Vijnë në një bisedë të hapur, dy miq të vjetër. Rudina Xhunga udhëton me “Dritare”, deri buzë liqerit…
Disa sekrete më shumë:
…
Rudina Xhunga: Çfarë është Pogradeci, në fakt?
Mevlan Shanaj: Po tani, po të përdorësh atë zhargonin e zakonshëm do të thuash Pogradeci një mrekulli. Unë do të thosha që Pogradeci, e ka ose nuk e ka, por merita është e liqenit. Çfarë është liqeni? Liqeni është një sugjestion i çuditshëm, shumë pa karakter. Liqeni më pa karakter që mund të imagjinohet. Çdo të thotë pa karakter? E ndërron ngjyrën, atë ngjyrën që nuk e kap gjatë gjithë ditës.
Rudina Xhunga: Liqen pa karakter, unë qesha kot, nuk e kuptova.
Mevlan Shanaj: Ka një ndryshim ngjyre të çuditshme, të vazhdueshme, brenda ditës, syri merr informacion shumë ngjyrëshe dhe të paimagjinueshme. Duket sikur edhe një piktor i dashuruar pas lëvizjes së penelit të ngjyrave, nuk mund ta arrijë atë ndryshim ngjyrash që merr Liqeni brenda ditës, në çdo stinë, në çdo sezon. Është relaksues. Dhe kjo e bën them unë njeriun që viziton Pogradecin të dashurohet, ose të ketë dëshirë të kthehet.
Rudina Xhunga: Sa vjet u bënë në Pogradec?
Mevlan Shanaj: Shumë, nga 2003-shi.
Rudina Xhunga: Po si erdhe një ditë, si e zgjodhe Pogradecin? Natasha, është korçare, apo jo?
Mevlan Shanaj: Korçare, por Natasha ka qenë mësuese këtu, dy vjet, para se të vinte në universitet. Unë me Pogradecin kam rënë në kontakt në 1963, kanë qenë disa kampe. Në verën e 1963-shit. Kishte sugjestion, kishte poetikë, dhe këngët, mënyrën se si vijnë mbrëmjet, me kitarë, me të kënduar ose si e servirin kënaqësinë e tavolinës pogradecarët. Janë tradicionalë. Dhe përgjithësisht duhet menduar, se janë njerëz të traditës, me një botëkuptim të pranueshëm, kanë mikpritjen, qetësi, dëshirën për të dëgjuar. Dhe në rast se ka ndonjë çmenduri, unë them epo të çmendur ka gjithandej, por Pogradeci ka më pak se kudo.
Rudina Xhunga: Sa kohë rri në Pogradec?
Mevlan Shanaj: Shumë. Vij kur fillon pranvera, që piqet dhe iki kur vjeshta vjen vonë.
Rudina Xhunga: Nuk të rrihet në Tiranë?
Mevlan Shanaj: Nuk është se nuk më rrihet, por këtu ndjehem më mirë. Ndjehem mirë në gjithçka. Në relaks, por edhe në privatësi. Edhe punët e mia, i bëj qetë këtu. Natasha është shkrimtare, dhe Pogradeci i jep asaj intensitet të madh krijues.
Rudina Xhunga: Po njerëz të vijnë këtu? Kush vjen nga koha e artit, prej vërteti?
Mevlan Shanaj: Gjithë miqtë. Nuk mendoj se ka mbetur ndonjë nga miqtë e mi pa shkelur, pa ardhur për vizitë, pa pirë një gotë verë në shtëpi. Po të bëj listën është shumë e gjatë.
Rudina Xhunga: Rrini në shtëpi, apo këtu e ke tavolinën ku i sjell?
Mevlan Shanaj: Ajo atje është tavolina, e dëgjove si thanë ata për atë tavolinën.
Rudina Xhunga: Po, ajo është tavolina e Mevlanit, është e profesorit.
Mevlan Shanaj: Edhe në shtëpi, ne kemi kënaqësi të konsumojmë një gotë verë.
Rudina Xhunga: Kush gatuan te ju?
Mevlan Shanaj: Nuk është se nuk gatuaj unë, por marr ndonjë rast të veçantë, për shembull kur dua të bëj ndonjë peshk të mirë. Jeta jonë është normale, me miq me shokë. Takohemi dhe kur takohemi çfarë do të diskutojmë ne tjetër, përveç halleve tona, problemeve tona, artin. Unë nuk di të bëj ndonjë gjë më të bukur. Kam nga 1965 deri më tani, që merrem me art. Apo Natasha që 16-vjeçe. Ne duam, nuk duam, aty do të puqemi, edhe dëshirat, edhe interesat, diskutimet. Pastaj diskutimet për artin nuk kanë një limit. Është si puna e dashurisë që ti je i dashuruar, por nuk e di ku është fundi, ku është stacioni. Unë mendoj se krijuesi i vërtetë është ai që nuk i shkel syrin vetes, por e kafshon veten.
Rudina Xhunga: Gëzuar, për ata që kafshojnë veten!
Rudina Xhunga: Si ishte, të intervistoje Lasgushin?
Mevlan Shanaj: Ishte perandor, diktator.
Rudina Xhunga: Këtu ke qenë?
Mevlan Shanaj: Aty, dy metra më andej. Njeri i madhërishëm, njeri i lirë, me një mendim të pacensuruar, absolutisht. Poezinë e donte, gjithçka që fliste ishte për poezinë dhe estetikën, por nuk donte të ngatërrohej me mendime sociale apo politike, çfarë thonë shqiptarët. Ai donte poezinë, por ishte diktator. Nuk guxonte njeri jo ta kundërshtoje, por as ta plotësoje. Për shembull të pyeste: “E di?”, i përgjigjesh: “Po e di” dhe të thoshe: “Asgjë nuk di.” Ai kishte miq të afërt në tavolinë, Nuçi Tira dhe Misto Marko ma krijuan edhe mundësinë dhe si të thuash e kandisën që të fliste, se ishte i vështirë. Nuk donte. Atë ditë kemi qëndruar gjatë, kemi folur, biseduam, pinim verë, ai pinte dhe raki. Kur them pinte, pinte për kënaqësi. Nuk ishe i shquar. Ai ishte i shquar në autoritet. Autoritet absolut. Kam episode të bukura, jo vetëm këtu, gjatë bisedës. Më ka mbetur ndër mend, ishte i varfër, por e mbante veten. Kishte një kostum të vuajtur. Dhe po frynte pak erë. Me një kravatë të zezë, dhe këmishë të bardhë. Po ecnim buzë Gjolit. Në mbrëmje po frynte erë, dhe i thotë Misto: “Zoti Llazar, po fryn gjoli.” “Jo, jo jam mirë.”-tha dhe më mori dorën ma vuri te gjoksi. Kishte vendosur karton poshtë këmishës.
“I kam marrë masat.”- tha. Poshtë këmishës, kishte vendosur karton të mos ftohej. Një gjest i bukur, që ja po e tregoj pas kaq shumë vitesh. Dëgjo, ne themi Pogradeci i Lasgushi dhe i Kutelit, por unë kam shembuj duke gërmuar, është qyteti që këtu e kanë shkelur të gjithë artistët e famshëm të Shqipërisë. Regjisorë, janë disa filma të bërë këtu. Kristaq Dhamo, Xhanfise Keko, por edhe unë edhe Saimir Kumbaro.
Rudina Xhunga: Edhe ti ke një film këtu, në Drilon!
Mevlan Shanaj: Këtu isha aktor, ishte filmi i Saimirit ai.
Rudina Xhunga: Ke qenë gjithmonë personazh pozitiv?
Mevlan Shanaj: Jepja këshilla.
Rudina Xhunga: Një gjë e mirë, apo jo?
Mevlan Shanaj: Në atë kohë më erdhi pak keq, pasi kisha luajtur heronjtë. Punoja si regjisor, por vija ndonjëherë në film. Mirëpo tani me kalimin e viteve, sidomos kur e shikoj këtë shoqërinë tonë me moral tepër të tronditur, tepër të tronditur. Një shoqëri që po përjeton një krizë të madhe morale, administrative, ekonomike, psikologjike, mund të flas shumë në këtë drejtim. Them e di që tani ka qenë e mirë ajo që luaja ato role, që jepja këshilla, se njerëzit kanë nevojë për këshilla në këtë vend. Se këshilla është që të japësh modelin. Po cili është modeli? Modeli i asaj që shoqëria e do, njeriu e do të mirën. Njeriu e do të mirën, le të dëgjosh ti sa andej-këtej, të gjithë mbajnë një qëndrim, rrudhin buzët, distancohen. Edhe ata që kanë siguruar një jetesë pak të dyshimtë, nuk e kanë përkrahjen në popull. Populli e shikon, e ndjen njeriun e ndershëm dhe nuk ka gjë më të bukur, se sa të prekësh në sensibilitetin shpirtëror të njerëzve. Mua më ka pëlqyer që të kem natyrën komunikuese, jo vetëm në krijimtari, se aty kam pretenduar që të bëj filma me psikologji, me një mesazh të madh, të gjerë, për të qenë gjithmonë pranë njeriut të pambrojtur. E kam këtë ndjenjë. Edhe kur ndodh në boks po them, unë jam e atë të shkretin që po rrihet. Dua të jem në anën e atij që nuk e ka mundësinë. Ndoshta e kanë të gjithë artistët.
Rudina Xhunga: Ja, si ai që po peshkon, për shembull.
Mevlan Shanaj: Ai që po peshkon është njeriu më i qetë. Në këtë minuta, se ai nuk mendon për asgjë, vetëm për peshkun. Ma ka thënë këtë Kadri Roshi, Naim Frashëri se u thashë: “Bo, si duroni?” Vajtëm një herë për të xhiruar andej nga Lezha. Çfarë nervash keni. Isha i ri atëherë. Ah më thanë mua: “Nuk vuajtke nga nervat.”
-“Pse?”- u thashë. “Po të vuash nga nervat, vjen këtu i shkarkon, në qetësi.”
Rudina Xhunga: Si e ke mbajtur veten kaq mirë, ti je shumë mirë, nuk ke moshë tani që flasim?
Mevlan Shanaj: Kur të bëjnë kështu komplimentesh gocat dhe fillon e gënjen veten.
Rudina Xhunga: Po, po, gocat, gocat. Po më thuaj, çfarë ke bërë?
Mevlan Shanaj: Nuk bëj ndonjë gjë të veçantë. Dëgjo, njeriu plaket nga mendja, siç duket e kam vështirësinë nga mendja unë.
Rudina Xhunga: I ke thënë mendjes “mos u plak!”?
Mevlan Shanaj: Jo i kam thënë që: “Jeta është e bukur, duhet jetuar, jetoje!” Për shembull, mund të jetë një cilësi Rudina, unë di të fal. Këtë ma ka thënë im bir, më ka bërë përshtypje tha, njëherë tani vonë. Burrë shqiptar që kërkon falje, ti babi im je tha. Ndoshta kjo krijon hapësira te unë që të mos mbetem kështu i goditur, i gozhduar. Nuk kam menduar ndonjëherë, ç’është kjo Rudina, të të përflas, ose keq. Të lë në zgjidhjen tënde. Kam një komoditet të brendshëm. Nuk po them që janë këto arsyet, që thua ti dukesh mirë, por inatin ta thash e kam pasur me veten, ta bëj më të mirë punën e radhës.
Rudina Xhunga: Jo me botën. Pastaj, bëre këtë zgjedhjen e mençur që ike nga Tirana, një pjesë të kohës dhe zgjodhe një vend si ky.
Mevlan Shanaj: Kjo është vërtet një nga gjërat më të mira, jo vetëm për jetëgjatësi, por edhe për relaks. Miqtë e mi kur vijnë këtu, për aq pak orë, ndjehen mirë. Por këtu këto vite më kanë ardhur edhe fëmijët, është viti i parë që nuk vijnë. Dhe një muaj që vijnë ata, unë bashkë me Natashën, mbetem një shofer shumë i mirë. Kur vijnë fëmijët, shkoj gjithandej ku duan, dhe jam i kënaqur në këtë mjedis me ajër të mirë, me paqen ndjehen mirë. Dhe më shkruajnë: “Si nuk do të vijmë këtë vit babo?” Dhe unë i furnizoj me fotografi.
Rudina Xhunga: Ato që më dërgove edhe mua. Domethënë ky është pasioni i kësaj kohe, fotografia.
Mevlan Shanaj: Është pjesë e ndjesisë sime. Pastaj fotografia është një dhuratë shumë e madhe, një mundësi shumë e madhe. Një frame, merr vulë historike, merr emocione, mendo një fotografi që të jepet rastësisht këtu, e vendos në mur, jo në album dhe sa herë kalon dhe e shikon, e sjell, ti jeton me atë çast. Fotografia është sa emocionale, aq edhe historike, një dokument. Këtu në Pogradec, unë nuk është se rend të bëj fotografi, ato janë të çastit. Por unë kënaqem, ua dërgoj miqve, ndonjëherë i hedh në Facebook, krijoj kolazhe. Është mënyrë komunikimi bashkëkohor.
Rudina Xhunga: Ja pra, prandaj erdha në Pogradec. Erdha në Pogradec, jo për Pogradecin. Erdha për veten dhe për njerëz si unë, që kur i thashë Mevlanit, këta që kanë ankthe duhet të vijnë në Pogradec, po ti tha, pse merr veten me të mirë, ti nuk ke ankthe fare. Ç’punë ke ti,me ankthin!
Mevlan Shanaj: Dëgjo, unë të mendoja që Rudina Xhunga të ketë ankth! Ti je një vajzë bashkëkohore, që kur të njoh që ka shumë vite, domethënë dje, je aq zë trendi, siç përdorni ju këtë fjalorin. Kështu që unë të kam parë dhe të kam ndjekur dhe si gazetare gjithmonë ke pasur nervin tënd dhe individualitetin. Është gjë shumë e madhe të krijosh individualitetin. Sidomos në profesionet tona. Po themi në media që je ti, apo në art. Në rast se nuk je vetja, fatkeqësi. Ke hyrë në turmë dhe nuk dihet, je ke tregu i gjësë në gjallë. Mu, pëllasin që të gjithë atje. Dhe nga e pëllitura ti s’e dallon dot, kush është kush.
Rudina Xhunga: Nda, eja në Pograde! Ke çfarë merr. Është një ajër që të mbush shpirtin. Dhe qyteti vetë, ta ka ngenë. Ky si qytet është i ngeshëm, – më tha Taso. Ta ka ngenë ty. Dhe ti merr një çlirim, çlirohesh. Shpëton, se nuk është vetëm pandemia në Tiranë. Është dhe Tirana që të mbyt. Kështu që është koha për të ikur, për të lëvizur. Shko në Pogradec. Shko në shtëpinë tënde, lëviz, lëviz sa më shumë. Edhe shiko “Shqiptarë të Mrekullueshëm.” E tha mirë Mevlan Shanaj, ka gjithmonë një kohë për të dëgjuar ca njerëz që të japin këshilla. Ndryshe humbasim, në këtë vend pa orientim. Dhe në këtë kohë, pa orientim./dritare.net