Aktor dhe regjisor i mirënjohur, Kolë Kaftalli, u lind në Shkodër, më 2 shkurt 1946. Rrjedh nga nje familje e shquar artistësh. Një nga emrat e njohur të artit skenik, sidomos në qytetin e Shkodrës. U diplomua në Institutin Arteve të Bukura në Tiranë. Pas diplomimit fillon punën në teatrin “Migjeni” në Shkodër.
Me trupën e këtij teatri interpreton rreth 60 drama dhe komedi, përfishirë edhe disa në Teatrin Kombëtar. Ka një galeri rolesh të ndryshme, si edhe në filmat artistikë të Kinostudios “Shqipëria e Re”.
Në vitin 1978 bën debutimin në kinema, me një rol të vogël në “Nusja dhe shteterrethimi”.
Ndër filmat e tjerë, mund të përmendim: “Ditët që sollën pranverën” (ndërlidhësi i bandës) 1979; “Skëterrë 43” (një nga të burgosurit) 1980; “Qortimet e vjeshtës” 1981; “Flaka e maleve” (Halili) 1982; “Njeriu i mirë” (Agroni) 1982; “Të paftuarit” 1985; “Kur hapen dyert e jetës” (Gjeka) 1986; “Bregu i ashpër” (Kryetari) 1988: “Një i tretë” (Skulptori) 1988 etj.
Pjesë e karrierës artistike të Kolë Kaftallit, ka qenë edhe regjisura, ku numërohen disa drama vënë në skenë prej tij, në qytetitn e Shkodrës.
Në periudhën e fundit të jetës, ai iu kushtua teatrit të fëmijëve, duke qënë edhe i pari në kryeqytetin kulturor verior dhe në gjithë veriun e Shqipërisë, që ngriti teatrin e kukullave. Ndahet nga jeta në moshën 63-vjeçare, më 7 tetor 2009, pas një sëmundjeje të rëndë.