MENU
klinika

Ministria refuzon rritjen e pagave, pedagogët: Insistojmë në kërkesat

Java e dytë mbyllet me bojkot, vendimi për protestën!

28.10.2022 - 09:44

Edhe kjo javë mbyllet me bojkot të mësimit në universitete. Ministria e Arsimit ka refuzuar kërkesën e tyre për rritjen e pagave, ndërkohë që pedagogët insistojnë në bojkot derisa të marrë udhë zgjidhja e këtij problemi.

MINISTRIA
Përgjigjen për kërkesat e sindikatës së punonjësve të universiteteve, Ministria e Arsimit ka preferuar t’ua nisë vetë institucioneve të arsimit të lartë, duke i sqaruar një më një për secilën. Shumica, sipas MAS-it, janë në proces diskutimi, ndërsa për çështjen e pagave mjaftohet me rritjen e qeverisë në 5 tetor.

Lidhur me kërkesën për rivendosjen e shtesave mbi pagë për “Dëshmi shëndeti në punë” kërkon listën e pozicioneve që paraqesin vështirësi dhe dëm (të argumentuar) me qëllim që të bëhet analiza financiare dhe ndryshimet në VKM për pagat. E njëjta gjë dhe për kërkesat e tjera, rivlerësimin e orëve mësimor dhe shtesën mbi pagë për vjetërsinë në punë, nga masa 0.5% për vit në 1% për 25 vite. “Ju lutem na përcillni informacion të detajuar për vjetërsinë në punë të stafit akademik me kohë të plotë që të përllogarisim saktë efektin financiar të kësaj ndërhyrje, me qëllim që MAS-i të propozojë ndryshimin e VKM-së së pagave në vijim”. Parimisht, shprehet dakord për pika që nuk kanë efekt të lartë financiar në buxhet.

REKTORI UT
Një mendim të ngjashëm ndan edhe rektori i Universitetit të Tiranës, Artan Hoxha. Në një letër të nisur gjashtë fakulteteve nënvizon se kërkesat e pedagogëve kanë marrë udhë tashmë dhe po vlerësohen nga MAS-i, duke mos konsideruar sindikatën e punonjësve të universiteteve. “Çështje të tjera janë zgjidhur tashmë, një pjesë janë në rrugën e zgjidhjes dhe të tjera janë në diskutim, por duhet vënë theksi që problematikat e ngritura nga seksioni publik i konferencës së rektorëve është i koordinuar mes institucioneve publike të arsimit të lartë, ndërsa veprimtaria dhe kërkesat e sindikatave janë jashtë këtij komunikimi dhe koordinimi institucional si një veprimtari e zhvilluar me natyrë sindikaliste”, citohet në letrën nisur dekanëve.

REAGIMI
Vazhdojnë të ndajnë të njëjtin mendim sa i përket kërkesave të artikuluara në peticionin drejtuar në 30 gusht qeverisë. Pra, ato kërkesa që Ministria duhet t’i kishte përmbushur me kohë dhe i ka detyrim ligjor po i bën tani, ndërsa ato që lidhen drejtpërdrejt me financat, dy më kryesoret buxheti për universitetet dhe rritja e pagave janë thjesht të parealizueshme. Për sindikatën e universitete, kjo ka një përgjegjës. “Ne mendojmë se qeveria është përgjegjësja kryesore për bojkotin tonë, për shkak të mangësive të politikave të ndërmarra.

Ministria e Arsimit ka sjellë një përgjigje, një pjesë e kërkesave mendojnë se do jenë të zgjidhshme se kanë qenë pengesa të neglizhencës, ndërsa problemi kryesor që ka të bëjë me rritjen e financimit për arsimin e lartë, apo financimin e kërkimit shkencor, nuk janë ezauruar. I konsiderojmë pika kryesore, edhe 8% e rritjes së pagës deri tani vetëm një universitet ka thënë se mund ta realizojë vetëm për këtë vit. Të tjerët nuk kanë marrë një vendim. Vijojmë me kërkesën për rritjen e pagës. Insistojmë në kërkesat tona, se mendojmë se janë të drejta”, shprehet kreu i sindikatës, Sandër Kovaçi, duke shtuar se do të vijohet me protestën, aq më tepër gjatë kësaj periudhe ku projektbuxheti është në proces diskutimi.

Sot, SPUSH do të dalë me një vendim për vijimësinë e protestës, por një gjë është e sigurt. Kjo javë mbyllet me bojkot. “I bëjmë thirrje Asambleve të mblidhen dhe të marrin një vendim. Profesorati është i pakënaqur nga kjo përgjigje. Në këtë kontekst sot e nesër vijon bojkoti. Do vijojmë protestat deri sa të marrin rrugë kërkesat tona”, insiston Kovaçi duke ftuar Ministrinë të marrë përsipër përmbushjen e kërkesave që i takojnë, ndërsa të tjerat i ka në dorë kuvendi, qeveria e të tjerë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Kreu i Sindikatës: Qeveria ka edhe një javë kohë…

Pedagogët njoftojnë tjetër protestë, kur do zhvillohet?

Kreu i Sindikatës thirrje Ramës: Trajto kërkesat me seriozitet

Pedagogët letër të hapur Ambasadës së SHBA dhe Britanisë