Dojna Mema, e ftuar mbrëmjen e djeshme në “Goca dhe Gra” foli gjatë për ardhjen e Nolan Sol, përjetimet e para të mëmësisë dhe gjithë emocionet e reja që vijnë bashkë me të.
Dojna tregoi për herë të parë publikisht vështirësinë e parë të shtatzënisë, që ishte mungesa e informacioneve zyrtare dhe të sakta lidhur me problemet pas lindjes, siç janë laktacioni apo depresioni.
“Unë e kam mbajtur vetë deri tani që është dy muajsh. Tani do kujdeset një zonjë për të paraditeve. Mua më ka ndodhur dhe e kam menduar që në Shqipëri gruaja nuk ka shumë informacion për ato që vijnë pas lindjes. Jo vetëm për depresionin postpartum, apo laktacioni, duhet të ketë klasa në Shqipëri që dihet të japin këto informacione të konfirmuara. Gjërat bazike që nëna duhet të dije kur sjell në jetë bebin. Mami im ka pasur depresion me lindjen e parë dhe ajo as që nuk e dinte se çfarë kishte. Shumë njerëz nuk e kanë këtë mundësi dhe është problem. Unë isha përgatitur shumë për laktacionin dhe e përjetova shumë lehtë”- tregoi Dojna.
Mema tha se e ka pasur kompleks në fillim lindjen përmes rrugës çezariane (me operacion), por sot beson se ishte zgjedhja e duhur.
“Kompleks kam pasur faktin që linda me çezarian (operacion) dhe jo me lindje natyrale. Kjo ka qenë pjesa më e komplikuar që unë e kam vuajtur shumë. Për fat kisha Vlashentin afër. Deri në momentin e fundit kam shkuar në spital me idenë që do lindja vetë. Kisha panik, as nuk e kisha menduar fare momentin e lindjes dhe kur erdhi…nuk isha vërtetë gati. Po të kisha pasur një ndjekje graduale, ndoshta mund ta kisha përballuar, por tani jam e lumtur për zgjedhjen e bërë. Shtatzëninë e kam pasur shumë te lehtë, e kam përjetuar shumë mirë. Kam lindur në javën e 41 se fëmija ishte pak ‘përtac’. E mira që të gjitha gratë të ndjekin një regjim të mos konsumojnë gjëra të dëmshme, pavarësisht se unë kam ngrënë pica”- tha Dojna.
Si ndryshoi jeta pas ardhjes së bebushit? Vetë moderatorja zbuloi se është pak “strikte” si mama.
“Kisha problem të kisha njerëz të tjerë nëpër këmbë. Herë pas herë vinte mami im dhe i Vlashentit, ndërkohë që unë nuk doja të shihja njeri. Ishte momenti që do të rrish vetëm me fëmijën tënd. Kisha Vlashentin, që e dija që do të ishte baba i përkushtuar dhe ‘efikas’. Kishte instikte më shumë se unë”- tregoi Dojna.