MENU
klinika

Analiza

Për fashizmin, kërkoni në Moskë, jo në Romë!

01.10.2022 - 09:00

Me fitoren e Giorgia Meloni nga Vëllezërit e Italisë, dëgjuesve të radios BBC iu tha se zgjedhjet parlamentare të vendit fundjavën e kaluar do të rezultonin në “udhëheqësin e parë të ekstremit të djathtë që nga Benito Musolini”.

Është e vërtetë se, si një grua e re, Meloni u bë një adhuruese e pasionuar e një partie neofashiste dhe një herë u kap në kamera duke e përshkruar Musolinin si “politikanin më të mirë të 50 viteve të fundit”.

Por ta paraqesësh atë sot si një udhëheqëse kombëtare, ‘pasardhëse’ të Musolini, nuk është aspak gjëja e duhur.

Me retorikën e sajtë “Zotit, atdheut dhe familjes”, Meloni është padyshim një populiste kundër emigracionit, e djathtë, një konservatore e fortë sociale dhe një nacionaliste euroskeptike.

Ajo parashikon telashe për Brukselin dhe mjerim për shumë emigrantë të mundshëm në BE.

Urimet erdhën menjëherë nga Le Pen dhe liderë në Hungari, Poloni dhe Spanjë.

Zgjedhjet e Italisë i sjellin këto tendenca në qedër të politikës evropiane.

Historiani Paul Corner e eksploron këtë fenomen në librin e tij të ri “Musolini in Myth and Memory”. Musolini bëri gjithashtu “gjëra pozitive”, tha Antonio Tajani, kur ishte president i Parlamentit Evropian në 2019. Silvio Berlusconi, partia e të cilit Forza Italia është një nga partnerët e koalicionit të Melonit, i tha revistës Spectator në 2003 se “Mussolini nuk vrau askënd”. Dy nga nipërit e Musolinit kanë kandiduar në zgjedhje nën flakën trengjyrësh neofashiste në flamurin e Vëllezërit të Italisë.

Është thjesht e pamundur të imagjinohet diçka e krahasueshme në politikën bashkëkohore gjermane.

Megjithatë, këto dy gjëra së bashku nuk përbëjnë një akuzë serioze të fashizmit – jo në politikat e mundshme të qeverisë së re, e lëre më në sistemin më të gjerë politik të Italisë.

Në fakt, Italia e pas vitit 1945 ka pasur një kombinim të pazakontë të paqëndrueshmërisë politike dhe vazhdimësisë institucionale.

Ka kontrolle dhe balanca të forta kushtetuese.

Demokracia italiane është më pak e kërcënuar sot sesa demokracia amerikane.

Ideologjia reaksionare dhe nacionaliste e Melonit mund të jetë, por ka pak ose aspak glorifikimin e dhunës ushtarake, e lëre më dhunën aktuale, që janë karakteristikë e fashizmit.

Shkrimtari italian Umberto Eco veçoi moton falangiste spanjolle Viva la Muerte: Rroftë Vdekja!

Megjithatë, ekziston një pretendent serioz për këtë emërtim: Rusia e Vladimir Putinit.

Pra, shumë nga tiparet historike të fashizmit mund të gjenden atje.

Kulti i organizuar nga shteti i një lideri të vetëm. Kultivimi i një ndjenje të thellë të pakënaqësisë historike. Indoktrinimi i rinisë dhe demonizimi i armikut. Propaganda e gënjeshtrës së madhe – në rastin e Putinit, se ukrainasit janë fashistë. Një ideologji dominimi nga një Volk mbi të tjerët: për Putinin, ukrainasit nuk ekzistojnë realisht, ata janë thjesht një variant i rusëve.

Mbi të gjitha, praktika e represionit të ashpër në vend dhe dhuna gjenocidale jashtë vendit.

Për shumë vite kam ndarë ngurrimin e studiuesve dhe analistëve të tjerë për të përdorur fjalën fashizëm në kohën e tashme.

Putinizmi ka një dimension post-sovjetik që është i ri, ndërsa elementët historikisht karakteristikë, si mobilizimi masiv aktiv, mungojnë kryesisht në Rusinë e sotme.

Por asnjë fenomen historik nuk përsëritet saktësisht në të njëjtën formë. Por pa dyshim mund të flasim për fashizmin rus.

Si Berlusconi ashtu edhe partneri tjetër i koalicionit të Melonit, Matteo Salvini, kanë folur me admirim për Putinin.

Për fat të mirë, gruaja e destinuar të jetë kryeministrja e ardhshme e Italisë ka shprehur mbështetje të vendosur për një qëndrim të bashkuar perëndimor kundër agresionit rus në Ukrainë.

Pra tani varemi nga një lidere post-neofashiste zgjedhur në mënyrë demokratike për të na ndihmuar të mposhtim një diktator fashist.

“Homelands: A Personal History of Europe” i shkrimtarit do të botohet pranverën e ardhshme

Burimi: Financial Times

Përktheu dhe përshtati: Konica.al