënshkruara por edhe të atyre që mund të vijnë si pjesë e presioneve ndërkombëtare. Qeveria jonë dhe partitë politike pozitë dhe opozitë, duhet të lëshojnë pozicionet e tyre të betonizuara dhe duke e kuptuar rëndësinë e situatës të veprojnë me guxim, vendosmëri, kreativitet dhe ofensivë politike. Ne nuk kemi nevojë për politikan manipulues që fitojnë zgjedhjet me agjenda populiste, por burrështetas që na i zgjidhin neve dhe gjeneratave të ardhshme problemet me Serbinë. Situata në veriun e vendit nuk është problem i krimit të organizuar e as i një grupi të caktuar të serbëve të manipuluar nga Beogradi. Të dyja këto janë simptoma të problemit themelor, atë se në veriun e Kosovës legjitimiteti i shtetit të Kosovës kontestohet nga popullsia serbe duke e shndërruar këtë në një problem të thellë politik. Si në çdo vatër krize politike, krimi i organizuar gjen mundësinë për operim për shkak të rrethanave të përgjithshme, e natyrshëm shpesh duke bashkëjetuar e bashkëpunuar me politikën. Por problemet e thella politike, nuk zgjidhen as me polici, as me ushtri, e sidomos jo në këto rrethana të brendshme dhe ndërkombëtare në të cilat është Kosova. Veriu në këto rrethana ka vetëm zgjidhje politike. Janë naiv ata që mendojnë se Kosova me forcë mund të vendos legjitimitetin e saj në atë pjesë. Nuk ka shtet që e bën atë pa pajtimin e popullsisë lokale. Ajo që mund të prodhojë një situatë e tillë është jostabilitet i vazhdueshëm, tensione me rrezik të trazirave siç i pamë tani së fundmi, të shfrytëzuara në varësi të rrethanave herë nga Serbia, herë nga Rusia e herë nga të dyja bashkë. E para ka për qëllim të dëshmojë sesa projekt i dështuar është pavarësia e Kosovës, e dyta ka për qëllim të krijojë jostabilitet politik në rajonet gjeopolitike që janë nën ndikimin e aleancës veri atlantike. Sidoqoftë, jam prej atyre, që mendoj se luftë klasike në këto rrethana nuk mund të ketë, e as ndonjë sulm të hapur të Serbisë. Kjo do të ishte vetëvrasje e Serbisë dhe ajo nuk e bën këtë gabim. Këtu është KFOR-i, përkatësisht NATO-ja dhe SHBA-të të cilat mbrojnë jo vetëm Kosovën por edhe interesat e veta gjeopolitike dhe gjeostrategjike. Po flas për veriun e Kosovës, ndërsa për pjesën tjetër të Kosovës jemi edhe ne, institucionet e Kosovës, populli ynë dhe gatishmëria për të mbrojtur lirinë e fituar me shumë mund. Po cila duhet të jetë rruga përpara? Nuk ka dyshim se rrugë të lehtë përpara nuk kemi, por asnjëherë nuk kemi qenë në pozitë më të mirë si Kosovë dhe si shqiptarë që të insistojmë në zgjidhjen e problemeve me Serbinë. Së pari duhet ndryshimi i qasjes së bisedimeve: jo bisedime teknike, e as bisedime të pjesshme politike, por bisedime politike për thelbin e problemeve e që do të çonte në marrëveshjen finale. Mbi cilin parim do të duhej të zhvilloheshin këto bisedime? Mbi reciprocitetin politik si qendra e bisedimeve: atë që kërkohet për veriun e Kosovës, duhet të vlejë edhe për Kosovën Lindore. Dhe ky parim të përdoret për të tejkaluar edhe presionin për asociacionin. Asociacion për serbët në Kosovë, asociacion për shqiptarët në Kosovën Lindore. Autonomi për veriun, autonomi për Kosovën Lindore. Madje kjo do të mund të vlente edhe për variantin e zgjidhjes qytetare: shtet krejtësisht qytetar në Kosovë, shtet qytetar në Serbi. Në këtë drejtim reciprociteti politik sa i përket të gjitha opsioneve është jo vetëm parimi i duhur por edhe i vetmi i drejti dhe që i vë palët në pozita barazie. Po cila duhet të jetë zgjidhja finale? Ripërcaktimi i kufijve në mes të Kosovës dhe Serbisë si zgjidhja e vetme që Kosovën e bën funksionale. Një zgjidhje e tillë, jo që ndalon krijimin e asociacionit, por krijon mundësinë për ndryshimet kushtetuese për të hequr privilegjet bllokuese për serbët dhe mbajtur vetëm të drejtat për pakicat, dhe e cila do të funksionalizonte tërësisht Kosovën. Po ashtu me këtë zgjidhje Kosova Lindore do t’i bashkohej Kosovës, duke kryer edhe një obligim kombëtar, shtetëror e ne të gjithë edhe njerëzor që kemi ndaj asaj pjese të kombit. Krejt në fund kjo zgjidhje e hap edhe mundësinë për të diskutuar dhe dizajnuar edhe procesin e bashkimit në mes të Kosovës dhe Shqipërisë nëse për këtë ka vullnet popullor dhe politik. Nuk jam naiv të mendoj se kjo zgjidhje është e lehtë. Është shumë e vështirë, por nuk shoh rrugë tjetër. Duke e kuptuar se përmendja e kufijve njëherë mund të duket traumatike, rruga e duhur është që ne të fillojmë menjëherë të vendosim në tryezën e bisedimeve Kosovën Lindore dhe zgjidhjen e problemeve atje përmes zbatimit të reciprocitetit me veriun e Kosovës. Përndryshe nëse do të vazhdojmë të flasim vetëm për zgjidhje brenda Kosovës, të gjitha zgjidhjet vetëm për të, qoftë mbetja e kësaj status quoje, qoftë asociacioni në të gjitha variantet e tij, e qoftë edhe ndonjë autonomi për veriun, do të na lodhin aq shumë në planin afatgjatë sa kur të kërkojmë vetë që të kthehemi tek ripërcaktimi, rrezikojmë të mos kemi më shqiptarë në Kosovën Lindore dhe të kemi betonizim të Serbisë tek lumi Ibër.