MENU
klinika

Fotografia që dokumenton një fëmijëri...

Këmbëzbathur në shkollë: “E kisha kthy kohën e prapë, kisha shku zbath”

23.09.2022 - 18:25

         Nuk është film. Është një fotografi e viteve ’80, në Kosovë. Mësimi i gjuhës shqipe, kushtet e mjerueshme… po sa dashuri për dijen! 

Disa fotografi të publikuara rishtas, nga fotografi Ilaz Bylykbashi, pasqyrojnë një periudhë të vështirë.

E sjell: Jeta Zymberi

“Në shkollën e fshatit në Sllovi, komuna e Lipjanit, në fund vitet 1980- ta, nxënësit ishin urdhëruar që të hynin me këpucë të veçanta në shkollë për të mos futur baltën nëpër klasa. Shumica e tyre hynin zbathur, sepse nuk kishin mundësi të blinin edhe një palë këpucë për brenda”, – ky është përshkrimi i fotografive të postuar, nga fotografi Bylykbashi.

Këto fotografi nuk na emocionuan vetëm neve, por fatmirësisht edhe një nga personazhet në foto.

Elhame Avdyli Bajraktari, vajza e ulur në bankën e parë të klasës, që shikimin e ka drejtuar ngultas drejt fotografit, sot përjetoi emocione të forta kur familjarët i dërguan fotografinë në fjalë.

“Kur djali i axhës më dërgoi fotografinë, nuk mund të besoja që isha unë. Nëna dhe të gjithë më njohën. U emocionova aq shumë e nisa ta kujtoj atë kohë. Gjëja e parë që mu kujtua ishte bluza me vija. Mu kujtu edhe që nuk kemi pas këpuca e hynim zbathur në klasë sepse shkolla ishte e re dhe nuk na lejonin të hynim më këpucët që vinim nga rruga. Ishte viti 1986, ishte skamje e madhe”, – tregon për KultPlus, Elhamja që sot është një grua e martuar dhe ka dy fëmijë. Ajo jeton në fshatin Baicë, Komuna e Lipjanit, jo larg nga fshati ku e kishte kaluar fëmijërinë.

Ajo tutje tregon që pothuajse e gjithë klasa ishte në atë gjendje, vetëm 5-6 nga fëmijët kishin kushte pak më të mira dhe kishin mundësi t’i blinin dy palë këpucë.

“Kur u ftoh moti, shkojshim me çorape. Kemi shku me çka kemi mujt”, – thotë Elhamja e cila nuk e ka harruar as mësuesin e klasës së parë, Feriz Bytyqin i cilit sot nuk jeton më, por që Elhamja ruan një kujtim të mirë për të, si një mësues i sjellshëm e shumë i kujdesshëm me nxënësit.

Ndoshta dikush do të ndihej keq, apo do të turpërohej për fotografinë që sot u shpërnda edhe nëpër media, por Elhamja jo. Me zërit plot krenari e e lumtur pafund për këtë fotografi, ajo në një intervistë për KultPlus shprehet se nuk ndihet aspak keq për atë kohë, por shumë e lumtur që i ka përjetuar ato momente.

“E kisha kthy prapë atë kohë, e prapë kisha shku zbath në shkollë, veç me i përjetu ato momente se edhe pse nuk kemi pas, kemi qenë të kënaqur”, thotë ajo.

“Kemi qenë shtatë fëmijë, unë kamë qenë fëmija i tretë, nuk kanë pas me na vesh krejtve. E mbaj mend që dy motrat e mëdha të mijat kanë qenë në shkollë njëra paradite e tjetra pasdite. Me një parë këpuca kanë shku në shkollë. Pasi u kthy njona i ka mbath tjetra.

Për të përshkruar gjithë vështirësitë e asaj kohe, Elhamja na përshkruan edhe një tjetër moment. Në klasë të dytë ajo pohon se nuk kishte pantallona për të shkuar në shkollë dhe nënë e saj i ka marr një palë pantallona të burrave dhe i ka shkurtuar e ngushtuar për trupin e fëmijës. Madje ajo tregon edhe se si u paragjykua nga një shoqe në atë kohë.

“Asnjëherë s’kam pas komplekse. Një shoqe më pat thon që i paske pantollonat pak të shkym, unë i kam than po, veç kom kalu shembullore.”

Elhamja flet me dashuri të madhe për shkollën të cilën dikur ju desh ta ndërpriste pasi familja nuk kishte mundësi financiare.

“Shkollën e mesme e kam përfundu e pastaj e kam regjistru shkollën e lartë pedagogjike, po për shkak të kushteve e kam ndërpre”, – thotë ajo.

Krejt për fund Elhamja ka një mesazh për të rinjtë sot.

“Unë çuditem çfarë kushte kanë sot fëmijët e nuk mësojnë, unë as natën nuk kisha flejt. Po e marr shembull djalin tem, krejt kushtet i ka edhe priton me msu. Gjithë i them djalit që unë me një fletore i kam shkru krejt landët e ju sot i keni krejt edhe s’po m’soni. Ju kisha lut me m’su sa më shumë”, përfundon kështu Elhamja e cila më në fund e ka në duar imazhin e vetëm nga fëmijëria falë shkrepjes së fotografit Ilaz Bylykbashi.

Çfarë u diskutua gjatë takimit në Tiranë më 1989-ën

Refuzimi që Nexhmije Hoxha i bëri Nënë Terezës për një shtëpi bamirësie!

Në 40-të vjetorin e filmit “Proka”

Mbrëmje kinematografike me regjisorin Isa Qosja

"Kur jeni zënë për herë të fundit me gruan?"

Përgjigjet plot humor që jepte Dritëroi për Sadijen

“Pasuria që s’e blejnë dot paratë”

Libri për suksesin e vërtetë dhe rritjen personale