“Pyet mjekun” është rubrika më e re, një platformë që bën të mundur kontaktin ndërmjet mjekut dhe pacientit.
Nëse keni ndonjë pyetje, për gjithçka që ju shqetëson në shëndetin tuaj, këtu do të merrni përgjigje nga mjekë me eksperiencë, pa rezervime takimesh dhe duke shmangur radhët e gjata.
Pacienti: Përshëndetje! Ju lutem, pas lindjes së fëmijës vë re se kam shumë strije në kofshë dhe në bark. Dua ta di a trajtohen dhe si?
Mjeku: Trajtimi i strijeve është konsideruar i pamundur deri para dy dekadash. Akoma ka skeptikë që nuk e pranojnë dot që ato trajtohen me sukses. Megjithatë, në këtë rast më shumë se kudo, rezultati varet nga bashkëpunimi pacient-dermatolog. Rezultatet janë më të arrira në fazën e kuqërremte të strijave, por jo kur janë aktive (vazhdojnë të zhvillohen).
Është mirë të fillohet me kremra dhe solucione dermatologjike, që trajtojnë strijat tashmë të formuara, duke stimuluar formimin e kolagjenit dhe elastinës. Edhe procedurat dermo-kozmetike që aplikohen në këto raste, në thelb kanë po këtë parim, por rezultatet janë më të shpejta dhe më efektive.
Procedurat më efikase janë mesoterapitë (dermapen, dermaroller), lazer-terapitë e tipeve të ndryshme, peeling i thellë kimik, dhe më pak piling kimik i lehtë e i mesëm. Kombinimi i procedurave është gjithmonë më efektiv sesa aplikimi në mënyrë të përsëritur i njërës prej tyre.
Sidoqoftë, mjeku përgatit një protokoll trajtimi të veçantë për çdo pacient që në vizitën e parë. Gjithsecili është i ndryshëm, qoftë nga shfaqja e këtyre dëmtimeve, por edhe nga pritshmëritë e trajtimit. Trajtimet shoqërohen me foto për të parë përmirësimin në vazhdimësi dhe për të kujtuar si ishin strijat. Jo rrallë ndodh që pacientët duke e kontrolluar veten çdo ditë, mësohen dhe e harrojnë gjendjen fillestare. Megjithatë, edhe kjo na jep shumë kënaqësi. Ne arrijmë të heqim kujtimet e shëmtuara!
Nëse keni edhe ju pyetje, dhe doni të merrni një përgjigje të shpejtë nga mjekët e “spitalit tonë online”, klikoni këtu. Identiteti juaj do të mbetet anonim.