MENU
klinika

Sot bojkot kombëtar nga pedagogët

Rama: S’do ketë më rritje pagash deri pas daljes nga dimri!

20.10.2022 - 09:55

“Asnjë vetting s’do bëhet, as është thënë, as është menduar!” Me këtë përgjigje për pedagogët ka nisur ditën e enjte kryeministri Edi Rama, i cili në një postim në Twitter shkruan se kontrolli i pasurisë që ka paralajmëruar gjatë takimit me rektorët nuk është vetting. Reagimi i tij vjen pasi thotë se një pakicë pedagogësh nën udhëheqjen e atyre që i cilsëon ‘non grata’ e shiksa flasin për vetting.

Ndonëse sot është njoftuar se do të ketë bojkot kombëtar për rritjen e pagave, Rama thotë se nuk do të ketë më rritje. Gjithçka do të rishikohet kur të vijë radha pas bonusit të pensionistëve në fundvit dhe daljes nga dimri.

“Mediat e angazhuara masivisht për ta paraqitur si masive protestën e një pakice pedagogësh,nën udhëheqjen e nongratave e të shiksave të tyre,flasin për gjoja një Veting që do bëka regjimi imagjinar për pedagogët! Asnjë Veting as do bëhet, as është thënë e as është e menduar!

Sa për rritjen e mëtejshme të pagave e përsëris, nuk do të ndodhë deri kur të vijë radha e natyrshme, pas pensionistëve në fundvit dhe pas daljes dimri, kur do të bëjmë bilancet e kostove të mburojës së energjisë elektrike, edhe për familjet e pedagogëve që mbrohen nga qeveria!” – shkroi Rama në Twitter.

Me termat ‘non grata’ e shiksa i referohet Kryetarit të Sindikatës për Arsimin e Lartë, Aleksandër Kovaçi i cili drejton grevën e pedagogëve. Ai është një ish zyrtar i lartë i SHIK në kohën e Bashkim Gazidedes, të cilën e ka fshirë nga biografia e tij. Ai ka punuar si zëvendësdrejtor i Departamentit të Analizës në kohën e Bashkim Gazidedes deri në vitin 1998. Më pas u risoll nga Visho Ajazi në SHISH pas vitit 2005 si drejtor i sektorit të analizës. Kovaçi njihet si një mbështetës i zjarrtë i Berishës, por nëse shikon CV e tij si pedagog i Shkencave të Natyrës shikon se ai ka vënë në CV vetëm periudhën kur ka punuar në SHISH pasi kanë ardhur socialistët në pushtet, për të fshehur të shkuarën e tij si zyrtar i kohës kur SHIK ishte një instrument politik.

Vetë ai e ka pranuar publikisht në një intervistë të dhënë kur tha se ka qenë një punë e shkëlqyer, ajo që ai ka bërë në departamentin më të rëndësishëm të SHIK-ut, pikërisht gjatë viteve kur SHIK ishte një instrument i torturës, dhunës së përgjakshme në duart e Sali Berishës.