MENU
klinika

Piktori i Popullit

Motivet shqiptare të Abdurrahim Buzës

14.08.2022 - 15:05

        Tema shqiptare do të shfaqej magjepsëse, me fantazinë dhe koloritin që studenti shqiptar do të karakterizohej, duke befasuar stafin pedagogjik italian: Abdurrahim Buza u lind në Shkup, në një familje me origjinë nga Gjakova. Me ndihmën e Bajram Currit, ai vazhdoi shkollën fillore në Shkodër dhe Tiranë dhe më pas, Normalen e Elbasanit.

Abdurrahim Buza në historinë e arteve pamore shqiptare vlerësohet si një nga mjeshtrat e mëdhenj të pikturës, piktorin e tablove historike dhe sociale, mësuesin dhe pedagogun e nderuar të kaq e kaq brezave artistësh, mjeshtrin e penelit dhe burrin e urtë e fjalëpak, që me veprat e tij mund të vlerësohet si “Piktori Kombëtar”.

Bir i një familjeje patriote nga Gjakova, Abdurrahim Buza ishte një fëmijë mjaft intiligjent, ai hyri në shkollë në moshën 5 vjeçare. I mbetur jetim në moshën 8 vjeçare me mbështetjen e patriotit Bajram Curri vazhdon studimet e mesme në shkollën normale, Elbasan. Buza studimet e larta i kreu në Itali (ishte student në Torino një vit), por studimet e rregullta i kreu në Akademinë së Firences në degën e pikturës Monumentale. Pas kthimit nga studimet në Shqipëri ai do të ishte pjesë e stafit të pedagogëve në shkollën e parë të vizatimit në Tiranë (1933) e më tej ndër pedagogët e pare të Liceut Artistik “Jordan Misja” (Tiranë) dhe për shumë vite nëndrejtor.

Krijimtaria e piktorit Abdurrahim Buza është shumëplanëshe dhe e niveleve më të larta artistike. Gjatë rrugës mbi 50-vjeçare krijuese, Buza lëvroi peizazhin, natyrën e qetë, portretin, kompozimin në teknikën e vajit dhe realizoi mbi 10 000 vizatime, të cilat bëjnë pjesë në koleksionin e familjes Buza (në studion muze të piktorit)

Në rreth 600 tablo në vaj, që realizoi mjeshtri në krijimtarinë gjysëm shekullore gjejmë tablonë me temë historike dhe aktuale (kryesisht të betejave të popullit shqiptar për liri, portrete dhe kompozime kushtuar heronjve të këtyre luftrave, jetës së popullit të thjeshtë në gëzime dhe vuajtje, punës së përditëshme të tyre etj, etj.).

Vepra piktorike e Abdurrahim Buzës edhe pse njihet e është vlerësuar si e veçantë për konceptimin dhe koloritin, për mesazhet dhe filozofinë, për magjinë dhe komunikimin vazhdimisht është një burim i pashtershëm elementësh simbolik dhe mesazhezh që kanë inspiruar breza të tërë artistësh në krijimtarinë e tyre. Vepra e tij duhet dhe ka akoma nevojë të njihet nga artistët e rinj dhe të analizohet dhe rivlerësohet nga studjuesit dhe historianët e artit shqiptar. Buza student shpaloste para Akademikëve seriozë e të rreptë një “veçanti”. Ai realizonte temën shqiptare duke çuditur dhe magjepsur me fantazinë dhe koloritin që përdorte, stafin pedagogjik italian. Edhe diplomën Buza si monumentalist e projektoi ta realizonte në afresk për ambjentet e një aeroporti, ajo titullohet “Të pastë baca aviator”. Me kthimin në Shqipëri (1933) mjeshtri realizoi një cikël me peizazhe dhe portrete të ndikuara nga impresionizmi dhe ekspresionizmi.

Të kësaj periudhe janë: “Autoportret”, “Vajza me kordele”, “Rrugë në Pogradec”, “Nudo”, “Naska”, “Teleti”, ”Gruaja me dhinë”, “Fehmija”, “Sitkiu”, etj. Eshtë periudha kur artisti ruante kontaktin e drejtpërdrejtë me natyrën dhe me modelin.

Më tej mjeshtri kaloi në një stad tjetër artistic, vëmëndja e tij kthehet gradualisht nga tabloja përshkuese – narrative në pikturën e një forme dhe komunikimi tjetër më të koduar, më simbolike dhe dekorative; pothuajse si në ikonat e magjishme bizantine. Brenda këtyre “Ikonave” (që për artin shqiptar akoma nuk janë studjuar plotësisht) ndodhet “misteri Buza”.Si në bizant kur u krijuan tipat dhe arketipat Buza krijoi tipat e tij gjithmonë në një lëvizje gati jotokësore, ata më së shumti paraqiten në profil, me duar here-herë të mëdha, me lëvizje magjike delikate të nuseve kosovare apo në kushtrimin e burrave luftëtarë që nuk mposhten. Artisti Buza me pak fjalë, pa bujë, me artin e tij edhe pse me tablotë e formatit të vogël, krijoi një vizion tjetër pikturimi dhe komunikimi me publikun e kohës. Ai herë trajtonte në „Ikonat“ e tij krenarinë shqiptare e herë me delikatesë pikturonte apo vizatonte (me mijra vizatime) kompozime për lojrat popullore, barinjtë, malësorët, dasmat, jetën e punën e popullit të tij sipas kujtimeve e përjetimeve si në legjenda apo dhe më pak tablonë me temën e ditës. Duke iu kthyer historisë, ai e kishte më lehtë për kohën kur jetonte dhe “kërkesat e saj”, të mbyllej në mbretërinë e artit të tij duke krijuar kodin, apo çelësin e pikturës “monumentale”me emrin “Buza:. Edhe pse duke filluar me tablonë “Barrikadat në Tiranë”(1945) dhe më tej “Refugjatët”(1957), “Nusja kosovare” (1967), “Lojrat popullore” (1971), “Dasëm gjakovare” (1979) etj. Buza shpalosi qartazi figurën e një piktori bashkëkohor – modern shqiptar e ndofta hapi një faqe të re në artin e kohës, ai mbeti herë – herë i vetëm dhe pse jo: i papërkrahur apo i pakuptuar, i rrethuar me xhelozi e ambicie, i përfolur e i pëshpëritur nga “kolegët artistë”. Buza në këto rrethana nuk rreshti së pikturuari e vizatuari i tërhequr në studion e tij. Piktura e tij tashmë e koduar por figurative ka një “mburojë” – temën shqiptare të qëndresës dhe heroizmit.

Magjija dhe cilësia e lartë e artit të pikturës së mjeshtrit Abdurrahim Buza qëndron me personalitetin e tij si një figurë artistike e dimensioneve europiane, në lëvrimin e temës shqiptare me profesionalizëm e gjuhë artistike moderne, ku spikasin dekorativiteti, simbolika dhe koloriti i veçantë. Artisti Abdurrahim Buza sigurisht që me artin e tij ka ndikuar në krijimtarinë e shumë artistëve shqiptarë në gjysmën e dytë të shekullit XX. Ashtu si Idromeno i madh që me tablonë “Motra Tone” ku përveç një mjeshtrie artistike të pazakontë jep mesazhe dhe imazhe sociale për shoqërinë shqiptare dhe femrën shqiptare, ashtu si Mio që me poetikën, impresionin dhe bukurinë e peizazhit shqiptar “zbuloi” edhe gjëndjen sociale të qytetit dhe fshatit shqiptar edhe mjeshtri Abdurrahim Buza në ciklet e tablove të tij shpalos dramën shqiptare në padrejtësitë që kombit të tij i kanë ndodhur, në përpjekjet mbinjerzore që ky popull historikisht është pëpjekur të mbijetojë në liri dhe trojet e tij. Buza ashtu si Kadareja i madh, (që na ka shpalosur magjinë e jetës së qytetit të tij të ngurtë Gjirokastrës), na sjell natyrshëm magjinë dhe misterin e jetës së popullit kosovar, zakonet dhe doket tradicionale, heronjtë dhe burrat e Kosovës, jetën e përditëshme; që të magjeps dhe të trondit, që ashtu si në sixhadet e mrekullushme të Kosovës, ai “end e qëndis” me penel historinë e saj. Individualiteti i mjeshtrit Buza tashmë vlerësohet edhe për stilin e tij dhe paletën piktorike që edhe pse shpaloset në tablo të dimensioneve modeste janë monumentale e shpesh madhështore e që përshkohen nga misteri i një bukurie pa cak.

Shteti shqiptar e ka nderuar dhe vlerësuar krijimtarinë dhe figurën e piktorit Abdurrahim Buza, duke e dekoruar dhe nderuar me titujt e lartë “Mësues i Merituar”, “Piktor i Merituar” dhe “Piktor i Popullit”

Galeria Kombëtare e Arteve ka botuar në vitin 1980 një album modest (në disa gjuhë) për artistin me titull: „Abdurrahim Buza“, ndërsa veprat e tij ishin pjesë e ekspozitës që u përurua në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë (më 24 nëntor 2005) me 20 artistëve që studjuan në Itali nga shek.XIX – XX. Emri dhe vepra e tij janë pjesë e Katalogut me titull : “Artistë Shqiptarë në Akademitë Italiane” të autorëve Ylli DRISHTI dhe Leon ÇIKA.

Shkrime mbi artistin

“Në një dollap të madh ishin stivosur njëra mbi tjetrën me mijra fletë të mbushura me skicime lëvizjesh. Shqiptari duke ecur, duke shkuar në dasëm, në luftë, në pritën e gjakmarrjes; Shqiptari në valle, në gjamë, në kthim. Lëvizje të furtunëshme meshkujsh dhe lëvizje poetike grash. Reumatizmi madhështor në gjymtyrët e pleqve, statizmi i nuseve, luftëtari i plagosur duke çarë rrethimin, partizanët në barrikadë, refugjatët. Ishin mijra që lëviznin në mijëra drejtime, një det i tërë njerëzor, opingat, këpucët apo thjesht tabanet e zbathura të së cilëve bënin një rropamë të shurdhër. Kishte gjysëm shekulli që e kishte nisur këtë pasion. Profesorët e huaj në Akademinë e pikturës përkuleshin të habitur, disa të mrekulluar, disa mospërfillës mbi vizatimet e tij. Ata kërkonin shpjegime: ç’janë këto vija të zeza si mekanizma që venë në lëvizje rrotat e lokomotivave? Janë tirqe, shpjegonte ai, kështu i kanë robat malësorët tanë.Po ç’është kjo mënyrë të ecuri dhe ç’është ky mbisskrim këtu poshtë? Kështu ecin malësorët tanë dhe këto janë fjalët e një kënge. Po kjo është një ecje tjetër lloj, thuaj se brenda trupit ata kanë zgavra ajri, që ja lehtësojnë mishin dhe kockat. Ndoshta kjo është tamam ashtu, shpjegonte ai, ata hanë shumë pak zotni, po, po kjo është e sigurt ata kanë vërtet copa ajri në stomak…“

Ismail KADARE (marrë nga vëllimi „Emblema e dikurshme“, në tregimin „Në studio, në vjeshtë“ kushtuar A.Buzës. Arkivi i GKA,Tiranë )
“Mua gjithnjë më ka vënë në mendime vepra e Avdurrahim Buzës, një vepër e pabujshme, më ka vënë në mendime për frymën e saj rinore, për atë ndjenjë të hollë poetike e për atë kërkim të përhershëm filozofik. Po të rrish e të mendosh për një çast, do të shohësh se veprën e tij e përshkon mendimi i ekzistencës kombëtare, i asaj kocke të fortë që thyhet sado që të epet. Në këtë kockë është dhe lindja edhe vdekja, edhe puna, edhe lufta për panvarsi dhe liri, edhe vallja edhe dasma…Abdurrahim Buza nuk i hyn një pune pa gjetur atë që ne e quajmë nisje estetike të faktit. Faktin ai e trajton artistikisht dhe jo fotografikisht… Historia e popullit shqiptar vërshon në veprën e piktorit dhe le gjurmë të pashlyeshme dhe këto gjurmë kthehen në vepra që fisnikërojnë njerinë“

Dritëro Agolli (dhjetor 1975, Arkivi i GKA, Tiranë)

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN



U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit