MENU
klinika

Ministrja e Arsimit takon homologun Miomir Vojinoviç

Abetare e Përbashkët për nxënësit shqiptarë në Malin e Zi?

16.09.2022 - 12:42

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi priti në një takim homologun e Malit të Zi, Miomir Vojinoviç. Gjatë takimit Kushi dhe Vojinoviç diskutuan rreth forcimit të bashkëpunimit dhe nxitjes së projekteve të përbashkëta dhe shkëmbimeve në fushën e arsimit.

Takimin e njoftoi vetë Kushi përmes një postimi në Facebook, ku theksoi se një nga këto projekte është edhe mundësia e përdorimit të Abetares së përbashkët edhe për nxënësit shqiptarë të Malit të Zi.

“Kënaqësi të mirëprisja në MAS Ministrin e Arsimit të Malit të Zi z. Miomir Vojinoviç, me të cilin diskutuam rreth forcimit të bashkëpunimit dhe nxitjes së projekteve të përbashkëta dhe shkëmbimeve në fushën e arsimit. Diskutuam edhe për mundësinë e përdorimit të Abetares së Përbashkët Unike për nxënësit shqiptarë në Malin e Zi. Miomir Vojinoviç u shpreh se është i gatshëm të bashkëpunojë për lehtësimin e procedurave, në mënyrë që ky projekt të zbatohet edhe atje sa më shpejt”, u shpreh Kushi.

Ministri i Malit të Zi, Vojinoviç u shpreh se është i gatshëm të bashkëpunojë për lehtësimin e procedurave, në mënyrë që ky projekt të zbatohet edhe atje sa më shpejt.

Kujtojmë se nxënësit e klasave të para në Shqipëri dhe në Kosovë, për herë të parë do të mësojnë me një abetare të përbashkët, duke sjellë kështu një risi për brezat e ardhshëm që do të vijnë. Marrëveshja për një abetare të përbashkët Shqipëri-Kosovë, u nënshkrua në dhjetor të vitit të kaluar në Prishtinë, në një mbledhje të përbashkët mes dy qeverive. Dakordësia për të patur një abetare të unifikuar u arrit në mbledhjen e përbashkët mes dy qeverive, asaj të Shqipërisë dhe asaj të Kosovës që u mbajt në Elbasan më 26 nëntor 2021.