Shkruan, Marie Gusho: Kur mami mbylli sytë më 3 gusht 1983 në Pogradec, im atë ra në gjunjë para saj, i mbushur me lot, duke i puthur ballin, faqet, buzët, duart, trupin, çdo gjë. Kjo pamje ishte aq e dhimbshme sa e pabesueshme për një njeri si ai që kish jetuar tërë jetën me kokën lart, pa iu përkulur kërkujt, madje as regjimit. Lotët tona bashkoheshin me lotët e tij, dhimbja jonë bashkohej me dhimbjen e tij duke krijuar kështu një lumë dhimbjesh për atë njeri engjëll.
Edhe në këtë ndarje të përkohshme fizike, ai në heshtje apo në mërmëritje të thella shpirtërore, në meditime të gjata, e kishte me vete mamin, fliste, bisedonte e kërkonte e thoshte: “Ishte aq e mirë, nuk ma prishi kurrë!”. E kështu kaluan katër vjet deri sa i shkoi pranë më 12 nëntor 1987 për të mos u ndarë më kurrë.
Eh ç’dhimbje ndjen poeti sonte,
Kur vetë liqeri hesht dhe s’fle,
Kur vdekja nëmur përvëlonte
Vështrimin e shpirtit që s’u zbeh.
Eh ç’dridhje lotësh mbi qerpikë,
Kullojnë e bien si t’ish vesë,
Ku erë e gjolit fryn e s’ik
Si shpirt i nxirë e i pashpresë.
Sa kohë poeti liqerin thithi,
Si gji mëme në foshnjëri,
Në shpirtin e tij llauz-trazuar
Vdekja e gruas i dha pleqëri.
Dhe qau, qau dënesë-vrarë,
Me lot të shuar vetmi-flakur,
Po ja tek këmbët e tij zvarrë-zvarrë
Pëshpëritja e valës plakë ka ardhur.
Poeti hedh mbi të vështrimin,
Dhe dorën zgjat ta prekë atë,
Dy vajzat vijnë dhe mallëngjimin
Në shpirt ja sjellin ai s’bën zë.
Dhe ja kështu mes dehje yjesh.
Mes erërash netësh dhimbjesh rri,
Mes puthjesh bijash, humbur dhimbjesh
Poeti gërryen shpirtin e tij.
Rinush Idrizi
Letërkëmbimi mes Lasgush Poradecit dhe bashkëshortes së tij
Letër e Lasgushit dërguar Shqipes, (Nafijes)
Zonjës Shqipe Lasgush Poradeci
Durrës
Tiranë, më 16 Nëntor 1939, ora 10.5’ natën
Shqipja ime e dashur,
Jam i lumtur që po të shkruaj letrën e parë me emrin Shqipe, të dëshëruar prej meje dhe të pranuar me aq gëzim dhe kryelartësi prej teje vetë. Më je lutur kaq herë të të shkruaj me këtë emër, nuk të shkrojta gjer më sot sepse nuk e dinja mirë në e pranon nga gjithë fuqija e shpirtit t’ënd. Lutjet e tua të përsëritura më dhanë arësye të t’a përmbush dëshirën më në fund sot.
Ky është emri yt i vërtetë tashi e paskëtaj, do t’a mbash me mall dhe me durim, është simboli i pavdekur i atdhedashurisë s’onë, bashkimi më një i shpirtrave t’ona kështu të përvëluara.
Shqipe! T’a dish sa gëzim, sa ngushëllim më fal ky emri yt i ri! Si më ra mua nërmënd? Pse e prite ti me aq dashuri? Desha të çmall një mallin t’im të brëndëshmë, t’a kem Shqipërinë gjithnjë të gjallë dhe të bukur dhe si nuse e re që është, t’a kem përpara syve të gjallë në veten t’ënde, prandaj më ra nërmënt ashtu. Ti e prite ashtu se mendove gjith si mua, je gjith vetëm Shqipëri, trup i pastër prej vashe shqiptare dhe shpirt fisnik shqiptar, je kështu drita jonë e të dyve në dashurinë e të shenjtit Atdhe.
Mba-e-tashi këtë kurorë me mburrjen t’ënde të dashur, është themeli i bashkimit t’onë kombëtar, kulmi më i lartë i dhembjes dhe i gazit dhe i ëndrrës s’onë së përzëmërt atdhesore.
Kështu të bësh, kështu do të bësh ti Shqipja ime e dashur. Nuk t’a them unë, ç’të t’a them unë atë që ti e di vetë. Unë kam bindje të madhe në idenë t’ënde shqiptare, bëhem gjithnjë më i bindur se ti do bësh tërë theroritë për të ngritur përdita më lart vetveten t’ënde shqiptare. Për të kulluar dhe për të fisnikëruar sa vjen më shumë, me punë, me vepra, me prova të gjalla, jo me fjalë, shqiptarësinë t’ënde edhe me kaq gjer më sot mjaft të dashur për mua.
Kështu ti o Shqipja ime e ëmbël? E kupton ti tashi pse heshtnja unë gjithnjë kur më pyetnje, dhe më kujtonje dhe më luteshe dhe më qaheshe për emrin t’ënd të ri? Që pse s’të kam shkruar, pse s’të shkruaj, pse s’të dërgoj një letër me emrin Shqipe? Kur më telefonove prej Durrësi dhe më the “Shqipja”, dhe kur më the se të ardhi turp kur vajte në postë dhe pyete në ke letër me emrin “Shqipe” dhe postjeri të tha se jo, mua më ardhi keq për ty, po më ardhi dhe shumë mirë. Më ardhi keq dhe mirë, prandaj vendosa më në fund të të shkruaj ashtu. Dhe ti e di, vendimi im nuk këthehet. Vendimi im, është fjalë e dhënë shqiptare. Fjala e dhënë shqiptare quhet besë shqiptare.
Kjo? E Shqipes! Jo?? E Shpirtit t’im!!
Ty të merr nër kraha dhe të puth me zjarr
Lasgushi yt
Letër Lasgushit,
nga bashkëshortja, Nafija nëntor 1939
Shum i dashur Lasgush,
Rrijë në shtëpi si e mpitë… Shtëpija që më parë ish për mua vëndi më i dashur, tashi s’më duket ashtu. Shkakun dij t’a gjej vetë. Ishin njerzit e kësaj shtëpije ma të dashurit që ma banin shtëpinë të dashur, po tashti me qënë që njeriu ma i dashur i jetës s’ime asht larg, më ngjan kjo.
Lasgush, shpirt i em! Sa më gëzove me kartolinën. Me ndërrimin e emrit në “Shqipe” më duket se kam le edhe nji herë. Ndjehem më e lartë, më fisnike. Më duket se tashti do më duash më fort se më parë. Një ndjenjë e mbrëndëshme më siguron se Shqipja asht pëllumbeshë ëngjëllushe e shpirtit tënd të lartë, që të dhuron atë që ti e kërkuar vite më rradhë: Zemrën e pastër të një femre kushtuar ty dhe artit t’ënd.
E frymëzuar prej dashurisë t’ënde filloj t’a ndryshoj jetën t’ime të zakonshme. Jam tuj u përmirsue e tuj u ngrit lart shpirtërisht përdita sa më shum. Rreth meje tashti që të kam ty asht: Dritë, Kthjelltësi e Shkëlqim! Ngadal jam tuj e njoftun mirë jetën… sa e mirë dhe sa e keqe asht, e them me bindje se jam e fortë me përballue valët e saja. Ç’prej martësës s’onë ftyra e ime shpreh vetëm Lumturi të plotë. Ato ditë nuk fitova vetëm një burrë, por edhe një mësonjës e edukues.
Shum të puthura e jotja Nafije (jò) Shqipe
*Shënim: Në fotografinë kryesore, Lasgushi me bashkëshorten, Nafijen – Marubi