MENU
klinika

Manovër e Putinit?

Gazsjellësi Nord Stream bëhet sërish ‘problem’

28.09.2022 - 21:00

CIA ka paralajmëruar disa javë më parë se Nord Stream mund të binte pre e një sulmi, pas shpërthimeve që shkaktuan 3 dëmtime të mëdha në dy tubacionet kryesore të gazit që ushqëheqësit perëndimorë e kanë cilësuar si sabotim, shkruan Daily Mail.

Agjentët e CIA-s paralajmëruan aleatët europianë përfshirë Gjermaninë gjatë verës se tubacionet ishin të rrezikuara, sipas burimeve të Der Spiegel, megjithëse ata refuzuan të thonë nëse Rusia ishte fajtore.

Paralajmërimi nuk ishte specifik dhe nuk përcaktoi një kohë apo vendndodhje se kur do të ndodhte sulmi, shtoi New York Times. Megjithatë dyshimet e para rëndojnë mbi Kremlinin, me zyrtarët europianë që informuan Washington Post mbrëmë se të gjithë mendojnë se ky është një sabotim rus.

Por aleatëve aktualisht u mungojnë prova të mjaftueshme për të fajësuar publikisht Moskën, shtuan ata. Rusia sigurisht ka kapacitetin për të kryer një sulm të tillë. Ajo posedon flotën më të madhe të nëndetëseve në botë dhe ka shpenzuar vite duke përditësuar aftësitë e saj, raporton abcnews.al.

“Belgorod” – një nëndetëse e fshehtë me energji bërthamore mund të shkëpusë kabllot nënujore dhe mund të përdoret gjithashtu për të synuar një tub, thanë ekspertët dhe analistët.

Vendndodhja e shpërthimeve, në ujërat rreth 230 metra të thellë, është mjaft e cekët për të arritur zhytësit dhe Rusia ka qasje të drejtpërdrejtë në Detin Baltik nga Kaliningrad.  Moska gjithashtu ka vënë në punë dronët nënujorë  dhe janë të vendosur jashtë Shën Petersburgut, të cilët mund të hyjnë në Balltik përmes Gjirit të Finlandës.

Sa i përket motivit, shpërthimet ndodhën në të njëjtën ditë kur Polonia, Norvegjia dhe Danimarka hapën një tubacion të ri që kalon nën Baltik, i cili është projektuar për të furnizuar Europën Qendrore dhe Lindore pa u mbështetur tek Rusia, raporton abcnews.al.

Sipas një zyrtari europian, kjo ngjarje mund të cilësohet një paralajmërim për Europën se infrastruktura e saj është e cenueshme. 

Norvegjia, tani furnizuesi më i rëndësishëm i gazit në Europë ka raportuar për drone të paidentifikuar që në platformat e saj të shpimit dhe të martën rriti sigurinë mes paralajmërimeve se ata mund të jenë në shënjestër.

Danimarka, ujërat territoriale të së cilës përshkojnë zonën ku ndodhën shpërthimet ka marrë masat për të siguruar platformat e veta. Çmimet e gazit – të cilat kishin rënë në nivele normale nga nivelet më të larta historike në fillim të vitit  u rritën me 19% pas sulmeve duke sugjeruar një motiv të dytë: Të trembin tregjet dhe të rrisin kostot për Europën pikërisht kur liderët po përpiqen të zgjidhin krizën energjetike.

Së fundmi, ajo vjen në sfondin e luftës së  Putinit në Ukrainë, ndërsa shtohen kërcënimet e tij ndaj Perëndimit.

Referendumet e rreme të kryera me armë në Ukrainën e pushtuar kthyen 90 përqind të shumicës në favor të bashkimit me Rusinë ditën e djeshme, me Putinin tani që pritet t’i aneksojë ato deri në fund të javës.

/abcnews.al