MENU
klinika

Sot feston ditëlindjen Vladimir Putin

Sa vjeç bëhet njeriu që ka “trazuar ujërat” në planet

07.10.2022 - 10:04

Sot feston ditëlindjen presidenti rus, Vladimir Putin. Lideri i Kremlinit bën sot 70 vjeç.

Sigurisht kjo ditë nuk ngeli pa u vënë re nga ministri i Mbrojtjes në Lituani, Arvydas Anušauskas , i cili nëpërmjet një postimi në Twitter ka uruar Putinin me një shkrim pak sa ironik.

Ai shkruan se Putin është ai lider që ulet në një tryezë, ku i duhen dylbi për të komunikuar me të pranishmi, duke iu referuar takimit të Putinit me presidentin francez, Emanuel Macron.

Por kush është diktatori tashmë 70 vjeç që ka trazuar ujërat në botë me shpalljen e luftës në Ukrainë që prej 24 shkurtit?

I lindur në Shën Peterburg, karakteri i liderit 70-vjeçar të Kremlinit u brumos gjatë fëmijërisë së tij.

Putin është rritur pa prindërit e tij biologjikë, nga një familje kujdestare. Për shumë psikologë e sociologë kjo periudhë ka shkaktuar trauma në jetën e tij, dhe e ka bërë të jetë i ftohtë me njerëzit dhe i afeksionuar më tepër pas kafshëve.

Kjo gjë shpjegon edhe dashurinë e tij për dy qentë Koni dhe Buffy, me të cilët shfaqet shpesh, madje edhe në takime me krerë të lartë shtetesh.

I diplomuar për drejtësi Vladimir Putin për 16 vite ka qenë pjesë e shërbimit sekret sovjetik, KGB. Për shkak të fizikut të tij, në KGB Putin e thërrisnin me pseudonimin “vogëlushi”. Më pas ai u shkëput nga shërbimet sekrete, dhe për 5 vite punoi si pedagog në Shën Peterburgut.

Viti 1996 do të ishte vendimtar për Putin. Ai u transferua në Moskë për t’ju futur politikës. këtu nisi rrugëtimi i “vogëlushi i KGB” për t’u bërë “Ariun e Siberisë”.

Dy vjet më vonë, Vladimir Putin u vendos në krye të Shërbimit të Sigurisë Federale, një organizate që pasoi KGB-në sovjetike.

Në vitin 1999 presidenti Boris Yelsin e emëron në krye të qeverisë, ndërsa në vitin 2000, Vladimir Putin u shfaq për herë të parë në arenën ndërkombëtare si president i Federatës Ruse.

Lufta në Çeçeni dhe ndarja e re administrative e territorit të pamat rus, e ngritën profilin e Putin, që fitoi më tepër pushtet. Edhe konfliktet në Gjeorgji, Siri dhe Krime, sërish Putin i përdori për të forcuar imazhin e tij.

Putin e drejton Rusinë që nga viti 2000, me përjashtim të periudhës 2008-2012, kur ai vendosi president, mikun e tij, Dimitri Medvedev.

Përtej politikanit të fortë dhe një nga njerëzit më të pushtetshëm në botë, Vladimir Putin është i njohur edhe për sportet ekstreme e pasionet e forta.

I pëlqejnë shumë kafshët, veçanërisht qentë e mëdhenj, arinjtë dhe kuajt. Duke ruajtur disa nga zakonet e kohës kur ka qenë agjent i KGB, Vladimir Putin shpenzon një kohë të madhe në palestër.

Madje nuk mungojnë foto të tij duke u stërvitur në kushte ekstreme të motit Siberian. presidenti rus mban edhe rripin e zi ne xhudo. Sot e gjithë bota i ka sytë mbi Putin dhe i kërkon atij të tërhiqet nga bombardimet në Ukrainë.